Kërko

 Papa Francesco Papa Francesco

Papa bekon grupin e argjentinasve, që e thonë çdo ditë Rruzaren për viktimat e pandemisë

Papa Françesku i dërgoi bekimin e tij grupit të argjentinasve të cilët çdo ditë, duke nisur nga 3 qershori, e thonë Rruzaren, të mbledhur virtualisht së bashku, për të sëmurët e covid-19.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku i dërgoi bekimin e tij grupit të argjentinasve të cilët çdo ditë, duke nisur nga 3 qershori, e thonë Rruzaren për të sëmurët e covid-19, të mbledhur virtualisht së bashku.

“Pardje në mesditë i shkrova një mail, duke i treguar këtë përvojë e dje, pa kaluar as 24 orë, Papa m’u përgjigj”- pohon, duke folur për Agjencinë  Aica, Rodrigo Fernández Madero, i lëvizjes Entretiempo, bashkësi që koordinon nismën e lutjes mariane.

“I shumëdashur vëlla – shkruan Papa - të falënderoj për mesazhin mail. E edhe më shumë për Rruzaren! Ty dhe gjithë miqve të Entretiempo ju dërgoj  një përshëndetje të përzemërt si dhe bekimin tim. Përpara, kështu!”.

Komenton Rodrigo Fernández Madero: “Më duket një gjest dashurie pa fund nga ana e Papës, që më kushtoi gjithë këtë kohë, e menjëherë, ndërsa ka  shumë punë të tjera për të bërë. Deshi t’i tregonte kujdesin e dashurinë e tij kësaj pjese të Kishës, në Buenos Ajres, gjest i bukur, në këtë kohë kur bota mbarë flet për Papën. E kjo dëshmon se është gjithnjë pranë argjenstinasve, se lutet për ne, na shoqëron”.

Rodrigo Fernández Madero  kujton edhe se mesazhi i Papës ishte shumë ngushëllues për shpirtrat, edhe pse e mërkura qe ditë e trishtuar, për shkak të vdekjes së Javier Galli-t, një nga njerëzit e afërt, për të cilin grupi  qe lutur. E më pas shton se gruaja e të ndjerit u prek thellë, kur mori bekimin e Papës në një çast kaq prekës dhimbjeje…

Fernández Madero shpjegoi edhe se Rruzarja e përditshme nisi “spontanisht” më 3 qershor. Grupi u mblodh në lutje për dy miq të Entretiempo, të shtruar në spital për shkak të pasojave të coronavirusit. Ishin rëndë! E si mund t’i ndihmonin miqtë, më mirë se me Rruzaren?”.

“Nga kjo ditë çdo mbrëmje, në orën 22.00, lidhemi përmes Zoom për të nisur misteret e Rruzares. Fillimisht ishim vetëm 100 vetë, por tani shpesh e kalojmë numrin e 250 lidhjeve” shpjegon kreu i kësaj lëvizjeje. E çka na gëzon më tepër, është se me ne po bashkohen gjithnjë më shumë njerëz, që deri tani ishin larg fesë!”.

30 korrik 2021, 12:07