Kërko

2021.01.28 Talitha Kum Giornata internazionale contro la Tratta_ENG 2021.01.28 Talitha Kum Giornata internazionale contro la Tratta_ENG

Dita kundër trafikut. Papa: “të shndërrohet ekonomia e trafikut, në ekonomi të kujdesit”

Sot, e premte, 30 korrik, në mbarë rruzullin kremtohet Dita botërore e themeluar nga OKB-ja, kushtuar luftës kundër tregtimit të njerëzve, plagë e hapur në trup të njerëzimit, që prek dinjitetin e gjithë botës! Papa Françesku, që i kushton vazhdimisht vëmendje të veçantë, e kujton sot me një tweet. Ndërsa rrjeti global kundër-trafikut Talitha Kum, në të cilin aktivizohen më se 3 mijë rregulltare, laike e laikë, vë në jetë një mori nismash, në të katër anët e botës.

R.SH. - Vatikan

Sot, në të gjithë botën, kremtohet Dita Ndërkombëtare kundër trafikimit të njerëzve. Sipas vlerësimeve të OKB-së, viktimat e trafikimit arrijnë mbi 40 milion vetë, prej të cilëve një e katërta, nën moshën 18-vjeçare, siç denoncon organizata “Save the children”.

Sot, e premte, 30 korrik, kur në mbarë botën kremtohet Dita botërore e themeluar nga OKB-ja për t’iu kundërvënë trafikut të njerëzve, plagë e hapur në trupin e sëmurë të Planetit e njollë e turpshme mbi ballin e mbarë njerëzimit, në faqen papnore të internetit @Pontifex, lexojmë një tweet të ri, përmes të cilit Papa  i drejton mbarë botës thirrjen e tij:

“Në#DitënBotërorekundërTrafikut, i ftoj të gjithë të punojnë së bashku me viktimat për ta shndërruar ekonominë e trafikut, në ekonomi të kujdesit”.

Papa Françesku vijon, kështu, ta ftojë njerëzimin të punojë me frymë krijuese, në shërbim të së mirës, duke e luftuar kulturën e hedhurinës e duke mbrojtur të drejtat e njeriut. Kjo do të thotë t’i kundërvihesh me të gjitha forcat shfrytëzimit të njerëzve, t’i ndezësh të gjithë reflektorët e mundshëm mbi një dramë, që shkatërron jetën e grave e të burrave në vende të ndryshme të botës. E ky është edhe qëllimi i Ditës së sotme Botërore kundër trafikut të Njerëzve, shpallur më 2013 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së,  kremtuar sot, më 30 korrik.

Kujdes e respekt

“Duhet të kujdesesh për të afërmin. Ta mjekosh të plagosurin. Ta çlirosh nga skllavëria njeriun, që e shesin në treg, si të ishte bagëti. Në shekullin XXI”. Për këtë punon Talitha Kum, Rrjeti Ndërkombëtar i Jetës rregulltare, që i kushtohet luftës kundër trafikut. E këtë e bën përmes fushatës “Care Against Trafficking”, që nisi  një javë më parë, me bindjen se në luftën kundër trafikut, kujdesi mund të ketë njëmijë forma e fytyra:  mund të ketë formën e kujdesit për kë është në rrezik, të kujdesit për  viktimat e për të mbijetuarit, të çlirimit të skllevërve të botës moderne, etj, etj.

Si një pikë uji në oqeanin pa anë e pa fund, gjatë kësaj fushate në mbarë botën nisën të lulëzojnë një mori nismash, nga kontinenti aziatik, në atë amerikan.

E në të gjitha këto vise, jehon ftesa e re përmes tweetit të Papës: “Punoni së bashku me viktimat, për ta shndërruar ekonominë e trafikut, në ekonomi të kujdesit”.

30 korrik 2021, 12:13