Zoja e Harisës, Mbretëresha e Libanit Zoja e Harisës, Mbretëresha e Libanit

Thirrje e Papës: Libani t’i tregojë botës fytyrën e vet të paqes e të shpresës

Në fund të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku i ftoi besimtarët të bashkohen në lutje më 1 korrik, në Vatikan, me krerët e Kishave të vendit të Kedrave. Urimet më të mira për gazetën “L'Osservatore Romano” në 160-vjetorin e themelimit: “Faleminderit për shërbimin tuaj”

R.SH. - Vatikan

Një thirrje e re për Libanin e munduar. Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku i nxiti besimtarët të bashkohen në lutje më 1 korrik, kur krerët e Kishave të krishtera në vendin e Lindjes së Mesme do të takohen në Vatikan për t’u lutur, për të dialoguar dhe për të reflektuar mbi të ardhmen e kësaj toke.

Të bashkuar shpirtërisht për Libanin

         Nga dritarja e Pallatit Apostolik, Ati i Shenjtë kujtoi temën e Ditës së veçantë të lutjes për Libanin: “Zoti ka plane për paqen”.

         “I ftoj të gjithë të bashkohen shpirtërisht me ne, duke u lutur që Libani ta zgjidhë krizën e rëndë, që po kalon e t’i tregojë sërish botës fytyrën e vet të paqes e të shpresës”.

Dialog, lutje, qirinj të ndezur

         E enjtja do të ketë disa çaste të rëndësishme, duke filluar nga procesioni drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, në të cilin do të marrin pjesë Papa dhe përfaqësuesit e Kishave Ortodokse dhe Katolike, të pranishëm me ritet dhe traditat e tyre, si edhe anëtarë të bashkësive të ndryshme kishtare të lindura nga Reforma. Në Shën Pjetër, të gjithë së bashku do të zbresin shkallët nën altarin e Rrëfimit të Shën Pjetrit Apostull. Secili do të ketë një qiri në shenjë të lutjes që përflak zemrat e do të kërkojë ndërmjetësimin e apostullit. Pastaj, një tryezë e rrumbullakët, e moderuar nga nunci Joseph Spiteri, me dhjetë krerët e bashkësive të krishtera libaneze. Së fundi, lutja ekumenike në Bazilikë, ku do të alternohet traditat e Kishave të ndryshme të Libanit, me tekste në gjuhën arabe, siriake, armene, kaldease. Në përfundim, disa të rinj do të dorëzojnë një llambë të ndezur, e cila do të vendoset në një shandan, shenjë e asaj shprese për paqe, që brezat e rinj ua kalojnë përgjegjësve për fatin e Tokës së Kedrave.

160-vjetori i L’Osservatore Romano, “gazeta e partisë”

Më 1 korrik kremtohet edhe një përvjetor i rëndësishëm: 160-vjetori i edicionit të parë të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. Po në fund të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku e përmendi “‘gazetën e partisë’, siç e quaj unë”, tha ai, duke kujtuar ç’pati pohuar gjatë kthimit nga Rumania, në qershor 2019: “Do të ishte mirë ta lexoni ‘gazetën e partisë’, sepse atje ka interpretime shumë interesante”. “Urimet më të mira dhe shumë falënderime për shërbimin tuaj”, nënvizoi Papa sot, duke i nxitur gazetarët të vazhdojnë punën “me besnikëri dhe krijimtari”.

29 qershor 2021, 14:56