Kërko

 Cardinale Albert Vanhoye Cardinale Albert Vanhoye

Ngushëllimet e Papës pёr vdekjen e biblistit të shquar, kardinalit Vanhoye

Papa: “E kujtojme me mirënjohje për veprën e tij, realizuar si rregulltar i zellshëm, si bir shpirtëror i Shën Injacit, specialist, pedagog, biblist me peshë, bashkëpunëtor i disa dikastereve të Kuries Romake”.

R. SH. - Vatikan

Në një telegram ngushëllimi, Papa Françesku shpreh dhimbjen e tij të thellë për humbjen e kardinalit Albert Vanhoye, studiues i shquar i Biblës, që ndërroi jetë të enjten, më 29 korrik, në Romë, pak ditë pasi kremtoi ditëlindjen e tij të 98 -të:

“Si mora lajmin për vdekjen e kardinalit Albert Vanhoye, dëshiroj t’i shpreh afërsinë time bashkësisë së Shën Pjetrit, Shoqërisë së Jezuitëve, familjarëve të të Ndjerit, si dhe të gjithë atyre, që e njohën dhe e nderuan, duke e kujtuar me dashuri dhe admirim këtë vëlla, që i shërbeu Zotit dhe Kishës me përkushtim të madh”.

Kështu shkruan Papa në telegramin e ngushëllit, e shton:

“Mendoj me mirënjohje për veprën e tij, realizuar si rregulltar i zellshëm, si bir shpirtëror i Shën Injacit, specialist, pedagog, biblist me peshë, bashkëpunëtor i disa dikastereve të Kuries Romake”.

Në telegram, Papa kujton edhe dashurinë e kardinalit Vanhoye për predikimin, me dëshirën e pasionuar për komunikimin e Ungjillit.

Jetëshkrim i shkurtër i Kardinalit Albert Vanhoye

Ish-rektor i Institutit Biblik Papnor dhe ish-sekretari i Komisionit Biblik Papnor, Albert Vanhoye lindi në 24 korrik 1923 në Hazebrouck, në dioqezën e Lil (Lille), në Francën veriore, jo shumë larg kufirit belg.

Hyri në Shoqërinë e Jezusit (Jezuitë) më 11 shtator 1941, bëri kushtet e tij të para tё jetёs rregulltare më 15 nëntor 1944, ndёrsa u shugurua meshtar më 26 korrik 1954 në Enghien, Belgjikë. U diplomua në letërsi në Sorbonne dhe në teologji në Universitetin e Enghien, më vonë mori një doktoratë në Shkrimet e Shenjta Biblike nё Institutit Biblik Papnor nё Romё në vitin 1961.

U krijua Kardinal nga Benedikti XVI

Specialist në ekzegjezёn a interpretimin e Letrës sё Hebrenjve, Albert Vanhoye u thirr në Romë në vitin 1963 për të dhënë mësim deri në vitin 1998. Rektor nga 1984 deri në 1990. Ndër detyrat e misionet e tij të shumta, kujtojmë se ishte anëtar i Komisionit Papnor Biblik nga 1984 deri më 2001 dhe sekretar nga viti 1990 deri më 2001; dhe nga viti 1980 deri më 1996 shërbeu edhe si këshilltar pranë Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit tё të Krishterëve.

Albert Vanhoye është një nga tre "meshtarёt mbi tetëdhjetë vjeç" që Benedikti XVI - në përfundim të audiencës së përgjithshëm së mërkurës sё 22 shkurtit 2006 – njoftoi se do të krijoheshin kardinaj, "nё saje tё shërbimeve tё kryera ndaj Kishёs me besnikëri shembullore dhe përkushtim të admirueshëm". Papa, në atë rast, e quajti Vanhoye "ekzegjet të madh". Jezuiti atё Vanhoye u krijua kardinal i Kishёs katolike romake në Koncistorin të 24 marsit 2006. Funerali i tij do të kremtohet nesёr më 31 korrik, në orën 11.00, nga Kardinali Leonardo Sandri.

30 korrik 2021, 15:40