Kërko

Vatican News

Papa: ardhmëria e botës do të jetë plot shpresë, nëse do ta gëzojmë bashkërisht

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa ia kushtoi katekizmin shtegtimit të tij apostolik në Budapest e Sllovaki, që përfundoi javën e kaluar. Kujtoi takimet me Kishat e ndryshme të krishtera, me hebrenjtë e përfaqësuesit e feve të tjera, me njerëzit më të ligshtë të këtyre viseve. “Ishte shtegtim lutjeje, në rrënjët e fesë e të shpresës - pohoi Ati i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Një popull i tërë “i përqafuar me Kryqin, që lartohej përmbi altar”- kjo,  figura e parë që kujtoi Papa duke folur, në katekizmin e audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, për shtegtimin e tij apostolik në Budapest e Sllovaki, shtegtim të cilin e përmblodhi me tri fjalë: “lutjerrënjëshpresë”. Më pas Françesku, si rikujtoi etapat e ndryshme, pohoi: “Pas këtij shtegtimi, zemra ime është plot me falënderim”.

Lutja, dëshmi e dashuri e përvuajtur

Duke kujtuar Meshën, kremtuar në Budapest, me të cilën mbylli Kongresin e 52-të Eukaristik Ndërkombëtar, Papa nënvizoi pjesëmarrjen e jashtëzakonshme “të popullit shenjt të Zotit”, të bashkuar para misterit të Eukaristisë e të Kryqit, dy simbole “të dashurisë së përvujtë e të pa asnjë interes, dashurisë plot fisnikëri e respekt për të gjithë, të fesë, që të pastron nga mendësia e botës e të çon drejt themelores”. Ashtu si në Sllovaki, në Šaštin, në Shenjtëroren e Zojës së Shtatë Dhimbjeve: “Sepse – kujtoi - për këtë thirret Populli i Zotit: për të adhuruar, për t’u lutur, për të shtegtuar, për të bërë pendesë e për të gjetur, kështu, paqen e gëzimin që jep Zoti. Kështu duhet të jetë jeta jonë: adhurim, lutje, shtegtim, pendesë. E kjo ka rëndësi të veçantë në kontinentin evropian, ku prania e Zotit zbehet - e këtë e shikojmë ditë për ditë - nga konsumizmi e nga ‘avujt’ e mendimit unik, fryt i përzjerjes së ideologjive të vjetra me ato të rejat. E kjo të largon nga familjariteti. Edhe në këto rrethana, përgjigjja që shëron, vjen nga lutja, nga dëshmia, nga dashuria e përvuajtur. Dashuri e përvuajtur, që shërben. Ta rikujtojmë këtë ide: “I krishteri është për të shërbyer!”.

Nuk ka lutje, pa kujtesë

Papa kujtoi persekutimin ateist të pësuar nga ky popull e, më pas, edhe Shoah, shfarosjen në masë të hebrenjve nga nazistët e, duke folur lirisht, shtoi:

“Njëri nga ipeshkvijtë sllovakë - është tashmë i moshuar - duke më përshëndetur, më tha: ‘Punova si shofer i një trami, për t’u  fshehur nga komunistët’. Ipeshkvi, në kohën e persekutimit, shofer trami! Kështu ishte gjatë gjithë kohës së diktaturës e të persekutimit. Pastaj, fshehurazi,  ushtronte mjeshtrinë tjetër, atë të ipeshkvit, e askush nuk e dinte. Kështu është persekutimi… Kujtojeni: nuk ka lutje, pa kujtesë. Lutja e kujtesa e jetës sate, e jetës së popullit tënd, e historisë… Kujtesë. Duhet kujtuar. Kjo na bën mirë e na ndihmon edhe të lutemi”.

Rrënjë për t’u ruajtur, jo për t’u ideologjizuar

Aspekti i dytë i nënvizuar nga Papa, është “kujtimi plot mirënjohje”, i “rrënjëve të fesë së krishterë”, posaçërisht domethënëse në këto troje në zemër të Evropës. E kujtoi, në vijim, disa dëshmitarë të ndritur të fesë, si kardinajtë Mindszenty e Korec dhe të lumin Pavel Peter Gojdič. Rrënjë  që shkojnë shumë thellë, deri tek Shenjtorët Çirili e Metodi, protagonistë të ungjillëzimit të popujve sllavë në shekullin IX. Këtë theksoi Papa, e vijoi:

“Më se një herë kam ngulur këmbë mbi faktin se këto rrënjë janë gjithnjë të gjalla, plot me limfën jetike, që është Shpirti Shenjt, e kështu edhe duhen ruajtur: jo si vjetërsira muzeu, jo të ideologjizuara e të manipuluara  për t’i siguruar vetes autoritet e pushtet e për të fuqizuar një identitet të mbyllur. Jo! Kjo do të thotë të tradhtosh e të sterilizosh! Çirili e Metodi për ne nuk janë personalitete për t’u përkujtuar, por modele për t’u imituar, mësues nga të cilët nxëmë gjithnjë metodën e ungjllëzimit, ashtu si dhe angazhimin civil – e gjatë këtij shtegtimi në zemër të Evropës mendova shumë shpesh edhe për etërit e Bashkimit Evropian, ashtu si ëndërruan, jo si agjenci…”.

Nga rrënjët e jetuara kësisoj  - vijoi - “mbijnë rrënjë të fuqishme shprese” për të ardhmen. E më pas vërejti se secili prej nesh ka rrënjët e veta, nga të cilat nuk duhet të heqë dorë.

Shpresa në të rinjtë e ata, që jetojnë për të tjerët

Shpresa ishte fjala e tretë, që përdori Papa, për të treguar shtegtimin e tij  e edhe atë, që pa në sytë e të rinjve, “në takimin e paharrueshëm të Košices, ku ishin të pranishëm shumë çifte të rinjsh me foshnje në krahë:

“Sa e fortë e profetike është dëshmia e së Lumes Anna Kolesarova, vashë sllovake, që e mbrojti dinjitetin, duke e paguar me jetë, dëshmi më se aktuale, për fat të keq, sepse sot dhuna mbi gratë është plagë e hapur kudo. Pashë si ndriti shpresa në sytë e shumë të rinjve që, në heshtje të plotë, shqetësohen për të afërmin - si për vete”.

Papa kujton Motrat e Nënë Terezës

Më pas Papa kujtoi edhe Misionaret e Bamirësisë të Qendrës  Betlehemi e Bratislava, që mbledhin të pastrehët si dhe angazhimin baritor të salezianëve në gjirin e bashkësive Rom, me të cilat u takua në rrethinat e Košices.

Shpresa nuk ecën kurrë vetëm!

Po ishte edhe një fjalë tjetër, që Papa e kujtoi me ngulm “së bashku” - fjalë që - nënvizoi - e dëgjoi shpesh gjatë kësaj vizite të paharrueshme:

“Në Budapest e në Sllovaki u takuam së bashku me përfaqësues të  riteve të ndryshme të Kishës katolike, edhe me vëllezërit  e Konfesioneve të tjera të krishtera, me vëllezërit hebrenj e me besimtarë të feve të tjera, pa harruar të ligshtit. Kjo është udha, sepse ardhmëria e botës do të jetë plot shpresë, nëse do ta gëzojmë bashkërisht!”.

22 shtator 2021, 12:25

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >