Poliklinika Gemelli në Romë, ku është shtruar Papa Françesku Poliklinika Gemelli në Romë, ku është shtruar Papa Françesku

Vijon përmirësimi i Papës. Engjëlli i Tënzot i së dielës, nga spitali Gemelli

Ati i Shenjtë është përmirësuar dukshëm, pas ndërhyrjes kirurgjikale në Poliklinikën Gemelli të Romës. Të dielën e ardhshme, parashikohet që Papa ta thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga kati i 10-të i spitalit

R.SH. – Vatikan

 Engjëlli i Tënzot i së dielës së ardhshme do të thuhet nga kati i 10-të i Poliklinikës Gemelli, ku është shtruar Papa Françesku. Ati i Shenjtë “e kaloi qetësisht ditën, me një kurs normal klinik. Vazhdoi të ushqehet rregullisht dhe të bëjë terapitë e programuara”. Kjo është deklarata e sotme e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Papa, lexohet në komunikatë, “ecën në korridor dhe ka rifilluar punën, duke e alternuar me çaste për leximin e teksteve. Pasdite, kremtoi meshën në kapelën e apartamentit privat, në të cilën morën pjesë ata, që po e asistojnë gjatë këtyre ditëve të shtrimit në spital”.

Françesku si Gjon Pali II: Engjëlli i Tënzot nga “Vatikani n.3”

 “Pas një episodi të lehtë me ethe - shton Bruni - Ati i Shenjtë nuk ka më temperaturë”. “Të dielën e ardhshme - njofton ai – parashikohet që lutja e Engjëllit të Tënzot të thuhet nga kati i 10-të i Poliklinikës universitare Agostino Gemelli”. Papa Françesku përsërit kështu një traditë, të filluar me shën Gjon Palin II, i cili e quante spitalin kishtar, “Vatikani n.3”, pas Pallatit Apostolik e Castel Gandolfo-s. Ati i Shenjtë, përfundon deklarata, “falënderon për mesazhet e shumta të dashurisë dhe të afërsisë, që merr çdo ditë dhe kërkon të vazhdohet lutja për të”.

09 korrik 2021, 13:02