Papa: “Jemi të shfajësuar në sajë të Hirit të Tënzot, por lypen edhe veprat”

Papa, në audiencën e përgjithshme: për shën Palin feja ka një vlerë gjithëpërfshirëse. Prek çdo moment dhe çdo aspekt të jetës së besimtarit: nga pagëzimi deri në largimin nga kjo botë, gjithçka është e mbarsur me besimin në vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit, i cili jep shpëtimin. Shfajësimi në sajë tё fesё nёnvizon përparësinë e hirit, që Zoti u ofron atyre që besojnë në Birin e tij, pa asnjë dallim

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku mbajti sot katekizmin, si çdo të mërkurë, gjatë audiencës së përgjithshme, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Shqyrtoi gjithnjë udhën e përshkuar nga Shën Pali apostull dhe mendimin e tij. Ja teksti i plotë:

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

       Në udhëtimin tonë për të kuptuar më mirë mësimin e Shën Palit, sot hasim një temë të vështirë, por të rëndësishme, atë të justifikimit apo të shfajësimit. Çfarë është justifikimi? Ne, nga mëkatarë, jemi bërë të drejtë. Kush na bëri të drejtë? Ky proces ndryshimi është shfajësimi. Para Zotit, jemi të drejtë. Vërtet, kemi mëkatet tona personale, por në thelb jemi të drejtë. Ky është justifikimi. Është diskutuar shumë mbi këtë argument, për të gjetur interpretimin më të përafërt me mendimin e Apostullit dhe, siç ndodh shpesh, ka pasur edhe qëndrime tё kundërta. Në Letrën drejtuar Galatasve, si dhe në atë drejtuar Romakëve, Pali këmbëngul mbi faktin se shfajësimi vjen nga feja në Krishtin. "Por, unë jam i drejtë, sepse i përmbush të gjitha urdhërimet!". Po, por justifikimi nuk vjen prej andej, ai vjen më parë: dikush të shfajësoi, dikush të bëri të drejtë para Zotit. "Po, por jam mëkatar!". Po je i drejtë, por mëkatar, ama në zanafillë je i drejtë. Kush të bëri të drejtë? Jezu Krishti. Ky është justifikimi.

     Çfarë fshihet pas fjalës "shfajësim", e ç'është kaq vendimtare për fenё? Nuk është e lehtë të arrish në një përkufizim shterues, sepse në të gjithë mendimin e Shën Palit mund të themi thjesht se justifikimi është pasojë e "mëshirës së Zotit, që ofron falje" (Katekizmi i Kishës Katolike, n. 1990). Ky është Zoti ynë, kaq i mirë, i mëshirshëm, i durueshëm, plot dhembshuri, i cili vazhdimisht fal, vazhdimisht. Ai fal, e justifikimi është Zoti, që i fal të gjithë në zanafillë, në Krishtin. Mëshira e Zotit që jep faljen!

     Në fakt, përmes vdekjes së Jezusit, - dhe këtë duhet ta nënvizojmë: përmes vdekjes së Jezusit - Zoti e mundi mëkatin dhe na dhuroi përfundimisht faljen dhe shpëtimin. Kështu të justifikuar apo të shfajësuar, mëkatarët mirëpriten nga Zoti dhe pajtohen me Të. Është si një kthim në marrëdhëniet origjinale ndёrmjet Krijuesit dhe krijesës, para se të ndërhynte mosbindja e mëkatit. Prandaj, shfajësimi që na jep Zoti, na mundëson të rifitojmë pafajësinë e humbur nga mëkati. Si ndodh shfajësimi? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje do të thotë të zbulojmë një risi tjetër në mësimin e Shën Palit: justifikimi ndodh me anë të hirit. Vetëm me anë të hirit: ne jemi shfajësuar prej hirit e vetëm prej tij. "Po a s'mundem, siç bën dikush, të shkoj te gjykatësi dhe të paguaj për të më dhënë drejtësi?". Jo, për këtë s'mund të paguajmë, ka paguar një person për të gjithë ne: Krishti. E nga Krishti, që vdiq për ne, vjen ai hir, që Ati u jep të gjithëve: shfajësimi ndodh me anë të hirit.

        Apostulli gjithmonë e ka ndër mend përvojën, që i ndryshoi jetën: takimin me Jezusin e ngjallur në rrugën e Damaskut. Pali ishte njeri krenar, fetar dhe i zellshëm, i bindur se drejtësia konsistonte në respektimin skrupuloz të urdhërimeve. Tani, Krishti e bëri për vete dhe feja në Të e transformoi thellësisht, duke e bërë të zbulojë një të vërtetë të fshehur deri në atë çast: nuk jemi ne me përpjekjet tona, që bëhemi të drejtë, jo, nuk jemi ne, por është Krishti me hirin e tij që na bën tё drejtë. Atëherë Pali, për t'u njohur plotësisht me misterin e Jezusit, është i gatshëm të heqë dorë nga gjithçka me të cilën ishte i pasur më parë (krh. Fil 3: 7), sepse zbuloi se vetëm Hiri i Tënzot e shpëtoi. Ne jemi justifikuar, jemi shpëtuar nga hiri i pastër, jo nga meritat tona. Dhe kjo na jep besim të madh. Ne jemi mëkatarë, po; por ne ecim në rrugën e jetës me këtë hir të Zotit, i cili na justifikon sa herë kërkojmë falje. Por nuk na shfajëson në atë çast: ne jemi të justifikuar tashmë, por ai vjen të na falë edhe një herë.

       Feja ka një vlerë gjithëpërfshirëse për Apostullin. Prek çdo moment dhe çdo aspekt të jetës së besimtarit: nga pagëzimi deri në largimin nga kjo botë, gjithçka është e mbarsur me besimin në vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit, i cili jep shpëtimin. Shfajësimi në sajë tё fesё nёnvizon përparësinë e hirit, që Zoti u ofron atyre, që besojnë në Birin e tij, pa asnjë dallim.

     Sidoqoftë, nuk duhet të arrijmë në përfundimin se për Palin Ligji i Moisiut nuk është më i vlefshëm; sepse pёr tё Ligji, vërtet, mbetet dhuratë e pamohueshme e Zotit, është - shkruan Apostulli – i "shenjtë" (Rom 7:12). Gjithashtu edhe për jetën tonë shpirtërore është thelbësore t’i respektojmë urdhërimet, por edhe për këtë nuk mund të mbështetemi në forcën tonë: është themelor hiri i Zotit, që marrim në Krishtin, ai hir, që na vjen nga shfajësimi i dhuruar nga Krishti, i cili ka paguar për ne. Prej Tij e marrim atë dashuri falas që na lejon, nga ana tjetër, të duam konkretisht.

     Në këtë kontekst, është mirë të kujtojmë edhe mësimin që vjen nga Jaku apostull, i cili shkruan: "Njeriu shfajësohet me vepra dhe jo vetëm me fe - duket e kundërta, por nuk është ashtu - […] Sepse ashtu si trupi pa shpirt është i vdekur, ashtu edhe feja pa vepra është po ashtu e vdekur ”(Jak 2,24.26). Shfajësimi, nëse nuk del në pah me veprat tona, do të rrijë aty, nën tokë, si i vdekur. Ekziston, por ne duhet ta vëmë në jetë me veprimet tona. Kështu fjalët e shën Jakut e integrojnë mësimin e Palit. Për të dy, pra, përgjigjja e fesё kërkon të jemi aktivë në dashurinë për Zotin dhe nё dashurinë për të afërmin. Pse "aktivë në atë dashuri"? Sepse ajo dashuri na shëlboi të gjithëve, na shfajësoi falas, falas!

      Shfajësimi na vendos në historinë e gjatë të shpëtimit, e cila tregon drejtësinë e Zotit: përballë rënieve tona të vazhdueshme dhe pamjaftueshmërisë sonë njerëzore, Ai nuk hoqi dorë, por deshi të na bënte të drejtë dhe këtë e bëri nё sajë tё hirit, nëpërmjet dhuratës së Jezu Krishtit, përmes vdekjes dhe ngjalljes së tij. Disa herë, kam folur për mënyrën e veprimit të Zotit, për stilin e Zotit, dhe e kam thënë me tri fjalë: Stili i Zotit është afërsia, dhembshuria dhe butësia. Ai është gjithmonë pranë nesh, është i dhembshur dhe i butë. Shfajësimi është pikërisht afërsia më e madhe e Zotit me ne, burra dhe gra, dhembshuria më e madhe e Zotit ndaj nesh, burrave dhe grave, butësia më e madhe e Atit. Justifikimi është kjo dhuratë e Krishtit, e vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, që na çliron. "Por, o Atë, unë jam një mëkatar, kam vjedhur...". Po, por në zanafillë je i drejtë. Lëre Krishtin të të shfajësojë. Ne nuk jemi të dënuar, në zanafillë, jo: jemi të drejtë. Më lejoni të përdor këtë fjalë: jemi shenjtorë, në zanafillë. Por pastaj, me veprimet tona bëhemi mëkatarë. Por, në bazë, jemi të shenjtë: ta lejojmë hirin e Krishtit të dalë në dritë dhe ajo drejtësi, ai justifikim të na japë forcën për të ecur përpara.

Kështu, drita e fesё na jep mundësi të njohim sa e pakufishme është mëshira e Zotit, hiri hyjnor që vepron për të mirën tonë. Por e njëjta dritë na bën edhe ta kuptojmë përgjegjësinë, që na është besuar për të bashkëpunuar me Hyjin në veprën e tij të shpëtimit. Fuqia e hirit të Tёnzot duhet të ndërthuret me veprat tona të mëshirës, ​​për të cilat jemi të thirrur të jetojmë, në mënyrë që të dëshmojmë sa e madhe është dashuria e Zotit. Le të ecim përpara me këtë siguri: të gjithë jemi të shfajësuar, jemi të drejtë në Krishtin. Duhet ta bëjmë këtë drejtësi të veprojë në punën tonë.

29 shtator 2021, 11:43

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >