Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Sot, te Papa, edhe një superhero: Njeriu Merimangë, që i bën të qeshin fëmijët e sëmurë

Françesku, në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, nuk kaloi pa u vërejtur edhe një djalosh, me kostumin e personazhit të famshëm të filmave vizatimorë. Historia e tij, treguar nga L’Osservatore Romano, që do të dalë pasdite, lidhet ngushtë me atë të shumë fëmijëve të shtruar në spitalet pediatrike. Françesku përshëndeti edhe një gjyshe 95 vjeçe që, si e mundi kovidin, u nis për Romë, përkrah me të nipin, për të marrë një bekim nga Papa.

R. SH. - Vatikan

Spiderman është mbiheroi i mirë. E edhe nëpunës në një ndërmarrje  në Vado Ligure. Por, pas pune, vë maskën, vesh kostumin e Njeriut Merimangë e cak - me një kërcim, që vetëm ai di ta bëjë, e ke pranë krevateve të fëmijëve të sëmurë ndër spitale. Ndërsa sot, në audiencën e përgjithshme, në Oborrin e Shën Damasit, Spiderman jo vetëm që e hoqi maskën e superheroit, por u tregoi të gjithëve kush ishte: Mattia Villardita, 28 vjeçar - e tregoi edhe misionin e tij në repartet pediatrike të poliklinikës Agostino Gemelli, ku do të shkojë me nismën e Inspektoriatit të sigurimit publik  të Vatikanit, me bandën mizikore  të Policisë së Shtetit.

“Po superheronjtë e vërtetë janë fëmijët, që po vuajnë, e familjarët e tyre, që e luftojnë sëmundjen me shpresë.”- thotë Mattia. - “vishem si Spiderman, për t’u shkëputur një buzagaz më të vegjëlve, shtruar në spitale; e  bëj këtë, sepse kam një sëmundje të bashkëlindur e, për 19 vjet rresht s’kam bërë tjetër, veç hyrë e dil në spitalin Gaslini të Gjenovës, e do të më kishte pëlqyer shumë, kur isha i vetëm, në krevatin tim, të shikoja Spiderman-in  duke hyrë nga dritarja e dhomës sime...”. E po, kështu bëhet njeriu-merimagë- me zemër! Jemi një grup të rinjsh - vijon Mattia - të angazhuar në vullnetariat e që, të veshur si heronj, çojmë disa çaste gazmore  në repartet pediatrike. E vura për herë të parë këtë maskë 4 vjet më parë - kujton. Ishte Dita e Krishtlindjes; duhej të dorëzoja një kompjuter në San Paolo di Imperia e desha të shpik diçka, që do t’i bënte të qeshnin fëmijët, të cilët po jetonin, çka kisha jetuar edhe vetë.

Për mision… në Gemelli

Spiderman e ka kryer misionin e tij edhe në lockdown: “Kam bërë 1400 videothirrje, mbasi nuk mund të shkoja pesonalisht” – kujton. Mattia i ndjek fëmijët gjithnjë, përmes lidhjes me prindërit, edhe kur janë në shtëpi: “Organizojmë festa të papritura ose, thjesht, dorëzojmë ndonjë picë”.

Vitin e kaluar Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella, i dorëzoi Medaljen “Për Merita” sepse, shkruhet në motivacion: “Me altruizëm e nisma plot fantazi jep ndihmesën e vet për lehtësimin e vuajtjes së pacientëve më të rinj, të shtruar në spitale”.

Mund të ishte përkufizimi i përkryer i superheroit: “Njeri, që përpiqet ta bëjë botën më të mirë se e gjeti”.

23 qershor 2021, 13:31