Murales, kushtuar presidentit haitian, Moise Murales, kushtuar presidentit haitian, Moise

Haiti, Papa dënon vrasjen “e urryer” të presidentit

Telegram i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për nuncin e vendit karaibik. Thirrja e Papës Françesku: “Jo dhunës, si mjet për zgjidhjen e krizave dhe të konflikteve”. Lutje për gruan e presidentit, plagosur rëndë e shtruar në Miami

R.SH. - Vatikan

“Vrasje e urryer”. Me këto fjalë, Papa shpreh keqardhjen për vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, në Porte au Prince, natën ndërmjet 6 dhe 7 korrikut. Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e dërguar nuncit apostolik, Francisco Escalante Molina, Ati i Shenjtë “dënon çdo formë të dhunës si mjet për zgjidhjen e krizave dhe të konflikteve”.

Lutje për gruan e presidentit, plagosur rëndë

Në mesazh, Papa - i shtruar në Poliklinikën Gemelli, pas operacionit të së dielës – “i shpreh ngushëllimet popullit haitian” dhe gruas së presidentit, Martine Moise, e cila ka mbetur e plagosur. Fillimisht, konsideruar e vdekur, aktualisht, gruaja është shtruar në spital në Miami të Floridës. Ati i Shenjtë “ia rekomandon  Zotit” jetën e saj, siç thuhet në telegram, dhe i lutet “Atit të Mëshirës për prehjen e shpirtit të të ndjerit”.

Urimi për harmoni në të ardhmen

Papa Françesku shpreh “trishtimin e tij” për këtë episod gjakatar, kapitulli i fundit një historie tragjike si ajo e Haitit, mbushur me dhunë, pushtime, grushte shteti, shtypje dhe trazira, që kanë sjellë paqëndrueshmëri shoqërore, politike dhe ekonomike, rënduar nga tërmeti katastrofik i vitit 2010. Papa Françesku “i uron popullit të dashur haitian harmoni, solidaritet dhe begati në të ardhmen”, duke iu lutur Hyjit ta bekojë vendin dhe banorët e tij.

08 korrik 2021, 13:00