Kërko

Lutje me të varfrit Lutje me të varfrit

Papa do të takohet me të varfrit në Asizi, më 12 nëntor

Për Françeskun do të jetë një vizitë private, do të ketë çaste për të dëgjuar e për t’u lutur me rreth 500 vetë nga e gjithë Evropa, në përgatitje të Ditës Botërore të të Varfërve, më 14 nëntor

R.SH. - Vatikan

Një përqafim, një lutje, një çast dëgjimi me të varfërit. Kjo do ta karakterizojë vizitën e Papës në Asizi, më 12 nëntor. Ati i Shenjtë do të shkojë në përgatitje të edicionit të pestë të Ditës Botërore të të Varfërve, themeluar nga Françesku për të sensibilizuar popullsinë globale që ta dëgjojë thirrjen e të varfërve dhe të nevojtarëve, planifikuar për të dielën, 14 nëntor me temën e Ungjillit sipas Markut: “Të varfrit i keni gjithmonë me vete”.

Në komunikatën për shtyp, Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri shpjegon se Papa do të shkojë në formë private në Asizi, ku do të lutet në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve. Po privatisht, do të takohet me një grup prej 500 të varfërish nga anë të ndryshme të Evropës dhe ai do të kalojë disa orë me ta, duke i dëgjuar e duke u lutur së bashku.

Do të jetë hera e pestë që Papa Françesku do të shkojë në zemrën e krishtërimit françeskan, pas vizitës së tij të parë baritore, më 4 tetor 2013, si edhe ato pasuese më 4 gusht 2016, në 800-vjetorin e Faljes së Asizit, më 20 shtator të të njëjtit vit për Ditën Botërore të Lutjes për Paqen dhe, së fundi, më 3 tetor 2020 për nënshkrimin e enciklikës “Fratelli tutti”.

15 tetor 2021, 16:17