Papa: ka nga ata që duan krizën e Libanit, bota tё mbështesë rimëkëmbjen

Me një mesazh, Papa Françesku e mbylli Ditën e sotme tё Lutjes e Reflektimit pёr Libani në Bazilikën e Vatikanit, e cila filloi paradite me pjesëmarrjen e krerëve tё Kishave Lindore: mjaft me interesa dhe përfitime të disave, Toka e Kedrave është një mesazh universal i vëllazërimit, "tё kthehet nё vend ku rrezatoftё drita e paqes". "Gratë tё respektohen e tё përfshihen në proceset e vendimmarrjes".

R.SH. - Vatikan

“Kam dëshirë të vizitoj vendin tuaj”, u tha Papa Françesku Patrikëve e krerëve të Kishave të krishtera, pas lutjes ekumenike, që përfundoi Ditën kushtuar Libanit në Vatikan. Ati i Shenjtë Bergoglio shpjegoi se kjo Ditë Lutjeje e Reflektimi u organizua për të dëgjuar “britmën e popullit libanez, të zhgënjyer e të rraskapitur, me nevojën për siguri, shpresë e paqe”. “Ky vend i dashur, - nënvizoi Papa - thesar qytetërimi e përshpirtërie, i cili ka rrezatuar urti dhe kulturë gjatë shekujve, që dëshmon një përvojë unike të bashkëjetesës paqësore, nuk mund të lihet në mëshirën e fatit, ose të atyre që ndjekin interesa të paskrupullta. Sepse Libani është një vend i vogël/i madh, por edhe më shumë: është një mesazh universal paqeje dhe vëllazërimi, që lartohet nga Lindja e Mesme”.

Libani duhet të mbetet projekt për paqen

Zoti, vërejti Ati i Shenjtë, ka plane për paqe, jo për fatkeqësi, prandaj, Libani duhet të mbetet projekt për paqen. E duke iu drejtuar strukturave të pushtetit, Papa e ngriti zërin në mbrojtje të popullit të martirizuar: “Mjaft me përdorimin e Libanit dhe të Lindjes së Mesme për interesa dhe fitime të huaja! Libanezëve duhet t’u jepet mundësia të jenë protagonistë të një ardhmërie më të mirë, në tokën e tyre, pa ndërhyrje të panevojshme”.

Thirrja e Papës për shoqërinë libaneze

Duke iu referuar parimit të vëllazërimit njerëzor, aq të dashur për të, Françesku i bëri thirrje gjithë bashkësisë ndërkombëtare të impenjohet për ta ruajtur planin e paqes, që Zoti ka për Libanin, pa e lënë vendin të fundoset. Por, iu drejtua edhe vetë libanezëve, duke u kërkuar të mos shkurajohen e ta gjejnë shpresën në rrënjët e historisë së tyre; iu drejtua politikanëve, që të gjejnë zgjidhje urgjente dhe të qëndrueshme për krizën aktuale, duke u kujtuar se pa paqe s’ka drejtësi; u foli libanezëve të diasporës, që t’i vënë energjitë e tyre në shërbim të atdheut.

Bashkëpunim ndërmjet feve

E ardhmja, theksoi Papa, do të jetë e begatë vetëm nëse e ndërtojmë dhe e gëzojmë të gjithë bashkë. “Marrëdhëniet ndërmjet njerëzve nuk mund të bazohen në kërkimin e interesit, të privilegjit e të fitimit të njëanshëm”. Ne të krishterët, i kujtoi Papa Françesku një vendi ku ata janë shumica, rreth 56% e popullsisë, jemi të thirrur të mbjellim farën e paqes e të bëhemi protagonistë të vëllazërimit, pa shikuar problemet e së kaluarës, pa u ikur përgjegjësive të së tashmes, më vështrimin plot shpresë për të ardhmen. “T’u sigurojmë prandaj, edhe vëllezërve e motrave tona myslimane e atyre të feve të tjera – kërkoi Ati i Shenjtë – gatishmërinë për të bashkëpunuar në krijimin e vëllazërimit e në promovimin e paqes”.

Të rinjtë, fëmijët, gratë

Papa Françesku, duke komentuar gjestin e të rinjve, që u sollën krerëve të krishterë një llambë të ndezur, në shenjë shprese për Libanin, kërkoi që ata të dëgjohen e ëndrrat e tyre të merren parasysh kur duhet vendosur për fatet e vendit. Po ashtu, këshilloi të shihen sytë me lot të fëmijëve, për të menduar zgjidhjet më të mira e të përfshihen gratë në vendimarrje. Duke përmendur Zojën e Harisës, që i hap krahët nga Bejruti drejt Mesdheut, Papa Françesku nënvizoi se duhen vlerësuar e respektuar gratë, që japin jetë e shpresë për të gjithë.

Libani rrezatoftë sërish dritën e paqes

“Në natën e krizës duhet të qëndrojmë të bashkuar”, perifrazoi Papa poetin e njohur të krishterë libanez Khalil Gibran. E ndërsa ia besoi Krishtit, Princit të Paqes, të gjitha përpjekjet për të sjellë pakëz dritë në Liban, Ati i Shenjtë Bergoglio u lut: “U zhduktë nata e konflikteve e u ngjalltë një agim shprese. Pushofshin armiqësitë, perëndofshin mosmarrëveshjet dhe Libani rrezatoftë sërish dritën e paqes”.

01 korrik 2021, 19:23