Papa kremton në Sllovaki, Liturgjinë Hynore Bizantine Papa kremton në Sllovaki, Liturgjinë Hynore Bizantine

Papa në Liturgjinë Hyjnore në Sllovaki: kush e ka kryqin në zemër, nuk sheh askënd si armik

Papa Françesku kryesoi në Prešov, për herë të parë në historinë e Sllovakisë, kremtimin e Liturgjisë Hyjnore në ritin bizantin, gjatë së cilës u bëri thirrje besimtarëve “t’i kthejnë sytë” e zemrat kah “Jezusi i kryqëzuar”, që Kryqi i Krishtit të kthehet në gurrë të gjallë jete të re. Kujtoi edhe sa kanë dhënë jetën për Krishtin në vend

R.SH. - Vatikan

Mos e reduktoni kryqin në “simbol politik”, në “shenjë të rëndësisë fetare dhe shoqërore”. Në zemër të Sllovakisë lindore, ku katolikët e riteve latine dhe bizantine kanë jetuar së bashku për shekuj me radhë, Papa iu drejtua me fjalë të fuqishme besimtarëve, në një homeli të përqendruar në kuptimin e thellë të Kryqit të Krishtit. Ati i Shenjtë kryesoi – për herë të parë nga një Papë në Sllovaki – Liturgjinë Hyjnore Bizantine të Shën Gjon Gojartit, në festën e Lartimit të Kryqit, para mijëra sllovakëve të mbledhur para qendrës sportive Mestskà Sportova hala në Prešov, qyteti i tretë i vendit, ku një pllakë përkujtimore kujton vizitën e Shën Gjon Palit II në vitin 1995. Liturgjia u kremtua pjesërisht në sllovakisht e pjesërisht në gjuhën sllave kishtare, ose “paleosllave”, siç quhet këtu. E, duke respektuar përbërjen e popullsisë, pati edhe lutje në gjuhën rutene, ukrainase, hungareze dhe rom. Liturgji e pasur me simbole, si bekimi me trikerion dhe dikerion, qirinj të veçantë. I bukur, edhe çasti i adhurimit të Kryqit mbi tetrapodion, në praninë e një ikone, kopje e Nënës së Zotit të Klokocov-it. Bashkëkremtuan me Papën, kryeipeshkvi metropolit i Prešov, imzot Jan Babjak dhe shumë prelatë të tjerë të ritit latin e bizantin.

Kryqi, “shkandull”, na zbulon “bukurinë e dashurisë së Zotit”

Në homelinë e tij, Papa Françesku përsëriti fjalët e Shën Palit: “Ne shpallim Krishtin e kryqëzuar ...fuqinë dhe urtinë e Zotit”. Kryqi, i cili mund të duket si “shkandull” dhe “marrëzi”, na zbulon “bukurinë e dashurisë së Zotit”: “Kryqi ishte mjet i vdekjes, por u bë burim i jetës”.

Papa vuri në dukje se në Liturgjinë e sotme (14 shtator), rrëfimi i kryqëzimit është marrë nga Ungjilli i Shën Gjonit, i cili ishte personalisht i pranishëm në këmbët e Kryqit. Shën Gjoni, pohoi Ati i Shenjtë, “sheh dhe dëshmon”.

Ç’do të thotë “ta shohim” Kryqin

Pranë Kryqit, Gjoni sheh Jezusin, njeriun e pafajshëm, gjykuar e vrarë. “Në sytë e botës, Kryqi përfaqëson dështimin”. Edhe ne, vërejti Papa, mund ta shikojmë Kryqin sipërfaqësisht, duke mos e kuptuar mesazhin e tij. Në vend të tij, do të dëshironim një krishtërim triumfalist e, kështu, na shpëton nga sytë dashuria e përvuajtur e Jezusit. “Krishterimi pa Kryq”, theksoi Ati i Shenjtë, “është krishterim i kësaj bote”, krejt i shterpët.

Ndërsa Shën Gjoni e sheh pikërisht në Kryq praninë dhe veprën e Zotit, i cili, përmes Kryqit, deshi të hyjë në mjerimin e historisë njerëzore. Kryqi, vijoi Papa Françesku, na tregon se askush nuk është në një situatë kaq të dëshpëruar, sa të mos e gjejë Krishtin në vuajtjet e tij. Duhet të mësohemi ta shohim lavdinë e Kryqit, duke e jetuar atë, duke parë Krishtin e kryqëzuar e duke ia hapur zemrën Atij.

“Nuk numërohen kryqet që kemi: rreth qafës, në shtëpi, në makinë, në xhep. Por nuk duhen gjë, nëse nuk ndalemi për të parë të Kryqëzuarin dhe nuk ia hapim zemrën Atij, nëse nuk e mahnitemi nga varrët e tij të hapura për ne, nëse zemra nuk gufon nga emocioni e nëse nuk derdhim lot para Zotit të plagosur nga dashuria për ne. Nëse nuk e bëjmë këtë, kryqi mbetet një libër i palexuar, të cilit ia dimë mirë titullin dhe autorin, por nuk na e ndryshon jetën. Të mos e reduktojmë kryqin në një objekt përkushtimi, aq më pak në simbol politik, ose në shenjë të rëndësisë fetare dhe shoqërore”.

Dhënia e dëshmisë për Krishtin

Kundrimi i Jezusit në Kryq çon në dëshminë për Të, nënvizoi Papa në homelinë e Liturgjisë Hyjnore bizantine, në Prešov të Sllovakisë. Nëse e bëjmë këtë, fytyra e Jezusit pasqyrohet në tonën: “Tiparet e Tij bëhen tonat, dashuria e Krishtit na e fiton zemrën dhe na shndërron”.

Papa Françesku foli për martirët e historisë së vonë të Sllovakisë, për dëshmitarët e Krishtit gjatë komunizmit. Dëshmia e tyre, nënvizoi, “lindi nga dashuria për Krishtin, të cilin e kishin kundruar gjatë, deri në atë pikë sa t’i përngjanin edhe me vdekjen e tyre”.

Papa nguli këmbë që dëshmia e besimtarëve nuk duhet të jetë si ajo e kësaj bote, ose, edhe më keq, indiferente. “Dëshmitari, që e bart Kryqin në zemrën e tij... nuk e sheh askënd si armik, por i konsideron të gjithë si motra e vëllezër, për të cilët Jezusi flijoi jetën”. Strategjia e vetme për dëshmitarët e Kryqit është “ajo e Mësuesit: dashuria e përvuajtur”.

“Dëshmitari i Kryqit nuk i mban mend padrejtësitë e pësuara në të kaluarën dhe nuk ankohet për të tashmen. Dëshmitari i Kryqit nuk përdor mashtrimin dhe pushtetin e kësaj bote: ai nuk dëshiron ta imponojë veten dhe të vetët, por të japë jetën për të tjerët. Nuk kërkon përfitime për t’u treguar i devotshëm: kjo do të ishte fe me dy fytyra, jo dëshmi e Zotit të kryqëzuar… Nuk pret triumfe në këtë botë, sepse ai e di se dashuria e Krishtit është frytdhënëse në jetën e përditshme dhe i bën të reja nga brenda të gjitha gjërat, si fara e rënë në tokë, e cila vdes dhe jep fryte”.

Ati i Shenjtë u bëri thirrje të krishterëve ta “mbajnë gjallë kujtesën” e dëshmitarëve, që i kanë parë me sytë e tyre. Kujtesën e atyre, që u kanë përçuar fenë, edhe duke flijuar jetën. Të atyre, që kontribuan në ruajtjen e fesë “jo me pushtetin e kësaj bote, por me urtinë e Kryqit; jo me struktura, por me dëshmi”. E së fundi, u kujtoi edhe se “sot, nga heshtja tejet shprehëse e Kryqit, Zoti pyet secilin prej nesh: A dëshiron të jesh dëshmitari im?”

14 shtator 2021, 12:00