Kërko

Papa Françesku: jemi një familje, askujt nuk duhet t’i mungojë uji e ushqimi

Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, së bashku me Komisionin Vatikanas Covid-19, botojnë një video, që përmbledh disa nga ftesat dhe thirrjet e Papës drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, që t’i zhdukë shkaqet e urisë e ta mbrojë dinjitetin e njeriut e të planetit.

R. SH. - Vatikan

Një fjalim-mozaik, nga i cili gurron thirrja e përhershme: uria në botë është problem që u takon të gjithëve. Ta zhdukësh, detyrë morale  planetare! E nuk do të jetë kurrë objektiv i arritshëm, nëse lufta kundër urisë nuk luftohet përkrah luftës për mbrojtjen e ambientit e, sidomos, nëse “familja njerëzore” do të vijojë të ketë bij e jetimë, njerëz me barkun plot, e njerëz me barkun bosh! Është kjo një përmbledhje e magjisterit të Papës lidhur me ujin e ushqimin, që e shikojmë në videon, prodhuar nga Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor dhe nga Komisioni vatikans Covid -19, përhapur këto ditë të para-samitit të OKB-së, kushtuar sistemeve ushqimore, që përfundoi dje në Romë.

Të prodhohet e të konsumohet ndryshe

Videoja propozon fragmente shkëputur nga fjalime të ndryshme papnore mbajtur gjatë viteve, por çka të prek, e jo më pak të çudit, duken si të ishin  pjesë të një fjalimi të vetëm, që synon ndryshimin  e sistemeve ushqimore. Ishte nëntori i vitit 2014, kur Papa i drejtohej Faos, duke kujtuar që “e drejta për ushqim do të mund të garantohet vetëm nëse shqetësohemi për subjektin e saj të vërtetë, domethënë, për njeriun që vuan nga pasojat e urisë a të ushqimit të papërshtatshëm. Si pasojë - thekson më tej - jemi të ftuar - po këtu koncepti i shprehur është i vitit 2017, gjithnjë në selinë e Faos për të propozuar ndryshimin stilit të jetës, të përdorimit të burimeve, kritereve të prodhimit e edhe të konsumit.

Shqetësimi për mungesën e “bukës së përditshme”

Për Papën, nuk mjafton  prodhimi i ushqimit. Ka rëndësi edhe që sistemet ushqimore të jenë qëndrueshme e të ofrojnë dieta të shëndetshme, për të gjithë (Mesazh për Ditën e ushqimit 2020); e këtu arrin edhe një citim i Gjon Palit II dhe i “paradoksit të tij mbi bollëkun” shqiptuar në vitin ’92 në Konferencën ndërkombëtare mbi ushqimin, paradoks për të cilin - sintetizon Françesku “ka ushqim për të gjithë, por jo të gjithë mund ta hanë!” (videomesazh për Expo-në e ideve- shkurt 2015). E të vdesësh nga uria, është një nga mënyrat më të këqija për ta zhveshur njeriun plotësisht nga dinjiteti: “Sa nëna e sa baballarë, akoma sot - kujtonte Françesku në audiencën e përgjithshme të 27 marsit 2019 - shkojnë të flejnë me mendimin e trishtë se të nesërmën nuk do të kenë bukë të mjaftueshme për të ushqyer fëmijët”.

Kujdes! Duhet ndërruar rruga!

Video përfundon me fraza-thirrje, atje ku Françesku kujton se “vëllezërit më të varfër e toka jonë nënë gjëmojnë për shkak të dëmeve e padrejtësive  që u shkaktojmë! Ndaj na kërkojnë të ndryshojmë rrugë! Na kërkojnë kthesë, kërkojnë kujdes për tokën e për gjithësinë (Audienca e përgjithshme e 16 shtator 2020). Këtu vijon një lutje, drejtuar Atit tonë që është në qiell:

“O Atë, premto që ne e të gjithë të kemi bukën tonë të përditshme! E kur themi bukë kemi thënë edhe ujë, ilaçe, strehë, punë…. Gjithçka duhet për të jetuar” (audienca e përgjithshme e 27 marsit 2019). E përfundon me një parrullë  të Fushatës së Karitasit 2013 të cilën Françesku, Papë prej pak muajsh, e bën të vetën në një audiencë të përgjithshme të dhjetorit  2013: “Një familje e vetme njerëzore, ushqim për të gjithë!”.

29 korrik 2021, 12:19