Papa me Patrikët lindorë në Ditën e Lutjes për Libanin

Ditë intensive bashkimi dhe vëllazërimi për t’i kërkuar Zotit paqen në Vendin e Kedrave. Papa Françesku mblidhet në Vatikan me krerët e Kishave të krishtera libaneze, në lutje e reflektim për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës, që ka mbërthyer Libanin

R.SH. - Vatikan

Së bashku për Libanin. Dita e Lutjes për Paqen në Tokën e Kedrave, dëshiruar me forcë nga Papa Françesku, u hap sot në Vatikan, në Shtëpinë e Shën Martës, me përshëndetjen e Atit të Shenjtë për krerët e bashkësive të krishtera libaneze dhe për anëtarët e delegacioneve. Gjestet dhe heshtjen e Papës Bergoglio i shoqëruan kardinali Bechara Boutros Rai, Patriark i Antiokisë së Maronitëve; Youhanna X, Patriku greko-ortodoks i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes; Ignatius Aphrem II, Patriku ortodoks sirian i Antiokisë; Arami I, Katolikos i Cilicisë së Armenëve; Ignatius Joussef III, Patriark siro-katolik i Antiokisë; Youssef Absi, Patriarku i Antiokisë së greko-melkitëve; rev. Joseph Kassab, president i Këshillit të Lartë të Bashkësive Ungjillore në Siri dhe Liban dhe ipeshkvi i Bejrutit të Kaldeasve, Michel Kassarji. Me ta, edhe kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, kryeipeshkvi Joseph Spiteri, nunc apostolik në Liban dhe kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.

Papa dhe Patriarkët e Libanit jashtë Shtëpisë së Shën Martës
Papa dhe Patriarkët e Libanit jashtë Shtëpisë së Shën Martës

Më pas, Papa dhe Patriarkët shkuan në këmbë nga Shtëpia e Shën Martës në Bazilikën e Vatikanit, duke hyrë përmes Portës së Lutjes. Disa metra, në të cilat u ndje gjithë udha e gjatë e lutjes dhe e reflektimit mbi Libanin, që filloi me propozimin e Shën Gjon Palit II, në vitin 1991, për një Ditë kushtuar Libanit dhe vazhdoi me Sinodin e veçantë, që u mbajt më 1995 në Romë.

Para varrit të Shën Pjetrit

Skena u zhvendos më pas brenda Bazilikës për një çast të shkurtër lutjeje. Përpara Varrit të Shën Pjetrit, Papa dhe krerët e bashkësive të krishtera libaneze iu lutën Zotit për paqen në Liban. Pasi zbritën shkallët, që çojnë poshtë altarit të Rrëfimit të Pjetrit, Françesku dhe Patriarkët vendosën një qiri të ndezur para Varrit të Apostullit, në shenjë shprese për libanezët, të cilët, prej një kohe të gjatë, vuajnë nga paqëndrueshmëria ekonomike, shoqërore dhe politike e vendit. Papa dhe krerët e bashkësive të krishtera libaneze shkuan pastaj në Pallatin Apostolik, për të marrë pjesë në tre seanca konsultimesh me dyer të mbyllura, të moderuara nga nunci apostolik, imzot Spiteri.

Papa dhe Patriarkët e Libanit para Varrit të Shën Pjetrit
Papa dhe Patriarkët e Libanit para Varrit të Shën Pjetrit

Lutja ekumenike

Programi i Ditës përfundon në mbrëmje, në Bazilikën e Vatikanit, me lutjen ekumenike, gjatë së cilës do të lexohen disa fragmente nga Fjala e Zotit, të alternuara me lutje dhe këngë të traditave të ndryshme rituale, të pranishme në Liban, me tekste në gjuhën arabe, siriake, armene, kaldease. Kah fundi i kremtimit, shenja e njohur e krishterë, ajo e shkëmbimit të paqes përmes shtrëngimit të duarve, nuk do të mund të realizohet, për shkak të normave kundër koronavirusit, por disa të rinj do t’u japin krerëve të krishterë një llambë të ndezur, e cila më pas do të vendoset në një shandan: është shenja e shpresës për paqe në tokën e Libanit. Së fundi, fjalët e Papës Françesku i vënë vulën kësaj Dite lutjeje, ogurmirë për Vendin e Kedrave.

Papa ndez qiriun e tij
Papa ndez qiriun e tij
01 korrik 2021, 10:59