Kërko

2021.09.19 Angelus 2021.09.19 Angelus

Papa: shërbeji të pastrehit, pa kërkuar interesin personal

Para syve të Zotit vlera e njeriut nuk matet me rolin që luan, me suksesin, me llogarinë në bankë, po me shërbimin. Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, rikujton se shërbimi nuk është aspak i lehtë, kërkon lodhje e shpesh “ka peshën e kryqit”. Por të afron me Zotin. E çka vlen me të vërtetë, është t’i mirëpresësh të varfërit, të vegjlit, ata që nuk kanë me se të ta shpërblejnë.

R. SH. - Vatikan 

Nën diellin e vakët të fundverës, që ngroh, pa përvëluar, një turmë  gjithnjë më e madhe pret, me kokën e ngritur drejt dritares së Engjëllit, lutjen dhe bekimin papnor e së dielës. Pret, e më pas shpërthen në duartrokitje: Papa duket në dritare. Nis lutja, si zakonisht, kushtuar liturgjisë të së dielës, që sot prek një nga nervat aktuale për të gjitha kohët: “Kush është më i madh në këtë botë - ku bredh tundimi i shumëkujt për të qenë më i madhi?”.  E deri dishepujt e Krishtit, në faqen e sotme ungjillore, diskutojnë pikërisht për këtë: “Kush prej tyre është, a do të jetë më i madhi?”:

“Përgjigjja e Jezusit është tejet e fortë, me vlerë shumë të madhe edhe për sot: ‘Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve’”.

Me këtë frazë lapidare, Zoti i përmbys kriteret, që  rreken të na tregojnë çka vlen me të vërtetë!

Nga se varet vlera e njeriut?

“Nga se varet vlera e njeriut?”. E “Kush është më i madhi?”. Këto pyetje, që vijojnë të bëhen nga njerëzimi në shekuj, i përsëriti sot Papa. Duke shpjeguar se:

“Vlera e njeriut nuk varet më nga roli që luan. Nga suksesi që ka. Nga puna që bën. Nga paratë në bankë; jo! Zoti i mat me një kut tjetër madhështinë e suksesin: me kutin  e shërbimit. Nuk mat Zoti çka ke, po çka jep. Dëshiron të prish? Shërbe!”.

Jemi në jetë për të shërbyer, jo për t’u shërbyer

Sot fjalës shërbim duket sikur i ka dalë boja! Duket si të ishte jashtë përdorimi. Po në Ungjill vijon të ketë një kuptim të saktë e konkret. Të shërbesh nuk është shprehje mirësjelljeje, është të bësh si Jezusi i cili,  duke e përmbledhur me dy fjalë gjithë jetën e vet, u kujtoi njerëzve se kishte ardhur për të shërbyer, jo për t’u shërbyer.

Gjithnjë më të ngjashëm me Krishtin

Besnikëria jonë ndaj Zotit varet nga gatishmëria për të shërbyer. Shërbim që kushton tepër shtrenjt! “Sa kryqi”. Por ndërsa rriten kujdesi e gatishmëria jonë ndaj të tjerëve, bëhemi gjithnjë më të lirë shpirtërisht, gjithnjë më të ngjashëm me Krishtin! Sa më shumë shërbejmë, aq më shumë e ndjejmë praninë e Zotit! Posaçërisht kur i shërbejmë atij, që nuk ka me se të na e shpërblejë, të varfërve, duke i ndihmuar gjatë vështirësive e nevojave me mëshirë: aty e zbulojmë se Zoti na do e na përqafon edhe ne.

Jezusi, pikërisht për ta konkretizuar këtë, pasi flet për parinë e shërbimit,  bën edhe një gjest. Merr një fëmijë dhe e vë në mes të dishepujve, në qendër, në krye të vendit.

Fëmija, në Ungjill, nuk simbolizon aq pafajninë, sa vogëlsinë. Sepse të vegjlit, si fëmijë që janë, varen nga të tjerët, nga të rriturit,  kanë nevojë të marrin gjithçka prej tyre. Jezusi e rrok këtë fëmijë e na kujton se kush e mirëpret një të mitur, e mirëpret  Atë vetë!

Kujt duhet t’i shërbejmë?

Atëhere lind pyetja: “Kujt duhet t’i shërbejmë?”. Duke vijuar katekizmin e së dielës, Papa  i dha përgjigje edhe kësaj pyetjeje:

“Duhet t’u shërbejmë atyre, që kanë nevojë, por nuk kanë mundësi për të na e shpërblyer shërbimin që u bëmë. Kur u shërbejmë atyre, që flaken skutave, i kemi shërbyer vetë Krishtit. E i shërbejmë vetë Zotit, kur   mirëpresim njeriun e flakur nga radhët e shoqërisë, njeriun e harruar. E si i kemi shërbyer, marrim si shpërblim përqafimin e ngrohtë të Zotit!”.

A interesohem për të harruarin?

Në vijim Papa, duke kujtuar rishtas thirrjen e Ungjillit, i pyeti besimtarët: Unë, që ndjek Jezusin, a interesohem për kë nuk e përfill askush? Apo, ashtu si dishepulli atë ditë, shkoj duke kërkuar të ngjitem në këmbën më të lartë të shkallës? Duke besuar se të shërbesh, do të thotë të prishë! E a i kushtoj pakëz kohë të voglit? Atij, që nuk ka me se të ma kthejë? A merrem me ndokënd, që nuk mund të merret me mua, apo më pëlqen të rri vetëm me farefisin e miqtë e mi?  

Gëzohesh më shumë kur jep, se kur merr!

Në pëfundim, si zakonisht, lutja Zojës:

“Virgjëra Mari, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, na ndihmoftë ta kuptojmë  se të shërbesh, nuk do të thotë të zvogëlohesh, por të rritesh. E se gëzohesh më shumë kur jep, sesa kur merr!”.

 

19 shtator 2021, 12:41

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >