Françesku me fëmijët, në Gemelli Françesku me fëmijët, në Gemelli  

Papa ndërmjet fëmijëve të onkologjisë pediatrike të Spitalit Gemelli

Papa deshi të përshëndesë, dje pasdite, pacientët e vegjël të shtruar në repartin përballë zonës ku vijon të mjekohet, në përfundim të një koncerti solidariteti.

R. SH. - Vatikan

Përkëdhelje, shumë, dhe përgjigje me një buzagaz të druajtur e me dorën e njomë mbi fytyrë, për të fshehur turpin foshnjor, pas qelqit të portës së mbyllur. E përshëndetje të heshtura nënash, që u rrinë te kryet njomzakëve të tyre të sëmurë, në pritjen e ankthshme për të dalë nga dhomat e mbyllura, në ajrin e pastër plot me aromat e verës.  Kaloi kështu  - sipas njoftimit të Sallës vatikanase të Shtypit, një pjesë e pasdites së djeshme të Françeskut. Në Katin e 10-të të Gemellit, ku është shtruar Papa, në krahun e shënuar me një “D” të madhe, është edhe Reparti i onkologjisë pediatrike. Një hap më shumë, e hyn në një botë dhimbjesh, ku larmia e ngjyrave në muret e pikturuara nuk arrin dot ta davarisë shqetësimin e  thellë të prindërve, në pritje të ankthshme  që trupat e njomë të fëmijëve të tyre ta fitojnë betejen kundër sëmundjes, i cili kërkon t’ua këpusë gonxhen e jetës, ende të pashpërthyer.

Koncerti  “Jehona e korit”

Françeskun e tërhoqi këtu muzika, që dilte nga reparti pranë e pranë zonës ku është shtruar. Koncert, në spital? Në Onkologji! Po, ishte një koncert që e jepte për fëmijët Ambrogio Sparagna, shoqëruar nga Orkestra Popullore Italiane. Titullohej “L’eco der core” (Jehona e korit), 15 koncerte realizuar nga Fondacioni “Muzikë për Romën”, në bashkëpunim me Karitasin romak.

Mister pa gjegje

Papa deshi të ishte përsëri i pranishëm në një mjedis, që e prek gjithnjë  në zemër: në mjedisin e sëmundjes, që e bën të vuajë edhe më shumë kë nuk ka moshë për të pësuar. Ndonëse duhet pranuar se për dhimbjen nuk ka kurrë moshë! E këtë Papa e  pohoi tri ditë më parë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga ballkoni i Gemelli-t, i rrethuar nga miqtë e vegjël, të  shtruar aty pranë. Por kjo nuk është hera e parë që e shikojmë kështu Papën.  Edhe para disa vitesh, e ishte data 29 maj e vitit 2015, në Kapelën e Shën Martës qe ftuar për herë të dytë një grup fëmijësh me sëmundje të rënda, disa prej të cilëve, për fat të keq, nuk do të ishin më të pranishëm në koncertin e dytë…

“Mos kini frikë të kërkoni!

Edhe në këtë rast Françesku pati bërë pyetjen e heshtur: “O Zot, pse vuajnë fëmijët?”. Pyetje misterioze, pa përgjigje, ashtu si pa përgjigje është - pati kujtuar në këtë rast - edhe misteri i Trinisë dhe i Eukaristisë. Por edhe pse pyetja mbetet pa përgjigje,  mund të vijosh t’ia kërkosh  qiellit e të lutesh - pati siguruar Françesku: “Mos kini frikë të kërkoni, as ta sfidoni Zotin me një ‘Pse?’ ngulmuese! Ndoshta nuk do të vijë kurrfarë përgjigjeje, po shikimi i tij prej Ati do të të japë forcë për të vijuar jetën, deri në fund të fundit... I vetmi shpjegim, që mund të të japë, do të jetë: ‘A nuk vuajti edhe im Bir?’. Gjëja më e rëndësishme është shikimi! Aty gjindet forca: te vështrimi plot me dashuri i Atit”.

“Po Ju, që jeni Ipeshkëv - mund të më pyesni, pati shtuar Papa - e që keni studiuar gjithë atë teologji, nuk paskeni asgjë për të na thënë?”. Jo… them vetëm se mund të hyhet në mister, nëse Ati na shikon me dashuri”.

14 korrik 2021, 11:04