Kërko

Papa Françesku: shërimi i zemrës nis nga dëgjimi

Të shtyrë nga nxitimi, nga mijëra sende që duam të themi e të bëjmë, nuk gjejmë kohë as për ta dëgjuar njeriun që na flet. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së parë të shtatorit, Papa u ndalua tek shërimi i shurdhmemecit, treguar në Ungjillin e Shën Markut. Më pas u lut për popullin afgan, për popullsitë e SHBA-ve, dëmtuar rëndë nga urgani dhe kujtoi shtegtimin e tij të afërt në Hungari e Sllovaki.

R.SH. - Vatikan

Sheshi i Shën Pjetrit, përplot me besimtarë e turistë, ardhur nga të katër anët e Italisë e të botës, të krijon përshtypjen se pandemia ka marrë fund. Ndonëse të gjithë e dinë se nuk është ashtu. Ia kujton green pass-i, që kanë në xhepa. Ndaj ruajnë distancat, siç porosit vazhdimisht edhe vetë Papa, që duket sakaq në dritaren e Bibliotekës, për lutjen e mesditës.

Pas përshëndetjes së parë, Papa Françesku nis e shfleton faqen ungjillore të së dielës së sotme, që prek një tast shumë të ndjeshëm për zemrën njerëzore. Ungjilli i liturgjisë së sotme – u kujton besimtarëve - na e paraqet Jezusin duke shëruar një shurdhmemec. Në këtë rrëfim, çka të prek më shumë, është  mënyra sesi Zoti e kryen këtë mrekulli. E merr shurdhmemecin mënjanë, ia vë duart përmbi veshë e ia prek gjuhën me pështymën e Tij. Larton, pastaj, sytë drejt qiellit e thotë një fjalë të vetme: “Effatà”, domethënë “Hapu!”. Kjo, skena e ngjarjes, me të cilën e nis Papa përshkrimin e mrekullisë, që ndryshon nga të tjerat. Në rastin e shërimeve të tjera, për gjymtime po kaq të rënda, si paraliza ose gërbula, Jezusi nuk bën shumë gjeste. Atëhere pse tani e bën gjithë këtë, ndonëse i kërkojnë vetëm ta prekë të sëmurin? - pyeti Papa:

“Ndoshta - kujtoi në vijim - sepse gjendja e këtij njeriu ka vlerë të posaçme simbolike, domethënë ka diçka të veçantë për të na thënë ne të gjithëve. Po për çfarë flitet? Për shurdhëri! Ky njeri nuk mund të fliste, sepse nuk mund të dëgjonte. Jezusi, për të shëruar shkakun e sëmundjes së tij, ia vë gishtat ndër veshë”.

 Shurdhëria shpirtërore, më e keqe se ajo fizike

Të gjithë kemi veshë, po shpesh nuk arrijmë të dëgjojmë. Sepse kemi shurdhëri shpirtërore, të cilën mund t’i kërkojmë Jezusit të na e shërojë. E shurdhëria shpirtërore - kujtoi Papa - është më e keqe se ajo fizike, sepse shurdhëri e zemrës. Të shtyrë nga nxitimi, nga mijëra sende që duam të themi e të bëjmë, nuk gjejmë kohë as për ta dëgjuar njeriun që na flet. Rrezikohemi të bëhemi të papërshkueshëm nga gjithçka e të mos ia vëmë fare veshin atij, që ka nevojë të dëgjohet – vijoi Papa - e shtoi:

“Mendoj për fëmijët, të rinjtë, pleqtë, për njerëz që nuk kanë aq nevojë për fjalë e predikime, por për dëgjim. Ta pyesim veten: sa ia vë veshin të tjerëve? A prekem nga jeta e të tjerëve? Di t’ia kushtoj kohën njeriut që kam pranë?”.

E, pas këtyre pyetjeve retorike, meditimi: të mendojmë për jetën në familje: sa e sa herë flitet, pa marrë mundimin të dëgjojmë një herë e duke përsëritur të njëjtat refrene, gjithnjë të njëllojta. Të paaftë për të dëgjuar, themi gjithnjë të njëjtat llafe:

“Rilindja e dialogut shpesh nuk kalon nga fjalët, por nga heshtja, nuk kalon nga bllokimi, por nga  rifillimi me durim i dëgjimit të tjetrit, i trazirave të tij, që i mbart brenda vetes. Shërimi i zemrave të plasura nis nga dëgjimi” - theksoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Jezusi na kërkon të dëgjojmë

E njëjta gjë vlen edhe për Zotin. Bëjmë mirë ta sulmojmë me kërkesa, por edhe më mirë të rrimë e ta dëgjojmë. Na e kërkon vetë Jezusi. Në Ungjill, kur e pyesin cili është urdhërimi i parë, përgjigjet: “Dëgjo, o Izrael” Pastaj shton:

“Do ta duash Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër[…] e të afërmin, si vetveten (Mk 12, 28-31) Por sidomos thotë ‘Dëgjo’”.

A do të kujtohemi t’ia vëmë veshin Zotit?

“Jemi të krishterë por ndoshta, ndërmjet mijëra fjalëve që dëgjojmë çdo ditë, nuk gjejmë as një sekond që të na jehojnë në shpirt pak fjalë të Ungjillit. Jezusi është Fjala! Nëse nuk ndalohemi ta dëgjojmë, kalon tutje”.

Por, nëse do t’i kushtojmë kohën e duhur Ungjillit, do të gjejmë sekretin për jetën tonë shpirtërore:

Ja ilaçi: çdo ditë pakëz heshtje e dëgjim, ndonjë fjalë të panevojshme më pak e ndonjë Fjalë të Zotit më shumë. E ndjejmë se na drejtohet edhe sot, si ditën e Pagëzimit, fjala e Jezusit: “Effatà, hapu!”:

“Jezus - ishte lutja prekëse e Papës - dëshiroj ta hap zemrën për Fjalën Tënde. M’i hap veshë e zemër për ta dëgjuar këtë Fjalë. Shëroma zemrën nga mbyllja, nga nxitimi, nga padurimi!”.

Këto fjalët e fundit të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, që Papa e përfundoi, si zakonisht, me lutjen drejtuar Zojës së Bekuar:

“Virgjëra Mari, gjithnjë në dëgjim të Fjalës që në Të bëhej korp, na ndihmoftë çdo ditë ta dëgjojmë Birin e Saj në Ungjill e vëllezërit e motrat me zemër të butë, të përvujtë, të vëmendshme!”.

05 shtator 2021, 09:44

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >