Kërko

Papa Françesku: Shën Jozefi, njeri i fshehur e rojtar i të gjithëve

Në audiencën e përgjithshme Françesku vijoi reflektimin kushtuar figurës së Fatit të Marisë, Shën Jozefit, të cilit i kushtoi edhe një lutje: është ai, që vijon ta mbrojë Kishën, model i njerëzve, që kujdesen për të tjerët

R.SH. - Vatikan

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa vijoi ciklin e katekizmit, nisur të mërkurën e kaluar, kushtuar figurës së Shën Jozefit. Tema e sotme është roli i atit të kujtuar të Jezusit në historinë e shëlbimit. Një rast, për Françeskun, për të përshkruar çka është vërtet e rëndësishme para syve të Zotit e për të nxitur secilin nga ne të kujdesemi për njëri-tjetrin, siç bëri Jozefi me Marinë e Jezusi.

Jezusi në Ungjijtë njihet si “biri i Jozefit”, e “biri i zdrukthëtarit”. Ungjilltarët Mateu e Luka na e tregojnë fëmijërinë e Jezusit, duke u ndaluar edhe te roli i Jozefit. Që të dy shkruajnë edhe “gjenealogjinë”, për të vënë në dukje se Jezusi është figurë historike. Mateu, duke iu dejtuar posaçërisht judeo-kristianëve, niset nga Abrahami, për të arritur tek Jozefi: e quan “fati i Marisë”, nga  e cila lindi Jezusi, i quajtur Krisht”. Ndërsa Luka shkon deri te Adami, duke u nisur drejpërdrejt nga Jezusi, që ishte “i biri i Jozefit”, por duke saktësuar edhe fjalët “siç thuhej”. Pra të dy ungjilltarët nuk e paraqesin Jozefin si atë biologjik. Por gjithsesi, baba i mirëfilltë i Krishtit. Përmes tij, Jezusi realizon  përmbushjen e historisë së besëlidhjes e të shëlbimit ndërmjet Zotit e njeriut. Për Mateun, kjo histori nis me Abrahamin; për Lukën, me vetë zanafillën e njerëzimit.

Mateu Ungjilltar na ndihmon të kuptojmë se figura e Jozefit, ndonëse në dukje e dorës së dytë,  plot maturi, në të vërtetë luan një rol qëndror në historinë e shëlbimit. Jozefi e jeton protagonizmin e tij pa i shkuar kurrë as nëpërmend ta pushtojë skenën:

“Nëse mendojmë mirë, ‘jetët tona enden e mbështeten nga njerëz të zakonshëm - zakonisht të harruar - që nuk duken në faqet e gazetave e të revistave [...]. Sa etër e nëna, gjyshër e gjyshe u tregojnë fëmijëve tanë, me gjeste të vogla e të përditshme, si ta përballojnë e ta kapërcejnë ndonjë krizë, duke korrigjuar zakonet, duke ngritur sytë lart e duke i nxitur të luten. Sa njerëz luten e ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve. Kështu të gjithë mund të gjejnë në Shën Jozefin burrin që kalon i pavërejtur; burrin, me prani të përditshme, të  kujdesur, të fshehur, ndërmjetës, mbështetës e prijës në çaste e vështira. Na kujton se të gjithë ata, të cilët në dukje janë të fshehur a ‘në plan të dytë’, kanë një protagonizëm të pashoq në historinë e shëlbimit. Bota ka nevojë për këta burra e këto gra”.

Në Ungjillin e Lukës, Jozefin e takojmë si rojtar i Jezusit e i Marisë. E prandaj është edhe “Rojtar i Kishës, sepse Kisha është shtrirje e Korpit të Krishtit në histori e njëkohësisht, në amësinë e Kishës shëmbëllehet  amësia e Marisë. Jozefi vijon ta mbrojë Kishën, vijon ta mbrojë Foshnjën dhe nënën e Tij”:

“Ky aspekt i rojtarisë së Jozefit është përgjigjja e madhe e rrëfimit të Zanafillës. Kur Zoti i kërkon llogari Kainit për jetën e Abelit, ai përgjjget: ‘Thua jam rojtari i tim vëllai?’. Jozefi, me jetën e tij, duket sikur na thotë se  jemi të thirrur gjithnjë për ta ndjerë veten rojtarë të vëllezërve tanë, roje të njeriut që kemi pranë, atij që Zotit na e beson në rrethana të ndryshme të jetës”.

Një shoqëri si jona, që  quhet “e lëngshme”, gjen në historinë e Jozefit treguesin e saktë  të vlerës që kanë lidhjet njerëzore. Ungjilli nuk na e tregon gjenealogjinë e Jezusit thjesht për arsye teologjike, por për t’i kujtuar secilit prej nesh se jeta jonë është plot me lidhje që na paraprijnë e na shoqërojnë. I Biri i Zotit, për të ardhur mbi tokë, zgjodhi pikërisht lidhjet:

“Të dashur vëllezër e motra, mendoj shumë për njerëzit që lodhen për t’i gjetur lidhjet kuptimplote në jetën e tyre, e prandaj zvarriten, ndjehen të vetmuar, nuk kanë forcë as guxim për të ecur përpara”.

Dëshiroj të përfundoj me një lutje, që t’i ndihmojë ata e ne të gjithë për të gjetur në Shën Jozefin aleatin, mikun, mbështetjen, kujtoi:

“O Shën Jozef, ti që e ruajte lidhjen me Marinë e Jezusin, ndihmona të kemi kujdes për marrëdhëniet gjatë jetës sonë. Bëj që askush të mos e provojë ndjenjën e braktisjes, e cila vjen nga vetmia. Secili nesh e pranoftë historinë e vet, pranoftë se gabimet e bëra ishin një mënyrë, përmes së cilës Provania u bë udhë dhe e keqja nuk e tha fjalën e fundit. Sillu si mik me kë lodhet më shumë e siç e mbrojte Marinë e Jezusin  në çaste të vështira, kështu ndihmona edhe ne në udhën tonë. Amen”.

24 nëntor 2021, 12:34