Kërko

Papa në audiencë: gabim i madh, të imponohen modele kulturore me dhunë

“Sa gabime janë bërë në historinë e ungjillëzimit, duke dashur imponimin e një modeli të vetëm kulturor! Nganjëherë, nuk është hequr dorë as nga dhuna për të imponuar një këndvështrim të caktuar. Por kjo është krejt e kundërt me lirinë e krishterë!” Kështu tha Papa Françesku, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, përqendruar në komentin e Letrës së Shën Palit drejtuar Galatasve.

R.SH. - Vatikan

Mendimi i Shën Palit apostull për lirinë e të krishterëve e për mënyrën e përdorimit të saj ishte në qendër të audiencës së sotme të përgjithshme, gjatë së cilës, Papa Françesku vijoi të reflektojë mbi Letrën drejtuar Galatasve.

Liria e Krishtit na bën të respektojmë çdo kulturë

Fakti, që liria është dhuratë dashurie e Zotit për çdo njeri, duhet ta nxisë të krishterin të mirëpresë çdo popull e çdo kulturë. Siç thotë shën Pali, nuk ka më rëndësi nëse je judeas a pagan, por ka rëndësi “feja, që vihet në veprim përmes dashurisë” (Gal 5,6). Apostulli i Popujve u kritikua shumë për këto pikpamje, u akuzua si oportunist, që kërkonte t’u pëlqente të gjithëve, por ai u përgjigj qartë se nuk kërkonte konsensusin e njerëzve, por të Zotit. Për të, të pranosh fenë e Krishtit, do të thotë të heqësh dorë nga pengesat kundër Ungjillit, por jo nga kulturat e traditat e popujve.

“Sepse liria e fituar nga vdekja dhe ringjallja e Zotit tonë Jezu Krisht nuk hyn në konflikt me kulturat, me traditat që kemi marrë, përkundrazi, sharton në to - në to, pra, në këto kultura e tradita - një liri të re, një risi çliruese, atë të Ungjillit. Liria e marrë me Pagëzimin, në të vërtetë, na jep mundësinë të fitojmë dinjitetin e plotë të Bijve të Zotit, në mënyrë që, ndërsa qëndrojmë të ngulur mirë në rrënjët tona kulturore, njëkohësisht, t'ia hapim zemrën universalitetit të fesë, që hyn në çdo kulturë, i njeh asaj farat e së vërtetës dhe i zhvillon më tej, duke e plotësuar të mirën, që përmbajnë”.

Papa, në audiencën e përgjithshme
Papa, në audiencën e përgjithshme

Inkulturimi i Ungjillit përmes traditave të popujve

Në thirrjen e krishterë për liri, vijoi më tej reflektimin Papa Françesku, zbulojmë kuptimin e vërtetë të inkulturimit të Ungjillit, i cili i respekton kulturat. Nuk është e lehtë, pranoi Ati i Shenjtë, sepse tundohemi të imponojmë modele të caktuara jetese, sikur vetëm ato të ishin të zhvilluara e të vlefshme. Por inkulturim i Ungjillit, nguli këmbë Papa, do të thotë të flasësh për Krishtin, duke përdorur kulturën e atij populli e përmes saj.

“Sa gabime janë bërë në historinë e ungjillëzimit, duke dashur imponimin e një modeli të vetëm kulturor! Uniformiteti! E kjo - uniformiteti si rregull jete - nuk është e krishterë. Uniteti po, uniformiteti jo! Nganjëherë, nuk është hequr dorë as nga dhuna për të imponuar një këndvështrim të caktuar. Le të mendojmë për luftërat, apo jo? Në këtë mënyrë, është privuar Kisha nga pasuria e shumë shprehjeve lokale, që bartin traditat kulturore të popullsive të tëra. Por kjo – ngriti zërin Ati i Shenjtë – është krejt e kundërt me lirinë e krishterë!”

Papa, në audiencën e përgjithshme
Papa, në audiencën e përgjithshme

Gjuhë e re për të folur mbi Krishtin

Françesku përmendi si shembull pozitiv përhapjen e krishtërimit në Kinë e në Indi nga puna e atë Ricci-t e atë De Nobili-t me popullsitë vendase. Vizioni i Shën Palit, vërejti më tej Papa, është i shndritur nga misteri i Krishtit, prej të cilit rrjedh edhe “respekti për prejardhjen kulturore të çdo njeriu”, pa e kufizuar shprehjen e tij vetëm në hapësirën e kulturës mbizotëruese. Ky është qëndrim katolik, nënvizoi Françesku, i cili vuri qartë në dukje se Kisha Katolike nuk është ndonjë realitet sociologjik, për të na dalluar nga të krishterët e tjerë; katolik është mbiemër, që do të thotë universal, pra, në gjendje të mirëpresë çdo popull e kulturë.

Nga ana tjetër, theksoi Ati i Shenjtë, kultura, për natyrën e saj, është në transformim të vazhdueshëm. Edhe ky që po jetojmë, pohoi Papa, është çast historik ndryshimesh të mëdha kulturore, ku teknologjia duket si mbizotëruese. Na duhet një gjuhë e re për të folur mbi Krishtin, theksoi ai.

“Nëse do të pretendonim të flasim për fenë siç bëhej në shekujt e kaluar, ka rrezik të mos kuptohemi nga brezat e rinj. Liria e fesë së krishterë - liria e krishterë - nuk përcakton ndonjë vizion statik e të palëvizshëm të jetës e të kulturës, por dinamik; një vizion dinamik edhe të traditës, e cila zhvillohet e zhvillohet, por gjithnjë me të njëjtën natyrë. Prandaj, të mos pretendojmë se jemi zotër të lirisë”.

Ajo, përfundoi Papa reflektimin e tij, është dhuratë për t’u ruajtur. E i kërkon secilit të jetë shtegtar, të ecë vazhdimisht përpara, në një eksod të vazhdueshëm: të çliruar nga skllavëria për të ecur drejt lirisë së plotë. Kjo është dhurata e madhe, që na ka bërë Jezu Krishti.

13 tetor 2021, 10:20

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >