Vatican News

Festë kombëtare, Sllovakia në lutje me Papën Françesku

Nga Šaštín, Papa Françesku i jep sot lamtumirën Sllovakisë, pas katër ditësh intensive, gjatë të cilave e përforcoi popullin në fe

R.SH. - Vatikan

Udhëtimi i 34-t apostolik i Papës Françesku përfundon sot, me një etapë përfundimtare tërësisht mariane, në shenjtëroren kombëtare të Šaštín, vend shtegtimesh prej shekujsh, në qytetin e lidhur fort me shenjtorët Cirili e Metodi, ungjillëzues të këtyre trojeve. Pak pas orës 9.00, Papa mbërriti në Bazilikën ku çdo 15 shtator, që prej tre shekujsh, mblidhen gjithë besimtarët sllovakë për t’ia besuar fatet e vendit Zojës së Shtatë Dhimbjeve, Pajtores së tyre. Këtu, në formë private, takimi i parë i sotëm i Atit të Shenjtë me ipeshkvijtë, për një lutje të përbashkët.

Papa Françesku deshi me gjithë shpirt të bashkohet me popullin për festën kombëtare të Sllovakisë e pikërisht para shenjtërores, veprimtaria e dytë dhe e fundit e tij për këtë ditë e për krejt udhëtimin apostolik: kremtimi i meshës. Pas saj, Ati i Shenjtë kthehet në Bratislavë nga ku do të niset për në Romë, në fund të katër ditëve intensive, që filluan në Budapest, me meshën përfundimtare të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar e përfunduan pikërisht me meshën festive në Šaštín të Sllovakisë. Shtegtim, që e përforcoi lidhjen personale të popujve hungarezë e sllovakë me Papën e me Kishën.

15 shtator 2021, 10:41