Kërko

Libi: Papa, dëgjoj britmat e emigrantëve, aty ku ka kampe tё vërteta të përqendrimit

Në sheshin e Shën Pjetrit, në fund të lutjes sё Engjëllit Tёnzot, Papa Françesku denoncoi kushtet çnjerëzore në të cilat ndodhen mijëra refugjatë dhe azilkërkues në vendin e Afrikës Veriore. Thirrja drejtuar komunitetit ndërkombëtar për t'i dhënë përparësi shpëtimit të jetëve njerёzore në det dhe pёr garantimin e rrugëve të rregullta të migrimit dhe aksesin në procedurat e azilit: "T'i jepet fund kthimit të emigrantëve në vende të pasigurta".

R.SH. - Vatikan

Në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në përfundim të lutjes sё Engjëllit Tёnzot, Papa Françesku denoncoi kushtet çnjerëzore në të cilat ndodhen mijëra refugjatë dhe azilkërkues në vendin e Afrikës Veriore, Libi. Pastaj i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për t'i dhënë përparësi shpëtimit të jetëve njerёzore në det dhe pёr të garantuar rrugë të rregullta të migrimit dhe akses në procedurat e azilit: "T'i jepet fund kthimit të emigrantëve në vende të pasigurta".

"U shpreh afërsinë time mijëra emigrantëve, refugjatëve dhe të tjerëve që kanë nevojë për mbrojtje në Libi. Nuk ju harroj kurrë. I dëgjoj britmat tuaja dhe lutem për ju". Ky është apeli i fortë i Papёs Françeskut në përfundim të lutjes sё Engjëllit Tёnzot për migrantët e kthyer në Libi dhe të mbyllur në burgje. Papa nënvizoi "dhunën çnjerëzore" së cilës ata i nënshtrohen dhe praninë e "kampeve të vërteta të përqendrimit" në vendin e Afrikës Veriore . Ati i Shenjtё Bergolgio kërkoi të lutemi në heshtje për “këta vëllezër e motra tona” dhe i kërkoi me forcë komunitetit ndërkombëtar që t’i mbajë premtimet nё mbështetje tё emigrantёve dhe tё mё të varfërve.

“Shumë prej këtyre burrave, grave dhe fëmijëve i nënshtrohen dhunës çnjerëzore ", tha akoma Papa Françesku. "Edhe një herë i kërkoj komunitetit ndërkombëtar t’i mbajë premtimet për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta konkrete dhe të qëndrueshme për menaxhimin e flukseve migratore në Libi dhe në të gjithë Mesdheun. E pёr shumë njerёz qё vuajnë pse kthehen ... atje ku ka kampe të vërteta përqendrimi ... ".

Prandaj sipas Papёs “ёshtë e nevojshme t'i jepet fund kthimit të emigrantëve në vende të pasigurta dhe t'i jepet përparësi shpëtimit të jetëve njerëzore në det me mjete shpëtimi dhe zbarkim të parashikueshëm, për t'u garantuar atyre kushte jetese dinjitoze, alternativa të vendstrehimeve të pasigurta, rrugë të rregullta migrimi dhe akses në procedurat e azilit”.

"Duhet të ndihemi të gjithë përgjegjës për këta vëllezërit dhe motrat tona që për shumë vite kanë qenë viktima të kësaj situate tejet tё rёndё. E të lutemi së bashku me ta në heshtje ...".

24 tetor 2021, 14:03