Kërko

Lojërat Olimpike Lojërat Olimpike 

Medalja e vëllazërimit do të ishte medalja më e bukur

Ndërsa Tokio përgatitet t’i jetojë në atmosferën e pandemisë Lojërat Olimpike, ne kujtojmë mësimin e Papës Françesku për sportin, parë si udhë për të forcuar harmoninë ndërmjet popujve.

R. SH. - Vatikan

Ndokush i quan “Lojëra Olimpike të trishtuara”. Në Tokio, për t’i vënë pritë përhapjes së Covid-19, shkallët e stadiumeve do të jetë bosh, pa spektatorë. Nuk do të lejohen përqafimet e sportistëve e kampionët do t’i varin vetë medaljet në qafë, për të shmangur çdo kontakt. Një vit pas shtyrjes së Lojërave Olimpike, për shkak të pandemisë, Japonia  përgatitet ta jetojë ngjarjen e madhe sportive me ndjenja, që i kundërvihen njëra-tjetrës: gëzim e trishtim; krenari e shqetësim; fitore e frikë… Gjithsesi, në këto Lojra Olimpike që do të zhvillohen në mënyrë kaq të pazakontë,  për shkak të masave kundër rrezikut të infektimit, mund të dalë edhe më në pah vlera e një ngjarjeje që, duke nisur nga simboli i saj - pesë unazat e gërshetuara - të kujton menjëherë frymën e vëllazërimit e të harmonisë ndërmjet popujve. Mesazh, për të cilin bota e sotme ka më shumë nevojë se kurrë, ndërsa “të gjithë jemi në të  njëjtën barkë” dhe e përballojmë, ndërmjet vështirësive jo të pakta, ndryshimin e papritur epokal, me pasoja ende të paparashikueshme.

Papa Françesku e ka nëvizuar shumë herë forcën edukative që ka sporti për të rinjtë, rëndësinë “për ta vënë veten në lojë” e të “fair play” - domethënë, të lojës korrekte -  ashtu si - gjë që e bëri edhe gjatë ditëve të shtrimit në Gemelli – të vlerës së humbjes, sepse vlera e njeriut del më në pah kur humbet, sesa kur  triumfon, si në sport, ashtu edhe në jetë. Lidhur me këtë temë, Papa pati bërë në fillim të këtij viti, në një intervistë të gjatë botuar nga Gazeta e Sportit, këtë vërejtje: “Fitorja shoqërohet me një rrënqethje, që është e vështirë ta përshkruash, por edhe humbja ka në vetvete diçka të mrekullueshme. Diçka që më shtyn të them se kush fiton, nuk e di çka humbet”. Në një kohë kur vërejmë shumë copëzime e polarizime të të  gjitha tipeve, për Papën sporti mund të jetë, ashtu si e kujtuan sportistët e Special Olympicks, “një nga gjuhët universale, që i kapërcejnë ndryshimet kulturore e shoqërore, fetare e fizike, e arrijnë t’i bashkojnë njerëzit, duke i bërë të luajnë të njëjtën lojë e të jenë protagonistë të përbashkët të fitoreve e të humbjeve”.  

Natyrisht, ashtu si në rastin  e Kampionatit evropian të futbollit e të Kupës së Amerikës, nuk mungon kurrë vetëdija se lojtarët, që këmbehen njëri pas tjetrit në fushë a në pedanë, nuk i kursejnë energjitë, për të arritur fitoren. Frymë gare, që fuqizohet edhe më shumë nga zgjatja e pritjes së Lojërave të fundit Olimpike, atyre të 2016-tës, në Rio de Janeiro. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se Papa Françesku, që e ka vlerësuar shpesh përmasën  amatoriale e komunitare të sportit si dhe rolin shoqëror të tij, e di mirë  se veprimtaria sportive, posaçërisht në nivel profesionist, jeton më shumë me vetveten, sesa me të tjerët. “Tregojeni në çfarë majash mund të arrihet përmes lodhjes së ushtrimit, që kërkon impenjim të madh, e edhe flijime të mëdha”. E gjithë kjo - u pati thënë Papa notarëve italianë në qershorin e vitit 2018 - është mësim jete për bashkëmoshatarët tuaj”. Ja pra, atëhere, pse urohet që Lojërat Olimpike të Tokios të dinë  të bashkojnë tensionin e garës me frymën e unitetit. Sot, më shumë se kurrë, sfida nuk është vetëm të fitosh medaljen e artë - ëndërr e natyrshme  e sportistit olimpik - por të fitosh, “e këtë të gjithë së bashku” edhe medaljen e vëllazërimit njerëzor.   

19 korrik 2021, 11:53