Kërko

Papa ndërmjet hebrenjve sllovakë: blasfemia më e keqe, të përdorësh emrin e Zotit për akte çnjerëzore

Papa Françesku sot “shtegtar” në Sheshin Rybné námestie, ku naltohet memoriali i Shoah. Fjalimi, mbajtur me këtë rast, ishte britmë dhimbjeje lartuar drejt qiellit për tmerret e jetuara nga mijëra hebrenj sllovakë. E edhe thirrje: “Të angazhohemi, që të mos dhunohet kurrë më fytyra e Zotit në krijesën njerëzore”. Më pas, urimi: “Në mes të gjithë këtyre sherreve, të cilat e ndotin botën tonë, jini gjithnjë dëshmitarë të paqes”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku hyri kokulur, duke ecur me çap të ngadaltë, në Sheshin 'Rybné námestie' të Bratislavës. Vend historie e kujtimi për mbarë Sllovakinë; vend dhimbjeje për bashkësinë hebraike që këtu, përballë Memorialit prej bronzi, nën hijen e thirrjes ”Zachor”(në hebraisht “kujto!”)  qan të dashurit  e zhdukur pa shenjë pa dukë nga furia e çmendur naziste. Kësaj bashkësie  të përgjysmuar pas Luftës II Botërore, Papa iu paraqit si “shtegtar i ardhur” për të prekur këtë vend e edhe për t’u prekur”. Prej këtu lartoi britmën që të mos përsëritet kurrë më “fyerja e fytyrës së Zotit në krijesën njerëzore” me aktet çnjerëzore, që vijojnë të kryhen edhe sot e kësaj dite kundër njeriut!

Pasi kujtoi të kaluarën, Papa u ndalua tek ardhmja, në fjalimin e mbajtur, pas përshëndedtjes së mirëseardhjes të Kryetarit të Bashkimit Qëndror të Bashkësisë Fetare Hebraike të Republikës Sllovake dhe dy dëshmive të një të mbijetuari e një murgeshe.

Ishte “Takim vëllazëror prekës”, ky i Papës me bashkësinë hebraike, pikërisht në këto troje, në shekuj pjesë e lagjes së saj. Këtu - kujtoi Papa - edhe arkitektura flet për bashkëjetesën ndërmjet dy bashkësive, simbol i rrallë i unitetit në emër të Zotit të etërve tanë. E më pas  foli edhe për  marrëzinë naziste të urrejtjes, kur urdhërimi “Mos e merr emrin e Tënzot nëpër gojë kot!” u përdor për qëllime të padenja e dinjiteti i njeriut u shkel mizorisht. Shumëkush deklaroi asokohe” “Zoti është me ne!”, ndërsa nuk ishte fare me Zotin!

Histori dhimbjesh

Ishte historia e dhimbjeve, ajo që kujtoi Papa në këtë takim me hebrenjtë, përballë Memorialit të Shoah; e së kaluarës, por edhe, e sidomos, e ardhmërisë. Kohë, në të cilën nuk mund të errësohet më figura e Zotit, që shkëlqen në njeriun!

“Ta ndihmojmë për këtë njëri-tjetrin - ftoi - sepse edhe sot nuk mungojnë idhujt e kotë e të rremë, të cilët e fyejnë emrin e të Tejetlartit. Janë idhujt e pushtetit e të parasë, që kërkojnë të dalin mbi dinjitetin e njeriut; idhujt e indiferencës, që e kthen kokën nga ana tjetër; të manipulimeve, që e shpërdorojnë fenë, duke e bërë çështje supermacie a duke e nëpërkëmbur, si të ishte pa kurrfarë vlere”.

E akoma, harresa e së kaluarës, padija, që përligj gjithçka, zemërimi e urrejtja: “Të jemi të bashkuar  - bëri thirrje Papa -  në dënimin e çdo dhune, të çdo forme të antisemitizmit, e në angazhimin që të mos dhunohet kurrë më Zoti në krijesën njerëzore”.

Këtu shndriti drita e shpresës

Françesku citoi, më pas, Talmudin “Kush rrënon një njeri të vetëm, rrënon mbarë botën”. Secili vlen – kujtoi - duke falënderuar për portat e hapura nga të dyja palët: simbol për botën sotme, “që ka nevojë pikërisht për porta të hapura”.

Dritë, pas hijeve, në fjalët që shqiptoi më pas Papa. Ky shesh - kujtoi - është edhe vend ku shndrit drita e shpresës. Këtu vini çdo vit për të ndezur dritën e parë mbi shandanin e Chanukia-s. Kështu, në errësirë, duket mesazhi, që na kujton se fjalën e fundit nuk do ta kenë shkatërrimi e vdekja, por përtëritja e jeta!

E, duke kujtuar akoma sinagogën e rrënuar nga tërbimi i njerëzve, që nuk e njohin Zotin, pohoi: Sinagoga u shemb, por bashkësia është akoma e pranishme. E gjallë dhe gati për dialog. E këtu historitë tona takohen përsëri. Këtu, së bashku, pohojmë para Zotit dëshirën për të vijuar udhën e afrimit e të miqësisë: “Bota ka nevojë për porta të hapura - theksoi Papa - Janë shenja bekimi për njerëzimin… Bekimi i Tejetlartit  reshet mbi ne, kur shikon një familje vëllezërish, që respektohen, që duhen, që bashkëpunojnë”.

Kjo thirrja drejtuar hebrenjve nga Papa, në mbyllje të fjalimit me fjalë bekimi: “Ju bekoftë i Gjithëpushtetshmi, që në mes të gjithë këtyre sherreve, të cilat e ndotin botën tonë, të mund të jeni gjithnjë, së bashku, dëshmitarë të paqes”. Shalom!

13 shtator 2021, 16:08