Kërko

VATICAN-HEALTH-VIRUS-RELIGION-POPE-ANGELUS VATICAN-HEALTH-VIRUS-RELIGION-POPE-ANGELUS 

Papa: Zoti bën gjëra të mëdha me gjestet tona të vogla

Papa: Jezusi na drejtohet me një ftesë, një ftesë e ngjashme me atë që mbase mori djali në Ungjillin e kёsaj sё diele, i cili nuk ka emër e në të cilin të gjithë mund ta shohim veten: ”Guxim, dhuro atё pak qё ke, talentet dhe pasuritë tua, vëni në dispozicion të Jezusit dhe të vëllezërve. Mos ke frikë, asgjë nuk do të humbasë, sepse, nëse bashkёndan, Zoti shumëfishon. Besoni në dashuri, në fuqinë e shërbimit, në forcën e dhuratës.

R.SH. - Vatikan

"Logjika e dhuratës është kaq e ndryshme nga e jona. Ne përpiqemi të grumbullojmë e të rrisim atë që kemi; Jezusi, përkundrazi, na kërkon të japim, t'i pakësojmë të mirat që kemi duke ua dhuruar atyre që kanë uri, duke i bashkëndarë me nevojtarët". Kёshtu pohoi mes tjerash Papa Françesku e gjatë lutjes mariane tё Engjёllit Tёnzot, nё mesditё nё Sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikan,  duke komentuar episodin e Ungjillit, të kёsaj sё diele tё 17-tё gjatё vitit kishtar, tё shumëzimit të bukëve dhe peshqve. Nё vijim fjalёt e Papёs para lutjes sё sotme martiane:

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Ungjilli i Liturgjisë së kësaj së diele rrëfen episodin e famshëm të shumëzimit të bukëve dhe tё peshqve, me të cilin Jezusi ushqen rreth pesë mijë njerëz që kishin ardhur për ta dëgjuar atë (krh. Gjn 6: 1-15). Është interesante të shohim se si ndodh kjo mrekulli: Jezusi nuk i krijon bukët dhe peshqit nga asgjëja, por vepron duke u nisur nga ato që i sjellin dishepujt. Njëri prej tyre thotë: "Këtu është një djalë që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq; por çfarë është kjo për kaq shumë njerëz? " (rr. 9). Është pak, nuk është asgjë, por është e mjaftueshme për Jezusin.

Le të përpiqemi tani ta vendosim veten në vendin e atij djali. Dishepujt i kërkojnë që të ndajë gjithçka që ka për të ngrënë. Duket një propozim i pakuptimtë. Pse të privosh një person, pёr mё tepёr një djalë, nga ajo që ai ka sjellë nga shtëpia dhe ka të drejtë të mbajë për vete? Pse t’i hiqet njërit, ajo që gjithsesi nuk është e mjaftueshme për t’i ushqyer të gjithë? Nё aspektin njerëzor është e palogjikshme. Por jo për Zotin. Madje, në të vërtetë, falë asaj dhurate të vogël, dhёnё falas, dhe për këtë arsye heroike, Jezusi mund t’i ushqejë të gjithë të tjerët. Është një mësim i madh për ne. Na tregon se Zoti mund të bëjë shumë me ato pak që ne i vëmë në dispozicion të Tij. Do të ishte mirë të pyesnim veten çdo ditë: "Çfarë mund t'i sjell Jezusit sot?". Ai mund të bëjë shumë me lutjet tona, me gjestin tonë të bamirësisë për të tjerët, madje edhe me mjerimin tonë dorëzuar mëshirës sё tij. Zotit i pëlqen të veprojë kështu: Ai bën gjëra të mëdha duke filluar nga dhuratat tona të vogla, që ua ofrojmë të tjerëve.

Të gjithë protagonistët e mëdhenj të Biblës - nga Abrahami te Maria e deri te djali i sotëm - e tregojnë këtë logjikë të vogëlsisë dhe tё dhuratës. Logjika e dhuratës është kaq e ndryshme nga e jona. Ne përpiqemi të grumbullojmë dhe tё rrisim atë që kemi; Jezusi, përkundrazi, kërkon të japë, të pakësojë. Neve na pëlqen të shtojmë, na pëlqejnë shtesat; Jezusit i pëlqejnë pakёsimet, duke marrë diçka për t'ua dhënë të tjerëve.

Ne duam të shtojmё e tё shumëzojmë për veten tonë; Jezusi vlerëson kur ne i ndajmë tё mirat me të tjerët, kur bashkёndajmë atë pak që kemi. Është kurioze fakti se në tregimet e historisë sё shumëzimit të bukëve të pranishme në Ungjij, nuk flitet kurrë pёr "shumëzim". Në të vërtetë, foljet e përdorura janë të kundërta: "të ndash", "të japësh", "të shpërndash" (krh. V. 11; Mt 14,19; Mk 6,41; Lk 9,16). Mrekullia e vërtetë, thotë Jezusi, nuk është shumëzimi dhe rritja e pasurisё që prodhon krenari e fuqi, por ndarja, bashkёndarja, e cila e rrit dashurinë dhe i lejon Zotit të bëjë mrekulli.

Edhe sot shumëzimi i tё mirave nuk i zgjidh problemet pa një ndarje të drejtë tё tyre. Më vjen ndërmend tragjedia e urisë, e cila prek veçanërisht fëmijët. Është llogaritur që rreth shtatë mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç vdesin çdo ditë nga ushqimi i pamjaftueshëm dhe i keq.

I ballafaquar me skandale si këto, Jezusi na drejtohet edhe me një ftesë, një ftesë e ngjashme me atë që mbase mori djali në Ungjillin e kёsaj sё diele, i cili nuk ka emër e në të cilin të gjithë mund ta shohim veten: ”Guxim, dhuro atё pak qё ke, talentet dhe pasuritë tua, vëni në dispozicion të Jezusit dhe të vëllezërve. Mos ke frikë, asgjë nuk do të humbasë, sepse, nëse bashkёndan, Zoti shumëfishon. Besoni në dashuri, në fuqinë e shërbimit, në forcën e dhuratës.

Virgjëra Mari, e cila iu përgjigj "po" propozimit të padëgjuar të Zotit, na ndihmoftë t’i hapim zemrat tona ndaj ftesës sё Zotit dhe ndaj nevojave tё tjerëve.

 

25 korrik 2021, 12:21

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >