Kërko

Papa Françesku e fra' Marco Luzzago Papa Françesku e fra' Marco Luzzago

Vendimet e Papës në prag të Kapitullit të jashtëzakonshëm të Urdhrit të Maltës

Françesku konfirmon Fra’ Marco Luzzago, Luogotenent i Mjeshtrit të Madh të Urdhrit Sovran Ushtarak Spitalor të Shën Gjonit të Jeruzalemit, Rodosit dhe Maltës (S.M.O.M.). Vendimi përmbahet në letrën drejtuar kardinalit Tomasi, delegat i veçantë i Papës pranë Urdhrit. Atij i jepen kompetenca të veçanta në funksion të riorganizimit të Urdhrit. Në tekst, edhe vlerësimi i Françeskut për gjithçka është bërë deri tani për rinovimin e institucionit.

R.SH. - Vatikan

Vendosa që “nga ky çast, t’ia zgjas Fra’ Marco Luzzago-s detyrën si Luogotenent i Mjeshtrit të Madh deri në përfundimin e Kapitullit të Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm e në zgjedhjen e një Mjeshtri të Madh të ri nga Këshilli i plotë”. Kështu shkruan Papa Françesku në një letër, drejtuar kardinalit Silvano Maria Tomasi, emëruar nga ai vetë, më 1 nëntor 2020, si delegat i veçantë në Urdhrin Sovran Ushtarak Spitalor të Shën Gjonit të Jeruzalemit, Rodosit dhe Maltës (SMOM). Vendimi merret që “Kapitulli i Përgjithshëm i Jashtëzakonshëm të kremtohet në kushte të përshtatshme për të siguruar rinovimin e nevojshëm në jetën e Urdhrit”, që “puna e ndërmarrë të japë fryte”.

Papa Françesku shkruan në letër se ai “vëren, me mirënjohje, hapat pozitivë, që janë ndërmarrë për ripërtëritjen shpirtërore dhe morale të Urdhrit, veçanërisht të Anëtarëve të shuguruar të tij, si dhe për procesin e azhurnimit të Kartës Kushtetuese dhe Kodit Melitens, çështje – kjo e fundit – me rëndësi thelbësore”.

Vepër rinovimi, që duhet të vazhdojë

Për të vijuar rrugën e ndryshimit, Papa i konfirmon kardinalit Tomasi se si delegat i tij ai “gëzon të gjitha kompetencat e nevojshme për të vendosur lidhur me çdo çështje, që mund të lindë për zbatimin e mandatit”, duke përfshirë “pushtetin që të vendosë personalisht për aspekte të administrimit të zakonshëm të Urdhrit, edhe pa marrë parasysh, nëse është e nevojshme, Kartën aktuale Kushtetuese dhe Kodin aktual Melitens, si edhe të zgjidhë të gjitha konfliktet e brendshme brenda Urdhrit ‘ex auctoritate Summi Pontificis’”. Përveç kësaj, në prag të Kapitullit të ardhshëm, Papa Françesku i jep “shprehimisht” Delegatit për Urdhrin e Maltës kompetenca të tjera, të cilat i rendit në tekst: “Të mbledhë Kapitullin e Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm për një datë që do ta caktojë ai dhe ta bashkëkryesojë atë; të përcaktojë një rregullore ‘ad hoc’ për përbërjen dhe kremtimin e Kapitullit të Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm; të miratojë Kartën Kushtetuese dhe Kodin Melitens; të rinovojë Këshillin Sovran në përputhje me tekstet e reja normative; të mbledhë Këshillin e Plotë për zgjedhjen e një Mjeshtri të ri të Madh”.

Mbështetja e Papës për nismat bamirëse të Urdhrit

Papa nuk mungon të shprehë në letër mbështetjen dhe inkurajimin e tij për Familjen e Shën Gjonit “për shumë vepra bamirëse, që kryen ajo me punë të lavdërueshme”, përmes anëtarëve dhe vullnetarëve të saj në vende të ndryshme të botës, në ndihmë të të varfërve, të sëmurëve dhe më të ligshtëve. Së fundi, Ati i Shenjtë është i sigurt se “i gjithë Urdhri, në çdo nivel, do të bashkëpunojë" me kardinalin Tomasi "me frymën e bindjes dhe të respektit të vërtetë". Papa e mbyll letrën, duke siguruar se do të lutet për Urdhrin e Maltës, ndërsa u jep anëtarëve dhe vullnetarëve bekimin e tij apostolik.

26 tetor 2021, 17:47