Kërko

Papa: fol pa maska e pa hipokrizi. Fjala jote le të jetë "Po, po; jo, jo!".

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa, duke u ndaluar, si javën e kaluar, tek Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Galatasve, e përqendroi katekizmin tek “virusi i hipokrizisë”, që të shtyn të shtihesh, në vend që të jesh vetvetja. E posaçërisht e urryer - nënvizoi - është hipokrizia në Kishë: “Vë në rrezik unitetin”.

R.SH. - Vatikan

Çfarë është hipokrizia? Papa ia drejtoi këtë pyetje turmës së mbledhur në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithshme të së mërkurës.  E bëri këtë, pasi pati kujtuar “një fakt shumë të çuditshëm”, që ceket në Letrën drejtuar Galatasve, në të cilën “Pali thotë se e  qortoi Çefën, domethënë Pjetrin, për sjelljen e  tij  lidhur me pjesëmarrjen në mensë”.

Hipokrizia, truk i shpirtit

“Ligji - shpjegoi Françesku - ua ndalonte hebrenjve të uleshin në sofër me ata, që nuk ishin hebrenj”. Kur Apostujt ishin në Antioki, Pjetri ulej lirisht në sofër me disa të krishterë të ardhur nga paganizmi, ndërsa, kur në qytet erdhën disa të krishterë të rrethprerë në Jeruzalem, atëhere u largua me të njëjtën shpejtësi, që ishte ulur. E bëri këtë, për të mos dëgjuar kritika. Fare pa dashur Pjetri, me këtë lloj sjelljeje - shpjegoi Papa - krijonte një përçarje të padrejtë në gjirin e bashkësisë:

“Por, çfarë është hipokrizia? Mund të themi se është frikë përballë së vërtetës. Hipokriti ka frikë se mund të dalë në shesh e vërteta. I pëlqen më shumë të shtiret, sesa të jetë vetvetja. Është njëlloj si të trukosh shpirtin, si të trukosh sjelljet. Ashtu si të trukosh edhe mënyrën si vepron: hipokrizia nuk është kurrë e vërteta”.

Si mund të luftohet hipokrizia?

Në Bibël - kujtoi në vijim Papa - ka një mori shembujsh, që na tregojnë si mund të luftohet ky shëmtim i neveritshëm, që quhet “hipokrizi”. Një dëshmi e bukur është ajo e plakut Eleazar, të cilit i kërkohet të hajë mish të flijuar hyjnive pagane, për të shpëtuar jetën. Po ky burrë i madh, që jetonte me frikën e Zotit, përgjigjet: “Nuk është e denjë të shtiresh në moshën time”. Pëlqeu më shumë t’i jepte fund jetës, sesa të shtirej. Domethënë, t’i jetonte ata pakëz ditë, që i kishin mbetur, si mësallë me dy faqe. Në Ungjijtë gjejmë shumë episode, në të cilat Krishti i qorton rëndë ata që duken të drejtë sa për sy e faqe, ndërsa shpirtin e kanë përplot  me plehun e  rrenave  e të mbrapshtive: maska, mbas të cilave fshehin fytyrat.

Hipokriti - nënvizoi Papa - është njeri që di të shtiret, di të lajkatojë e të gënjejë, sepse nuk jeton me fytyrë, por me maskë, e nuk ka guxim të ndeshet ballë për ballë me të vërtetën. Prej këndej, nuk është i aftë as për të dashur. Hipokriti nuk e di ç’është dashuria. Sepse është egoist! Njeri që e fsheh zemrën, nuk guxon ta hapë e ta shikojnë të gjithë çka bluan aty përbrënda! Prej këndej, porosia e Zotit:

“Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Kjoftëlargut”. (Ungjilli sipas Mateut, 5.17, 37).

Hipokrizia vë në rrezik unitetin e Kishës

Në  jetë ka shumë situata  - kujtoi Françesku - në të cilat mund të ndeshemi me hipokrizinë;

“Shpesh hipokrizia fshihet në vendin e punës, ku ndokush përpiqet të shtiret si mik me kolegët, ndërsa nuk synon tjetër gjë, veçse t’i godasë mbas shpine. Në politikë nuk është gjë e rrallë të takohesh me hipokritë, të cilët jetojnë një jetë të dyfishtë, atë publike e atë private, që ndryshojnë si nata me ditën.  E më e neveritshme se kudo është në Kishë, ku ka shumë të krishterë e shumë meshtarë hipokritë. Nuk duhet t’i harrojmë kurrë fjalët e Zotit: ‘Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut (Mt 5,37). Të veprosh ndryshe, do të thotë  të vësh në rrezik unitetin e Kishës, atë për të cilën u lut vetë Zoti”.

Përshëndetja atletëve të Paralimpiadave

Pas katekizmit, Françesku kujtoi se dje, në Tokio, u hapën Paralimpiadat:

“U drejtoj përshëndetjen time atletëve dhe i falënderoj sepse u japin të gjithëve një dëshmi shprese e guximi. Ata tregojnë sesi angazhimi sportiv  e ndihmon njeriun t’i kapërcejë vështirësit, në dukje të pakapërcyeshme”.

Duke përshëndetur shtegtarët polakë, Papa kujtoi edhe se nesër, në Poloni,  kremtohet solemniteti i Nënës së Zotit, që nderohet në Shenjtëroren kombëtare të Jasna Gorës:

“Pesë vjet më parë munda të ndalohem, së bashku me të rinjtë, para fytyrës së saj të zeshkët e t’ia besoj Kishën në Poloni e në Botë”.

Mendimi i Papës shkoi, më pas, tek viktimat dhe bashkësitë e Italisë qendrore, ndërmjet të cilave, Accumolo e Amatrice, viktima të  tërmetit shkatrrimtar, që trandi tokën pesë vjet më parë:

“Me ndihmën konkrete të institucioneve është e nevojshme të jepet prova e rilindjes, pa lënë që njerëzit të mposhten nga mosbesimi. I nxis të gjithë të shkojnë përpara plot me shpresë!”.

25 gusht 2021, 12:15

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >