Kërko

SLOVAKIA-VATICAN-RELIGION-POPE-VISIT SLOVAKIA-VATICAN-RELIGION-POPE-VISIT

Dita e dytë e Papës Françesku në Bratislavë

Udhëtimi i 34 -të apostolik i Papës Françesku vazhdon sot në Sllovaki. Një program plot takime, në një vend ku preket me dorë mikpritja e gëzueshme e popullsisë për pasardhësin e Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Dita e dytë e Papës Françesku në Sllovaki, ku Ati i Shenjtë mbërriti dje pasdite e u takua me përfaqësuesit e 11 Kishave të ndryshme të krishtera në vend. Por edhe e sotmja është një ditë tjetër e ngarkuar me veprimtari.

Fillimisht, në Pallatin presidencial të Bratislavës, ceremonia e mirëseardhjes, para vizitës tek presidentja Zuzana Čaputová. Pastaj, Ati i Shenjtë takohet me autoritetet politike e fetare, me shoqërinë civile e Trupin Diplomatik. Paraditja përfundon në katedralen e Shën Martinit, ku Papa Françesku u drejtohet ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve, seminaristëve e katekistëve.

Papa tek motrat e Nënë Terezës

Pasdite, vizita private në Qendrën Betlehem të Motrave të Nënë Terezës. Këtu, që prej 20 vitesh, bashkësia ndërkombëtare e rregulltareve të dashurisë kujdeset për të pastrehët, për nevojtarët, por sidomos, për të sëmurët. Struktura, një ndërtesë e vogël dykatëshe, dikur kopsht fëmijësh, ofron vende për të fjetur, ushqim e shërbime higjienike. Falë bujarisë së njerëzve, motrat, trashëgimtare të përshpirtërisë së shenjtes shqiptare të bamirësisë, arrijnë të sigurojnë asistencën e nevojshme, veshje dhe sende të tjera themelore për ata, që jetojnë në rrugë e trokasin në portën e tyre.

Më pas, Ati i Shenjtë takohet me bashkësinë hebraike sllovake, që gjatë Luftës II Botërore pësoi tmerre e dhunë. 105 mijë hebrenj humbën jetën gjatë Holokaustit. Dita mbyllet në nunciaturë, ku Françesku pret kryetarin e parlamentit dhe kryeministrin e Sllovakisë.

Pritja e popullit për një vizitë të pamenduar

Pas rënies së komunizmit, Sllovakia u nda nga Çekia në vitin 1993, hyri në Bashkimin Evropian më 2004 dhe është pjesë e Eurozonës që nga viti 2009. Ka një popullsi prej 5 milion e gjysmë banorë, nga të cilët 73% janë katolikë dhe 4% greko-katolikë, ndërsa 13,5% konsiderohen ateistë. Françesku është Papa i dytë që shkon në këtë vend pas Shën Gjon Palit II, i cili e vizitoi atë më 1990, 1995 dhe 2003.

Papa gjen një Sllovaki, që ka nevojë për forcë e shpresë, një komb të ndarë nën profilin politik e shoqëror. Për shumë prej sllovakëve, ky udhëtim i Atit të Shenjtë ishte i pamenduar e bëhet në një çast kur pandemia e koronavirusit po përhapet më tej. Që nga fundi i gushtit, Sllovakia regjistron mesatarisht 400 të infektuar në ditë. Kisha ndihmon si mundet e është veçanërisht aktive në shumë zona të vendit, ku prania e të rinjve të impenjuar në jetën kishtare i jep jetë e shpresë, megjithëse numri i besimtarëve, gjatë viteve të fundit, është zvogëluar. Pikërisht për këtë arsye, katolikët e presin Atin e Shenjtë me entuziazëm që t’i përforcojë në fe e t’i ndihmojë ta shohin të ardhmen me guximin e Ungjillit.

13 shtator 2021, 09:59