Kërko

Papa. Thirrje për Etiopinë: qoftë koha e solidaritetit

Gjatë përshëndetjeve drejtuar grupeve të pranishme në audiencën e përgjithshme, Françesku u ndalua posaçërisht tek situata e rëndë humanitare në Etiopi. Kujtoi edhe festën e Virgen del Cobre, Pajtore e Kubës. Një mendim edhe për lumnimin e kardinalit Wyszyński si dhe për rikthimin e të rinjve në shkollë: të jeni protagonistë të një bote më të mirë - i porositi

R.SH. - Vatikan

E shpjegoi me dy fjalë situatën në Etiopi Françesku: “Situatë e rëndë  humanitare”. Por në këto fjalë ishte një univers mizorie - e edhe dhimbja e tij e thellë. Për shumë analistë, kjo që po ndodh në Etiopi është  shpërbërje e një Vendi, ku vlon lufta vëllavrasëse ndërmjet forcave qeveritare e milicive të Frontit popullor për çlirimin  e Tigray, që synojnë Adis Abebën. Kjo, pra, e edhe lajmet e vrasjeve, dhunimeve, poshtërimeve, përdorimit të të gjitha llojeve të dhunës, e shqetëson pa masë Françeskun:

“Më 11 shtatorin e ardhshëm në Etiopi do të kremtohet Viti i Ri. I drejtoj popullit etiop përshëndetjen time më të përzemërt, në mënyrë të posaçme atyre që vuajnë për shkak të konfliktit në vijim e të situatës së rëndë humanitare, pasojë  e tij. Uroj që kjo të jetë kohë vëllazërimi e solidariteti, në të cilën do të plotësoshet dëshira e përbashkët e paqes”.

Lutem për realizmin e ëndrave të kubanëve

Lutem për realizimin e ëndrave të kubanëve! Kështu i mbylli Papa përshëndetjet drejtuar grupeve të ndryshme gjuhësore, duke kujtuar festën  e sotme të Emrit të Marisë e, posaçërisht, atë të Zojës së Caridad del Cobre, Pajtore e Kubës. Mendimi i Papës shkoi te shenjtorja kubane  e  Virgen, të cilën e vizitoi gjatë shtegtimit të tij në Ishullin karaibik, në shtator 2015. Shtegtim që, në ditën kur kubanët kujtojnë Nënën e tyre, e nxiti Françeskun të paraqesë tek këmbët e Saj “ëndrrat, shpresat e dhimbjet e popullit kuban”:

“Kudo gjindet ndonjë kuban sot - uroi Papa - provoftë dashurinë e Marisë e Zoja e Kobres ju priftë të gjithëve te Jezu Krishti”.

Wyszyński, hero i shpresës

Papa nuk harroi as besimtarët polakë, të cilëve u drejtoi një përshëndetje të veçantë. Të dielën e ardhshme - pas pritjes njëvjeçare për shkak të pandemisë - do të lartohet në nderimet e altarit Stefan Wyszyński - kujtoi, për të cituar, më pas, disa nga “fjalët historike” shqiptuar për të një ditë,  nga Gjon Pali II:

“Mbi fronin e Shën Pjetrit nuk do të ulej ky Papë polak, po të mos kish qenë feja jote, që nuk u përkul para burgut as vuajtjes, shpresa jote heroike,  besimi yt deri në fund të fundit në Nënën e Kishës”.

Në vijim uroi që testamenti shpirtëror i Primatit të Mijëveçarit, i cili  “ia besoi gjithçka Marisë, e edhe besimi i nënës Elizabeta Rosa Czacka – shtoi. – të jenë gjithnjë forca e kombit tuaj”.

Të rinj, studioni, për ta përmirësuar botën!

Papa nuk e harroi as botën e studentëve, që po kthehen këto ditë në shkollë:

“Të dashur të rinj - u tha - uroj që ky vit akademik të jetë rast për zhvillimin tuaj kulturor e për  thellimin e lidhjeve të miqësisë!”. E më pas, shtoi:

“Ju djem, të rinj, studentë e mësues, që këto ditë po riktheheni në shkollë:  uroj që Zoti t’ju ndihmojë ta  ruani fenë e ta kultivoni shkencën, për t’u bërë protagonistë të një ardhmërie më të mirë, në të cilën njerëzimi të mund të gëzojë paqen, vëllazërimin e  prehjen”.

08 shtator 2021, 14:05

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >