Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Urimet e presidentes së Kosovës për Papën Françesku

Një nga letrat e shumta ardhur në Vatikan, pas shtrimit të Papës në spitalin Gemelli të Romës, mban firmën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu. “Shenjtëria Juaj, - shkruhet në të – në emër të popullit të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju bëj urimet më të përzemërta për shërimin tuaj të shpejtë e të plotë".

R.SH. - Vatikan

Menjëherë pas shtrimit të Papës në spitalin Gemelli të Romës, nga të gjitha anët e botës, filluan e vazhdojnë të vijnë mesazhe për shërim të shpejtë. Edhe nga trojet shqiptare, si nga ipeshkvijtë, ashtu edhe nga autoritetet shtetërore, erdhën në Vatikan urimet që Ati i Shenjtë ta marrë veten e të kthehet në krye të Kishës universale. Shqiptarët u bashkuan me besimtarët e krejt globit në lutje për Françeskun. Sot, një nga letrat e shumta ardhur në Vatikan, mban firmën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

“Shenjtëria Juaj, - shkruhet në të – pasi u njoftuam për ndërhyrjen tuaj kirurgjikale në spitalin Gemelli, në emër të popullit të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju bëj urimet më të përzemërta për shërimin tuaj të shpejtë e të plotë.

Edhe një herë, mësojmë nga Shenjtëria juaj si të sillemi para problemeve dhe vuajtjeve. Lutemi me Ju e për Ju që të ktheheni sa më shpejt në detyrën tuaj të bekuar për të mirën dhe paqen kudo në botë”.

Së fundi, presidentja e Kosovës e siguron Atin e Shenjtë për konsideratën e saj më të lartë, duke i përsëritur urimet më të mira për shërim të shpejtë.

07 korrik 2021, 16:22