Shenjtërorja e Loretos Shenjtërorja e Loretos  

Telefonata e Papës për marshimin e paqes Macerata-Loreto

“Shikoni horizontin e mos ecni vetëm”: ky është ‘sekreti’ për të përparuar në jetë e për të mos u sjellë më kot”. E kujtoi Françesku në bisedën telefonike me imzot Giancarlo Vecerrica-n, me rastin e shtegtimit për paqe Macerata-Loreto. Është shtegtimi i 43-të, me temë: “Kur të shikoj ty, shikoj shpresën”.

“Shpresa është aty, shpresa nuk të zhgënjen”: kështu i inkurajoi Françesku mbrëmë - në telefonatën tashmë tradicionale me imzot Giancarlo Vecerrica-n - të gjithë ata, që morën pjesë virtualisht, për shkak të pandemisë, në marshimin që organizohet që prej 40 vjetësh në Macerata-Loreto, për të  kërkuar paqen. “Një telefonatë, që arrin në mbarë botën” - theksoi  imzot Vecerrica, ipeshkëv nderi i Fabriano-Matelica, ideatori dhe shpirti i Shtegtimit Macerata-Loreto, duke shprehur gëzimin, që buroi nga inkurajimi i Papës.

Udha, pasqyrim i jetës

Papa iu drejtua të gjithë atyre që mbrëmë ishin për udhë: “udhë virtuale, por gjithsesi, udhë”, sepse ka udhë e udhë - kujtoi - duke nënvizuar se udha është gjithnjë pasqyrim i jetës e duke vijuar me fjalët: “Secili nga ne mund të pyesë: po unë a shtegtoj drejt shpresës, apo sillem e përsillem pa ditur ç’po bëj? Ec në jetë, apo sillem e sillem e sillem, pa ditur ku po shkoj? Jeta ime është për udhë drejt horizontit - domethënë shpresës - apo është thjesht shëtitje, që nuk e di nga nis e ku mbaron, labirint, që sillet e sillet, pa dalje!”.

Shpresa dhe tjetri

Imzot Vecerrica  i drejtoi Papës pyetjen: “Si duhet të sillemi, për të mos e lënë të shkojë kot këtë dramë, që po e jetojmë? - duke nënkuptuar pandeminë.

Papa u përgjigj: “Po ju them ju të gjithëve, atë që jetoj unë”. E në vijim kujtoi se “shpresa nuk të zhgënjen kurrë”, për të folur më pas, për udhën, horizontin, afërsinë me tjetrin.

“Të ecësh drejt horizontit: kjo është shpresa” - tha Françesku, duke nënvizuar se “në do të ecësh mirë, duhet të shikosh horizontin e të mos ecësh kurrë vetëm. Të ecësh me të tjerët, duke ndihmuar njëri-tjetrin e  duke dhënë shpresë në çastet e vështira: atë shpresë të cilën, kur e humbet, të ndihmon ta rigjesh ai që ke pranë”.

Inkurajim

“Ec sot, i dashur vëlla, e dashur motër, ec e ec duke shikuar horizontin!”. Këto fjalët e Papës, që në vijim u drejtoi shtegtarëve thirrjen: “Këndo e ec”. Nëse këndon, do të thotë se ke gëzimin në zemër, e kur zemra është përplot me gëzim, ecën drejt shpresës”.

Bekimi

Do të jem pranë jush - i siguroi Papa të rinjtë - Zoti ju bekoftë të gjithë. E Zoja ju ruajtë!

13 qershor 2021, 11:44