Kërko

Françesku: në Krishtin është revolucioni i barazisë në shoqëri

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, Papa u bëri përsëri thirrje të krishterëve të mos krijojnë përçarje e ndryshime gjinore, shoqëroe, etnike e fetare. Françesku kujtoi edhe skllevërit e rinj të sotëm, veçanërisht gratë, që nuk kanë të njëjtat mundësi për të zgjedhur rrugën e jetës

R.SH. - Vatikan

Barazia e skllevërve dhe e të lirëve, e burrit dhe e gruas, “e judeut e grekut” në Krishtin, është revolucionare! Është thirrje për të kërkuar unitetin, pa krijuar kontraste e diskriminime, sepse çdo ndryshim është i dorës së dytë, në krahasim me dinjitetin e Bijve të Zotit, që realizon barazinë e vërtetë”. E kjo ishte edhe zemra e reflektimit, që Papa u drejtoi sot besimtarëve në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në vijim të ciklit të katekizmit kushtuar Letrës së Shën Palit drejtuar Galatasve. Papa i ftoi besimtarët të kujtojnë çastin kur u bënë bijtë e Zotit, Pagëzimin, datë, që meriton të kujtohet - nxiti Papa - siç ka bërë disa herë gjatë papnisë së Tij.

Thirrje për ta jetuar jetën si Bij të Zotit

Prej këndej, thirrja për të jetuar një jetë të re, duke rizbuluar sa gjë e bukur është të jemi Bij të Zotit, vëllezër e motra, sepse të gjithë, bij e bija të Jezusit:

“Ndryshimet dhe kontrastet që krijojnë ndarjet, nuk duhet të kenë vend ndërmjet besimtarëve në Krishtin. Thirrja jonë është ta bëjmë  konkret e të dukshëm unitetin e gjithë gjinisë njerëzore. Gjithçka nxit ndryshimin ndërmjet njerëzve, duke shkaktuar shpesh  diskriminim, e gjithë kjo, para syve të Zotit nuk ka më kuptim, falë shëlbimit të realizuar në Krishtin. Çka  vlen, është feja që vepron duke ndjekur udhën e unitetit, të treguar nga Shpirti Shenjt”.

Identiteti i Pagëzimit i vëllazëron të lirë e skllevër

Pali pohon me guxim se identiteti që marrim nga Pagëzimi është aq i ri,  sa të ketë epërsi mbi të gjitha ndryshimet, duke vërejtur edhe se “shprehjet e tij lexohen shpesh ngutshëm”, “pa arritur te kuptimi revolucionar që përmbajnë”.

Mësim, ky i Palit,  që në kohën e tij “mund të tingëllonte edhe si heretik” -  shpjegoi Papa – duke pasur parasysh  shkrimet e Apostullit, që na kujtojnë se “në Krishtin nuk ka jude as grek”, gjë që të krijonte përshtypjen e një përmbysjeje të vërtetë në fushën etniko-fetare.    

“Edhe barazia e dytë ndërmjet ‘të lirëve’ e ‘skllevërve’ hap perspektiva përmbysëse. Për shoqërinë e lashtë ishte jetik dallimi ndërmjet skllevërve e qytetarëve të lirë. Këta të fundit i gëzonin me ligj të gjitha të drejtat, ndërsa skllevërve nuk u njihej as dinjiteti njerëzor. E kjo u ndodh edhe sot shumë njerëzve në botë, shumë milionave, që nuk kanë të drejtën të hanë, nuk kanë të drejtën të shkollohen, të punojnë; janë skllevër të rinj, njerëz të periferive, që i shfrytëzon kush të mundet. Skllavëria ekziston! Edhe sot: të mendojmë pak edhe për këtë. Ne u mohojmë gjithë këtyre njerëzve  dinjitetin njerëzor”.

Barazia në Krishtin e kapërcen edhe “çdo ndryshim shoqëror ndërmjet dy sekseve,  duke vendosur barazinë - revolucionare për atë kohë - e që duhet ripohuar edhe në këtë kohë - kujtoi Papa:

“Sa herë dëgjojmë shprehje, që i përbuzin gratë! Sa herë kemi dëgjuar të thuhet: ‘Po jo, more, jo, nuk vlen fare… punë grash’. Harrohet se burri e gruaja kanë të njëjtin dinjitet, ndërsa vijon në histori, e edhe sot, skllavërimi i grave. Gratë nuk kanë të njëjtat mundësi me burrat. Duhet ta rilexojmë, prandaj, atë që thotë Pali: jemi të barabartë në Krishtin Jezus!”.

Këtë kujtoi Papa, e, në vijim shpjegoi:

“Pali, pra, shpreh “unitetin e vërtetë ndërmjet gjithë të pagëzuarve, pavarësisht nga gjendja, në të cilën jetojnë, sepse secili prej tyre, në Krishtin, është krijesë e re. Çdo lloj dallimi bëhet i dorës së dytë, në krahasim me dinjitetin që ke si bir i Zotit, i cili me dashurinë e Tij realizon një barazi të vërtetë”.

Bij të Zotit, në Krishtin

Bijësimi, për të cilin flet Pali - nënvizoi më pas Papa - nuk është më ai i përgjithshmi, që i përfshin të  gjithë njerëzit, si bij të një Krijuesi të vetëm:  në të bëjnë pjesë  bijtë e Zotit “në Krishtin”. Është kjo “në Krishtin”, që  ndryshon! Kjo, e reja. “Jo vetëm bij të Zotit”, sepse - pohoi Papa, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar - “të gjithë burrat e  gratë jemi bij të Zotit, të gjithë, pavarësisht nga feja së cilës i përkasim”, por kjo “në Krishtin”  i dallon të krishterët, gjë që ndodh përmes pjesëmarrjes në ngjalljen e Krishtit  e në ne, me sakramentin e Pagëzimit”.

Qendror, pra, burimi i gjithë kësaj: Pagëzimi. E “jo vetëm rit i jashtëm”, sepse hiri i tij është të marrësh pjesë në vdekjen e ngjalljen e Krishtit: ata që e marrin, shndërrohen në thellësi të vetvetes. Fitojnë një jetë të re, pikërisht atë, që u krijon mundësinë t’i drejtohen Zotit me emrin “Abbá”, domethënë “Atë”.

08 shtator 2021, 12:20

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >