Kërko

Papa Françesku: e vërteta e Ungjillit kushton shtrenjt

Pas ndërprerjes së korrikut, në rifillim të audiencave të përgjithshme Papa vijoi reflektimin kushtuar Letrës drejtuar Galatasve, me një katekizëm titulluar “Ka vetëm një Ungjill: nëse mirëpritet në vërtetësinë e tij, sjell lirinë dhe shëlbimin”.

R. SH. - Vatikan

Në fragmentin e komentuar sot, gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në sallën Pali VI në Vatikan, nga Papa Françesku, Shën Pali Apostull shpreh pakënaqësinë e  tij, duke parë se Galatasit, të cilëve u pati kumtuar Jezusin, mund të dredhojnë, ta braktisin udhën e së vërtetës  e të pranojnë një Ungjill tjetër,  të predikuar nga disa misionarë të rinj. Ungjilli është një i vetëm - pohon me forcë Shën Pali:

“Për të Ungjilli është çka  predikon ai vetë, kerygma, kumtim i  vdekjes dhe i ngjalljes së Jezusit, si gurrë shëlbimi. Ungjill, që shprehet me katër folje: ‘Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, u varros, u ngjall në të tretën ditë, sipas Shkrimeve, e iu duke Çefës’. Ky Ungjill është përmbushja e premtimeve dhe shëlbimi i premtuar të gjithë njerëzve”.

Ungjilli është një i vetëm

Përballë një dhurate kaq të madhe, Apostulli nuk mund ta shpjegojë sesi Galatasit arrijnë deri në atë pikë, sa të pranojnë një “ungjill tjetër”, më të stërholluar, më intelektual, më…, kush e di sesi, di vetëm se pranojnë një ungjill tjetër’… Apostulli e qorton me forcë bashkësinë. I kujton se predikimi i ri “nuk mund të jetë Ungjilli, madje, është kumt që e shtrembëron Ungjillin e  vërtetë, sepse të pengon ta arrish atë liri, që e fitove duke pranuar fenë”. Galatasit gënjehen aq, sa të besojnë se mesazhi i predikatarëve të rinj përkryen atë të Palit, po në këtë pikë Apostulli nuk pranon asnjë kompromis. E Papa vijoi:

“Ungjilli është një i vetëm e është ai që kumtoi Pali; nuk mund të ketë tjetër. Kujdes! Pali nuk thotë se Ungjilli i vërtetë është ai i tiji, sepse ishte ai që e kumtoi, jo! Ky do të ishte fodullëk, do të ishte vetëmburrje. Pohon vetëm se Ungjilli i tij, i njëjti që shkonin duke e kumtuar gjetiu edhe Apostujt e tjerë, është  i vetmi Ungjill i vërtetë, sepse i Jezu Krishtit”.

Nuk mund të diskutohet mbi të vërtetën e Ungjillit. Pali përdor fjalë shumë të ashpra, kur u kujton Galatasve se po rrezikohen të bëjnë një hap të rremë; dy herë rresht përdor fjalën “mallkim” - nënvizoi Papa - gjë që tregon se dëshiron ta mbrojë bashkësinë nga çka ia kërcënon themelet. Në këtë pikë Apostulli nuk i lë asnjë shteg të hapur diskutimit:

“Me të vërtetat e Ungjillit nuk mund të bëhen pazarllëqe. O e pranon ashtu si është, si u kumtua, o zgjidh rrugë tjetër. Po mos tregto me Ungjillin: me të nuk mund të tregohet, nuk ka kompromise; besimi në Krishtin nuk është mall për t’u nxjerrë në treg: është shpëtim, takim, ringjallje. Nuk mund të nxirret në asnjë treg”.

Risia e Ungjillit nuk është kalimtare

Papa Françesku vërejti se bashkësia e galatasve frymëzohet nga ndjenja të mira, është e bindur se duke i dëgjuar misionarët e rinj do të mund t’i shërbejë edhe më shumë e më mirë Jezu Krishtit. “Armiqtë  e Palit - pohoi - duket si të frymëzoheshin nga besnikëria ndaj traditës së trashëguar prej etërve e si të besonin se fe e vërtetë është ajo, që zbaton Ligjin”. Madje arrijnë deri atje, sa të dyshojnë në Palin, duke e shikuar si “njeri që nuk e respekton plotësisht traditën”.

Po risia e Ungjillit - kujton Papa Françesku - është risi rrënjësore, nuk është kalimtare: nuk ka Ungjij që janë në modë! Kjo që jetojnë galatasit, mund të përsëritet në çdo kohë e prandaj  - kujtoi Françesku - fjalët e Apostullit vlejnë edhe për ne sot, kur duhet të dimë të dallojmë çka është e mirë e çka jo, në “labirintin e ndjeteve të mira”. E përfundon:

“Kjo është e rëndësishme: të dimë të dallojmë. Shumë herë në rrjedhë të historisë kemi parë, e shikojmë edhe sot, ndonjë lëvizje që predikon Ungjillin sipas mënyrës së vet, nganjëherë me karizma të vërteta,  por më pas e tepron  dhe e redukton gjithë ungjillin ‘në lëvizjen e vet’. E ky nuk është ungjilli i Krishtit; ky është Ungjilli i themeluesit, i themelueses e po, mund të ndihmojë në fillim, por në fund nuk ka fryt, sepse me rrënjë të cekta. Prandaj fjala e qartë e vendimtare e Palit qe shpëtimtare për Galatasit, e është edhe për ne. Ungjilli është dhuratë që na e bën Krishti, që na e zbulon Ai vetë. E kjo na jep jetë!”.

04 gusht 2021, 12:43