Kërko

Universiteti Papnor Gregorian Universiteti Papnor Gregorian 

Papa emëron tre anëtarë të rinj të Këshillit drejtues të Avepro

Papa emëron tre anëtarë të rinj të Këshillit drejtues të Avepro (Agjencia e Selisë së Shenjtë për Vlerësimin dhe Promovimin e cilësisë së Universiteteve dhe Fakulteteve Kishtare).

R. SH. - Vatikan

Emërime të reja nga Papa Françesku, sot paradite. Ati i Shenjtë emëroi tre anëtarë të rinj të Këshillit drejtues të Avepro (Agjencia e Selisë së Shenjtë për Vlerësimin dhe Promovimin e cilësisë së Universiteteve dhe Fakulteteve Kishtare). Janë Atë Henry Omonisaye, Këshilltar i Përgjithshëm i Kongregatës së Misionarëve Bij të Zojës së Papërlyer; Profesorët Anthony Paul McClaran, Rektor i St. Mary’s University në Londër dhe Antonio Felice Uricchio, President i Këshillit Drejtues të Agjencisë Kombëtare të Vlerësimit të Sistemit Universitar e të Kërkimit   (ANVUR).

“Agjencia e Selisë së Shenjtë për Vlerësimin dhe Promovimin e cilësisë së Universiteteve dhe Fakulteteve Kishtare, e krijuar nga Benedikti XVI me Kirografin e 19 shtatorit 2007, është institucion i lidhur me Selinë e Shenjtë. Ka për detyrë  të promovojë dhe të zhvillojë  kulturën e cilësisë brenda institucioneve akademike të varura drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë  dhe t’u sigurojë atyre kriteret cilësore të vlefshme në nivel ndërkombëtar”. Kështu lexohet në profilin zyrtar.

Agjencia bashkëpunon me institucionet akademike në përcaktimin e procedurave të vlerësimit të brendshëm të cilësisë së mësimdhënies, në kërkimin shkencor, në shërbimet, veprimtari që e realizon me përdorimin  e mjeteve operative (vijat udhëheqëse, pyetësorët, rrjetet informative etj etj,) Planifikon, veç të tjerash, procedurat e vlerësimit të jashtëm të institucioneve të ndryshme akademike, duke organizuar vizita specialistësh.

Agjencia punon në bashkëpunim me të gjitha subjektet e interesuara për jetën dhe progresin e Universiteteve dhe Fakulteteve kishtare: me vetë institucionet, me Kongregatën për Edukimin Katolik, konferencat ipeshkvnore, të gjitha autoritetet ndërkombëtare, kombëtare e rajonale, si dhe të gjithë ata që punojnë në dioqezat e ndryshme të vendeve, të cilat kanë seli institucionesh akademike kishtare.

30 korrik 2021, 12:03