2020.06.06 Sacro Cuore di Gesù Cristo 2020.06.06 Sacro Cuore di Gesù Cristo

Papa: zemrat tona t’i përngjajnë zemrës sё Krishtit

Papa: “Në këtë muaj të qershorit, të kushtuar veçanërisht Zemrës sё Krishtit, ne mund të përsërisim një lutje të thjeshtë: "Jezusi, bёj qё zemra ime t’i përngjajë zemrës tёnde". Kёshtu, edhe zemra jonë, pak nga pak, do të bëhet më e durueshme, më bujare, më e mëshirshme...…”.

R.SH. - Vatikan

“Në këtë muaj të qershorit, të kushtuar veçanërisht Zemrës sё Krishtit, ne mund të përsërisim një lutje të thjeshtë: "Jezusi, bёj qё zemra ime t’i përngjajë zemrës tёnde". Kёshtu, edhe zemra jonë, pak nga pak, do të bëhet më e durueshme, më bujare, më e mëshirshme...…”. Kёshtu pohon Papa Françesku sot, nё njё tweet, nё faqen @Pontifex.

Zemra e Krishtit është simbol real; e na fal gjithmonë

Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar; dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit. Kështu u shpreh Papa gjatё lutjes se Engjëllit Tёnzot tё 9 qershorit 2009 në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan. Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, vërejti Papa, duke kujtuar se festa e Zemrës sëKrishtit, kremtuar në Kishë të premten e kaluar, i jep tonin të gjitha ditëve të muajit qershor. Përshpirtëria popullore, shtoi Ati i Shenjtë, i vlerëson shumë simbolet; e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit: “Por nuk është ndonjë simbol i trilluar, është i vërtetë, përfaqëson qendrën, burimin prej nga gurron shëlbimi për mbarë njerëzimin”. Fragmente të ndryshme ungjillore nënvizojnë se nga Zemra e Jezusit buron falja e jeta, për të gjithë njerëzit: “Por mëshira e Jezusit nuk është vetëm ndjenjë; është edhe forcë; forcë, që jep jetë, që e ringjall njeriun”.

Ta lëmë Zotin të na pushtojë me dashuri

Ta lësh Zotin të të dojë me gjithë dhembshurinë e tij, nuk është e lehtë: por pikërisht këtë hir duhet t’ia kërkojmë: është porosia e Papës gjatë Meshës kremtuar më 7 qershor 2013 në Kapelën e Shën Martës nё Vatikan, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit. Jezusi na deshi shumë, jo me fjalë, por me vepra e me gjithë jetën e vet.

Papa Françesku solemnitetin e Zemrës së Krishtit e quajti “Festë e Dashurisë” së një Zemre, që na deshi aq shumë. Dashuri e cila, siç përsëriste Shën Injaci Lojolёs, shprehet më tepër me vepra, sesa me fjalë e që, sidomos, di më shumë të japë, sesa të marrë. Këto dy kritere, theksoi Papa, janë dy shtyllat e dashurisë së vërtetë. E është Jezusi, Bariu i Mirë, Ai, që e përfaqëson gjithë dashurinë e Hyjit. Ai i njeh delet e veta një për një, sepse, shtoi Papa Françesku, dashuria nuk është abstrakte, as e përgjithshme: është dashuri për secilin: “Dashuri e një Zoti, që na afrohet për dashuri, ecën me popullin e vet e kjo ecje arrin në një pikë të papërfytyrueshme. Nuk mund të mendohet kurrë që një Zot të bëhet një prej nesh dhe të ecë përkrah nesh, të rrijë me ne, të rrijë në Kishën e vet, të rrijë në Eukaristi, të rrijë në Fjalën e Tij, të rrijë në të varfërit, pranë e pranë deleve të veta, të cilat i njeh një për një”.

Duke shpjeguar fragmentin nga Libri i Ezekielit Profet, Papa vuri theksin mbi një aspekt tjetër të dashurisë: kujdesin për delen e humbur e për atë të plagosur e të sëmurë: “Dhembshuri! Zoti na do me dhembshuri. Zoti e di mirë shkencën e bukur të përkëdheljeve, të dashurisë. Nuk na do me fjalë. Na afrohet e na e jep këtë dashuri butësisht. Afërsi e dhembshuri! Këto janë dy mënyrat e dashurisë së Zotit, që na vjen pranë e na e jep gjithë ngrohtësinë e tij me gjëra edhe të vogla: me dhembshuri. E kjo është dashuri e fortë, sepse afërsia e dhembshuria na bëjnë ta shikojmë forcën e dashurisë së Zotit”. “Po ju, a më doni, ashtu si ju desha unë?”. Këtë pyetje bëri Papa Françesku, duke nënvizuar se dashuria duhet t’i shkojë pranë të afërmit, duhet të jetë si ajo e Samaritanit të Mirë e, posaçërisht, duhet të jetë afërsi plot dhembshuri.

Por, si mund t’ia shpërblejmë Zotit gjithë këtë dashuri? Ishte kjo, një pikë tjetër, mbi të cilën u ndalua Papa. Pa dyshim, duke dashur, duke jetuar pranë Tij, plot ndjeshmëri për Të, por kjo nuk mjafton: “Kjo mund të duket herezi, por është e vërteta më e madhe! Më vështirë se ta duash Zotin, është ta lësh të të dojë! Mënyra për t’i ridhënë shumë dashuri, është t’ia hapësh zemrën e ta lesh të hyjë aty. Ta lësh të të afrohet, ta ndjesh pranë. Ta lësh të jetë i ëmbël me ty, të të përkëdhelë! Kjo është shumë e vështirë: ta lësh të të dojë! E është pikërisht ky hir, që duhet ta lypim në Meshën sotme: ‘Zot, unë dëshiroj të të dua, por ma mëso shkencën e vështirë, zakonin e vështirë, të ta hap zemrën, që Ti të më duash, ta ndjej afërsinë tënde e dhembshurinë tënde. Zoti na e dhënë këtë hir!”.

04 qershor 2021, 12:49