Kërko

2021.10.20 Udienza Generale 2021.10.20 Udienza Generale

Françesku: jemi të lirë, jo secili për vete, por në shërbim të së mirës së përbashkët

Në audiencën e përgjithshme, në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa shpjegoi konceptin e lirisë sipas fesë së krishterë: ajo nuk është liri vetëm për vete, larg të tjerëve, që mund të na japin “bezdi”, por ka të bëjë me lirinë e gjithë bashkësisë e me shërbimin e dashurisë për të tjerët

R.SH. - Vatikan

Liria nuk është thjesht individuale, plotësim i dëshirave egoiste, pa pyetur për të tjerët. Përkundrazi, liria e vërtetë është shërbim për të tjerët e dashuri për ta. Këtë nënvizoi sot Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI, në Vatikan, gjatë së cilës vijoi katekizmin mbi Letrën e Shën Palit apostull drejtuar Galatasve. Të pranishëm ishim edhe ne, redaksia e programit shqip të Radio Vatikanit, së bashku me bashkëpunëtorët nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, për të kremtuar 70-vjetorin e sapofestuar të këtij programi (3 tetor), së bashku me Atin e Shenjtë. Në fund të audiencës, Papa kaloi për të na përshëndetur e për të na bekuar një nga një.

Ekipi i programit shqip dhe bashkëpunëtorët e Radio Vatikanit në audiencën e përgjithshme me Papën
Ekipi i programit shqip dhe bashkëpunëtorët e Radio Vatikanit në audiencën e përgjithshme me Papën

Nuk ka liri pa dashuri

Në Letrën drejtuar Galatasve, theksoi Ati i Shenjtë gjatë katekezës së tij, shën Pali apostull flet për “jetën e re”, që çdo i krishterë e merr përmes Pagëzimit, duke u bërë bir i Zotit. Kalohet kështu nga një fe rregullash, në fenë e gjallë, e cila e ka qendrën në bashkimin me Zotin e me vëllezërit, pra, në dashurinë, që na bashkon. Secilin prej nesh, Zoti e ka krijuar të lirë, pohoi Françesku, por, pikërisht për shkak të këtij parimi të dashurisë, “jemi të lirë të shërbejmë, jo të bëjmë ç’të duam”.

“Nuk ka liri pa dashuri. Liria egoiste për të bërë gjithçka duam nuk është liri, sepse i referohet vetvetes, nuk është frytdhënëse. Përmes dashurisë: - komentoi Papa fjalët e Shën Palit - është dashuria e Krishtit, që na ka çliruar e, është akoma dashuria ajo, që na çliron nga skllavëria më e keqe, nga ajo e egos sonë; prandaj liria shtohet në dashuri. Por, kujdes: jo me dashurinë intimistike, me dashurinë si në telenovela, jo me pasionin, që thjesht kërkon çka na shkon e na pëlqen; jo me këto, por me dashurinë, që e shohim në Krishtin, me bamirësinë: kjo është dashuria vërtet e lirë dhe çliruese”.

Ekipi i programit shqip dhe bashkëpunëtorët e Radio Vatikanit në audiencën e përgjithshme me Papën
Ekipi i programit shqip dhe bashkëpunëtorët e Radio Vatikanit në audiencën e përgjithshme me Papën

Liria e frymëzuar nga dashuria, çon drejt të varfërve

Kur ndjek instinktin, vërejti Ati i Shenjtë, ndien boshllëk në shpirt, pasi e përdor keq thesarin e lirisë personale. Do të ishte një lloj “lirie si në cirk”. Jo gjithçka është e ligjshme, pavarësisht se jemi të lirë ta bëjmë e sidomos, jo gjithçka sjell dobi, prandaj ushtrimi i lirisë, duhet t’i ketë parasysh këto kufij. Shën Pali na vë përpara kërkesës së dashurisë.

“Liria e udhëhequr nga dashuria është e vetmja, që i bën të lirë të tjerët dhe vetveten, që di të dëgjojë pa u imponuar, që di të bëjë mirë pa detyruar, që është konstruktive e nuk shkatërron, që nuk i shfrytëzon të tjerët për interes dhe u bën mirë pa kërkuar përfitim personal. Pra, nëse liria nuk është në shërbim – kjo është prova – nëse liria nuk është në shërbim të së mirës, ka rrezik të bëhet e shterpët e të mos sjellë fryte. Nëse liria nuk është në shërbim të së mirës, nuk sjell fryte. Përkundrazi, liria e frymëzuar nga dashuria na çon drejt të varfërve, duke parë në fytyrat e tyre atë të Krishtit”.

 Shën Pali, duke folur për lirinë që i dhanë apostujt e tjerë për të ungjillëzuar popujt, nënvizon se ata e këshilluan vetëm për një gjë: të kujtohej për të varfërit. Pra, liria e predikatarit, duhet të jetë në shërbim të të tjerëve.

Përmasa komunitare

Ati i Shenjtë vuri në dukje përmasën komunitare e jo individualiste të lirisë, e cila duhet rizbuluar sidomos në këtë periudhë historike, që po kalon njerëzizmi:

“Ndërkaq, dimë se një nga konceptimet moderne më të përhapura për lirinë është kjo: ‘liria ime përfundon ku fillon e jotja’. Por këtu, mungojnë marrëdhëniet! Është këndvështrim individualist. Ndërsa, kush ka marrë dhuratën e çlirimit nga ana e Jezusit nuk mund të mendojë se liri do të thotë të rrimë larg njëri-tjetrit, duke i konsideruar të tjerët si të bezdisshëm, nuk mund ta shohë njeriun si të mbyllur në vetvete, por gjithnjë si pjestar të një bashkësie. Përmasa shoqërore është themelore për të krishterët dhe u jep mundësinë atyre të shohin të mirën e përbashkët e jo interesin privat”.

Këtë mësim, nënvizoi Françesku, na e dha edhe pandemia: të tjerët nuk e pengojnë lirinë time, por më japin mundësinë ta realizoj atë plotësisht, “sepse liria jonë lind nga dashuria e Zotit dhe shtohet në dashuri”.

Një fëmijë i afrohet Papës

Gjatë audiencës së përgjithshme, edhe një episod i këndshëm: një fëmijë vrapoi nga salla për t’iu afruar Papës, i cili i foli, e mbajti afër dhe i dha edhe kësulën e tij të bardhë papnore. Madje, i kërkoi regjentit të Prefekturës së Shtëpisë Papnore, imzot Leonardo Sapienza-s, t’i jepte karrigen e tij. Në zemrën e Atit të Shenjtë, gjesti fëminor bëri të jehonin fjalët e Jezu Krishtit: “Nëse nuk do të bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e Qiellit”. Papa e falënderoi djalin e vogël, që u mësoi të gjithëve guximin për t’iu afruar Zotit.

20 tetor 2021, 12:25

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >