2021.04.23 Papa Francesco, primo piano 2021.04.23 Papa Francesco, primo piano 

Papa Françesku: faleminderit për mesazhet dhe lutjet

Papa Françesku ia beson një twitter-i, falënderimin drejtuar të gjithë atyre, që qenë - e janë - shpirtërisht pranë tij gjatë shtrimit në spitalin Gemelli të Romës. Urime për shërim të shpejtë vijojnë të arrijnë në Spital nga rregulltarë, presidentë e kryeministra, nga të katër anët e botës. E, doemos, spitali romak “është i rrethuar” këto ditë edhe nga miliona lutje, dalë nga zemrat e njerëzve të thjeshtë, të paemër… Atyre që kanë më shumë nevojë për shëndetin e Papës! Ashtu si Papa për ta!

R. SH. - Vatikan

“U preka thellë nga mesazhet e shumta dhe nga urimet, që mora e vijoj të marr këto ditë. I falënderoj të gjithë për afërsinë e për lutjen”. Ky, tweet-i i Papës Françesku, në faqen e tij të internetit @Pontifex.

Ndërmjet urimeve të para, që mori këto ditë Papa, janë edhe ato të cilat arritën në Gemelli nga Shqipëria: nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike, Kryeipeshki Angelo Massafra dhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Shenjtëri - lexojmë ndërmjet tjerash në një telegram dërguar Papës Françesku nga Zonja Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës – dëshiroj t’Ju përcjelli në emrin tim dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet më të përzemërta për një rimëkëmbje të shpejtë dhe shërim të plotë.

Në breshërinë e urimeve tashmë të përditshme, spikat ai i Shenjtërisë së Tij, Karekini II, Kryepatrik e Katolikos i të gjithë armenëve, i cili dje, duke iu drejtuar “Vëllait  të dashur në Krishtin”  e siguroi: “E lusim Zotin Qiellor t’ju ruaj e t’ju mbrojë me mëshirën e Tij e t’ju japë jetë të gjatë e shumë e shumë vjet papnie, ngarkuar me fryte të begata”.

Edhe presidentë e kryeministra të vendeve të ndryshme të botës, vijojnë t’i shprehin Papës afërsinë e tyre. Kështu presidenti i Republikës së Kinës (Taivan), Tsai Ing-Wen, që dërgoi një mesazh të hënën e kaluar. E po të hënën, edhe kryetari i Shtetit të Palestinës dhe i Komitetit ekzekutiv të Olp, Mahmoud Abbas, nga Ramallahu, shkroi: “E lusim së bashku Zotin, që t’ju japë shëndet për ta vijuar angazhimin Tuaj në shërbim të paqes e të dashurisë ndërmjet popujve”.

Dje, në spitalin romak Gemelli, arritën edhe urimet e presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tayyip Erdoğan që, duke i bërë Papës  edhe në emër të kombit, “urimet për shërim të shpejtë e të plotë”, shfrytëzon rastin për t’i uruar shëndet e mirëqenie Shenjtërisë së Tij si  dhe botës katolike”. Edhe presidenti i Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades, uron “në këto orë prove personale”, “shërim të shpejtë, duke shtuar edhe: “E lus Zotin tonë, Jezu Krishtin, t’i japë Shenjtërisë Suaj shëndet e forcë. Unë, qeveria ime e mbarë populli i Qipros, presim  shërimin Tuaj të plotë e të shpejtë”- përfundon.

Me ta, edhe presidenti i Republikës së Kubës, Miguel Díaz-Canel Bermúdez, që në emrin e tij si dhe të gjithë popullit e të qeverisë “formulon urimet më të mira për shërim të shpejtë pas ndërhyrjes kirurgjike”. Ndërsa pikërisht ditën e operacionit, të diel, më 4 korrik, arritën edhe përshëndetjet e Rául Castro Ruz i cili, duke i shprehur Papës urimin e tij e të popullit të tij, kujton se “Popujt kanë më shumë nevojë se kurrë për urtinë Tuaj e autoritetin tuaj moral”.

Lutje për shërim të shpejtë vijnë edhe nga presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, që shpreh besimin se Papa do t’i rifillojë shumë shpejt angazhimet e tij, për të vijuar t’i prijë Kishës Katolike dhe Selisë së Shenjtë e për ta mbështetur me dashuri e shpresë mbarë bashkësinë botërore, që ka shumë nevojë për ngushëllimin e tij shpirtëror, “në këto kohë kaq të vështira”.

07 korrik 2021, 15:44