Kërko

Lutja e Engjëllit: Kryqi qoftë urë, që lidh të kaluarën me një ardhmëri më të mirë”

Në përfundim të Meshës, kremtuar në Sheshin e Heronjve të Budapestit, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku falënderoi familjen e madhe të krishterë të Hungarisë për mikpritjen e Kongresit Eukaristik dhe uroi që limfa e kombit t’i hapë zemrat e të eturve të kohës sonë. Më pas, kujtimi i kardinalit Stefan Wyszyński dhe i Elisabetta Czacka, lumnuar sot në Varshavë.

R.SH. - Vatikan

Ia kushtoi Kongresit të Eukaristisë Papa, lutjen e sotme, të jashtëzakonshme, të Engjëllit, kremtuar në zemër të Evropës. E duke e mbyllur kështu Kongresin Eukaristik dhe shtegtimin e tij në Hunagari, falënderoi me gjithë zemër familjen e krishterë hungareze, vëllezërit  katolikë dhe të konfesioneve të tjera, të gjithë për udhë drejt bashkimit, Patrikun Bartolomeu, ipeshkvijtë, priftërinjtë e rregulltarët: e, doemos, edhe të gjithë besimtarët! Posaçërisht ata, që punuan për realizimin e këtij Kongresi Eukaristik.

Faleminderit ty, o popull i Hungarisë

Të falënderoj ty, o popull i Hungarisë - vijoi Papa – Himni, që e shoqëroi Kongresin, të drejtohet me fjalët:

“Për mijëra vite Kryqi

kolonë ish’ për shëlbim

për ditë edhe më të mira, 

qoftë për ty premtim!”.

Këtë ju uroj – nënvizoi Françesku  - Kryqi qoftë urë, që lidh të kaluarën me një ardhmëri më të mirë”. Po kryqi i mbjellë në trojet tuaja, përveçse ju fton të rrënjoseni mirë, i shtrin krahët për t’i rrokur të gjithë:

“Kryqi i misionit është simbol i këtij Kongresi: ju nxitët ta kumtoni me jetë Ungjillin çlirues të dashurisë së pafund të Zotit për secilin. Në zinë e sotme për  dashuri, është ushqimi i vërtetë, që pret njeriu!”.

Të lum, dy figura, që e njohën nga afër Kryqin

Më pas Papa kujtoi se jo shumë larg nga Budapesti, sot lumnoheshin dy  dëshmitarë të Ungjillit: Kardinali Stefan Wyszynski dhe Elizabeta Czaska, themeluese e Motrave Françeskane të Kryqit.

“Dy figura, që e njohën nga afër kryqin: Primati i Polonisë, i arrestuar, i torturuar, qe gjithnjë bari guximtar sipas Zemrës së Krishtit, kumtar i lirisë dhe i dinjitetit të njeriut; motër Elizabeta, që e humbi shikimin në moshë ende të re, ia kushtoi gjithë jetën ndihmës së njerëzve, që u mungonte drita e syve”.

Më pas ftesa:

“Shembulli i të Lumëve të rinj na nxitët ta shndërrojmë errësirën në dritë me focën e dashurisë”.

Mbretëresha e Lume, Pajtorja juaj e lashtë, ju shoqëroftë!

“Mbretëresha e Lume, pajtorja juaj e lashtë, ju shoqëroftë!”

 Me këtë urim e përfundoi lutjen e Engjëllit të Tënzot kremtuar në Budapest Papa, për t’i përshëndetur nga zemra të gjithë hungarezët, këtë herë në gjuhën e tyre:

Isten áldd meg a magyart!” (Zoti i bekoftë hungarezët!)

12 shtator 2021, 14:43

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >