Papa: ungjillëzimi, jo për ndonjë elitë, Kisha është familje e familjeve

Në një videomesazh për pjesëmarrësit e Forumit mbi rezultatet e zbatimit të Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, Papa Françesku nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet klerit, çifteve të martuara dhe familjeve, në misionin e ungjillëzimit

R.SH. - Vatikan

“Çast i frytshëm për Kishën, barinjtë e saj dhe laikët, që të bashkohen për të dëgjuar nevojat konkrete të familjeve”. Sipas Papës Françesku, ky është Forumi, organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, për të diskutuar mbi strategjitë e zbatimit të Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, pesë vite pas publikimit të saj, në mars 2016. Ati i Shenjtë iu drejtua sot pjesëmarrësve me një videomesazh, ku thekson se Forumi, i mbajtur në formën e uebinarit, përfaqëson një çast thelbësor dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë, konferencave ipeshkvnore, lëvizjeve dhe shoqatave familjare në udhën e Vitit të Familjes Amoris Laetitia, shpallur nga vetë Bergoglio në Engjëllin e Tënzot të 27 dhjetorit 2020.

 Forumi mbahet nga 9 deri më 12 qershor e në të marrin pjesë rreth 350 delegatë të Zyrave për Familjen nga më se 60 konferenca ipeshkvnore dhe nga më se 30 lëvizje ndërkombëtare katolike. Pjesëmarrësit po reflektojnë mbi temën “Në ç’pikë kemi arritur me Amoris Laetitia? Strategjitë për zbatimin e Nxitjes Apostolike të Papës Françesku”.

Të nxitet reflektimi kishtar mbi familjen

Duke vënë menjëherë në dukje temën e takimit, Papa Françesku pohon se ajo “synon të nxisë shoshitjen e frytshme kishtare mbi stilin dhe qëllimet e baritorisë familjare të Kishës në perspektivën e ungjillëzimit të ri”. Ati i Shenjtë kujton se “Amoris Laetitia” është fryt i një reflektimi të thellë sinodal mbi martesën dhe familjen, prandaj, kërkon punë  e durim në zbatimin, por sidomos në shndërrimin e saj në mision për të gjithë.

Të përfshihen familjet në ungjillëzim

Papa Françesku e fton Kishën t’i dëgjojë aktivisht familjet dhe t’i konsiderojë ato subjekte të baritorisë kishtare, sidomos në përballimin e pandemisë, e cila “e ka lënduar jetën familjare dhe bashkimin e saj intim të dashurisë”. Ati i Shenjtë nënvizon se për t’u përçuar familjeve dhe të rinjve dashurinë e Zotit, Kisha ka nevojë:

“…për ndihmën e vetë familjeve, për përvojën e tyre konkrete të jetës dhe të bashkimit. Kemi nevojë – thekson Françesku - për çifte përkrah barinjve të Kishës, që ecin bashkë me familje të tjera për t’i ndihmuar më të ligështit, për të kumtuar se, edhe në vështirësi, Krishti është i pranishëm në Sakramentin e Martesës e u dhuron ëmbëlsi, durim dhe shpresë të gjithëve, në çdo situatë të jetës”.

Papa pohon se gjithë të pagëzuarit janë “protagonistë të ungjillëzimit” dhe nënvizon se duhen lënë mënjanë mesazhet thjesht teorike, të palidhura me problemet e vërteta të njerëzve, ashtu si edhe ideja se ungjillizimi i rezervohet ndonjë elite baritore.

Bashkëpërgjegjësi në mision

“Martesa, ashtu si meshtaria, shërben për ta përforcuar Popullin e Zotit dhe u jep një mision të veçantë bashkëshortëve në ndërtimin e Kishës”, thekson Papa Françesku, i cili e ka konsideruar gjithnjë familjen si Kishë shtëpiake, “ku prania sakramentore e Krishtit vepron në marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve dhe në ato ndërmjet prindërve e fëmijëve”. “Përvoja e dashurisë në familje – pohon Ati i Shenjtë në videomesazh - është burim i përhershëm force për jetën e Kishës”. Në këtë këndvështrim, çiftet e martuara dhe kleri kanë përgjegjësi të përbashkët në kujdesin për familjen si kishë shtëpiake.

“Ne, barinjtë e Kishës – vëren më tej Papa – duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të na shndrisë, që ky kumt shëlbimi të realizohet nga çiftet e martuara, të cilat shpesh janë aty, të gatshme, por të pathirrura” e të papërfshira në veprimtaritë kishtare. Por, shton Françesku, ashtu si “mashkulli e femra, që plotësojnë njëri-tjetrin, kombinohen në thurjen e indit të familjes, ashtu edhe sakramentet e Urdhrit Shenjt dhe të martesës janë që të dy të domosdoshëm për ndërtimin e Kishës si familje e familjeve”.

Një vështrim i freskët mbi “Amoris Laetitia”

Papa i fton pjesëmarrësit e Forumit në internet ta shikojnë me sy të ri Nxitjen Apostolike për t’ia përshtatur përparësitë baritore, që këshillohen në të, nevojave konkrete të Kishës lokale, duke i vënë në jetë me krijimtari dhe zell misionar.

“Në vazhdën e vlerës programatike të ‘Evangelii gaudium’ dhe të programit konkret baritor, përshkruar në Amoris laetitia për baritorinë familjare, shpresoj që të gjitha bashkësitë do të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të ecur në rrugën e kthesës baritore dhe misionare, për të mos i lënë gjërat siç janë aktualisht”, kërkon Papa.

Ati i Shenjtë kërkon edhe të mendohet veçanërisht për formimin e laikëve, sidomos të bashkëshortëve e të familjeve, duke pasur parasysh sfida si “përgatitja për martesë, shoqërimi i çifteve të reja, edukimi, kujdesi për të moshuarit, afërsia me familjet problematike e për ato, që brenda bashkimit të tyre, duan ta jetojnë në plotësi përvojën e krishterë”. Duke ua besuar pjesëmarrësit e Forumit Shën Jozefit, fatit të Virgjërës Mari, Papa uron të krijohet një rrjet, që mund të ndihmojë në kumtimin e frytshëm të Ungjillit të familjes, në përgjigje të shenjave të kohrave.

09 qershor 2021, 14:46