Delegacioni i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës Delegacioni i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës 

Papa ortodoksëve: t’i shembim paragjykimet e vjetra e t’i kapërcejmë rivalitetet e dëmshme

Françesku priti një përfaqësi të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, kryesuar nga metropoliti Emmanuel i Kalçedonisë, natën e solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal. “Kovidi ishte një shuplakë, por edhe mësim përvujtërie, për të jetuar e për të dalë shëndosh nga një botë e sëmurë”.

E quajti “shenjë bashkimi real, edhe pse akoma i paplotë” Papa, shkëmbimin e përvitshëm të delegacioneve të Kishës së Romës e asaj të Kostantinopojës në festat e Pajtorëve të tyre. Për t’i shprehur, në vijim, Shenjtërisë së Tij, Bartolomeut dhe Sinodit të Shenjtë, mirënjohjen për këtë vizitë të shumëdëshiruar.

Gjatë takimit, Papa u ndalua tek situata e jashtëzakonshme, në të cilën kremtohet sivjet festa e Shenjtorëve Pjetër e Pal, në një botë, që vijon luftën për të dalë nga kriza dramatike, shkaktuar nga Pandemia. Kjo shuplakë ishte një provë e rëndë, që i preku të gjithë e gjithçka. Kështu u shpreh Papa, duke theksuar se më e keqja në këtë krizë do të ishte shpërdorimi i saj, pa e përvetësuar mësimin, që na jep. Mësim kushtuar përvujtërisë, e cila na mëson se është krejtësisht e pamundur të jesh i shëndoshë, në një botë të sëmurë e të vijosh udhën si mëparë, pa u kujtuar fare se ç’ngjet rreth teje:

“Edhe tani, dëshira e madhe për t’u rikthyer në normalitet mund ta maskojë pretendimin pa kuptim për t’u mbështetur përsëri tek siguritë e rreme, tek zakonet e projektet, që  synojnë  vetëm fitimin e tek rendja pas interesit, pa u kujdesur fare për padrejtësitë planetare, për britmën e të varfërve e shëndetin e lig të Planetit tonë”.

Duam të vijojmë si më parë, apo ta pranojmë sfidën e krizës?

Në vijim, pyetja: “Po ne, të krishterëve, ç’na kujton e gjithë kjo?”. E edhe përgjigjja:

“Edhe ne jemi të thirrur seriozisht për ta pyetur veten nëse duam të rifillojmë gjithçka si më parë, si të mos kish ndodhur asgjë, apo duam  ta pranojmë sfidën e kësaj krize. Kriza, siç e tregon vetë fjala, kërkon  gjykim, kërkon ta ndash çka bën mirë, nga çka bën keq”, domethënë grurin nga byku”.

E Papa shpjegoi, në vijim, edhe kuptimine termit, që zë fill nga jeta e fshatarëve, të cilët e ndanin grurin e mirë, për ta ruajtur, nga byku, që duhej hedhur. Kriza na kërkon  të ndalemi e të mendojmë çka është për t’u ruajtur, e çka për t’u hedhur, çka mbetet, e çka kalon.

Tani - vijoi Ati i Shenjtë - ne, siç na mëson Shën Pali Apostull, besojmë  se ajo që mbetet përgjithmonë e jetës është vetëm dashuria, sepse kur gjithçka kalon, vetëm ajo  nuk ka anë as fund.

Nuk flasim, natyrisht, për dashurinë romantike - shpjegoi - të përqendruar mbi vetveten, mbi ndjenjat, dëshirat, emocionet vetjake; flasim për dashurinë konkrete, të jetuar ashtu si e jeton Krishti:

“Është dashuria e farës, që jep jetë, duke vdekur nën dhe; që sjell fryt, duke u shpërbërë. Dashuri, që nuk kërkon interesin e vet, që fal gjithçka, gjithçka shpreson, gjithçka duron”.

Me një fjalë - vijoi Ati i Shenjtë duke iu drejtuar  miqve të nderuar ardhur nga Lindja - Ungjilli nuk i siguron fryte të begata atij që grumbullon vetëm për vete, atij që shikon vetëm hesapet e veta, por atij që ndan bujarisht me të tjerët, duke mbjellë begatisht e falas, me frymën e përvujtë të shërbimit.

Në çfarë udhe duan të ecin të krishterët?

Ta marrim seriozisht krizën, që po kalojmë, për ne të krishterët për udhë drejt bashkimit të plotë, do të thotë t’i bëjmë vetes pyetjen: “si duam  të vijojmë?”. Çdo krizë - kujtoi Papa -  hap para dy udhë; atë të mbylljes në vetvete, të kërkimit të sigurisë vetjake, ose rrugën e hapjes ndaj tjetrit, me rreziqet e frytet e hirit,  që pasojnë. Prej këndej, pyetja:

“Të dashur vëllezër, thua nuk ka arritur akoma ora që, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, t’i japim një hov të ri ecjes për t’i shembur paragjykimet tona e për t’i kapërcyer përfundimisht rivalitetet e dëmshme?”.

 Pa harruar ndryshimet, që do të sheshohen përmes dialogut, në dashuri e vërtetësi, nuk mund ta përurojmë fazën e re të marrëdhënieve ndërmjet Kishave tona, që karakterizohet nga dëshira për të ecur më shumë së bashku, nga dëshira për të bërë hapa të vërteta përpara, nga dëshira për ta ndjerë përgjegjësinë për njëri-tjetrin?

“Po t’i bindemi dashurisë, Shpirti Shenjt, që është dashuri krijuese e Zotit  dhe krijon harmoni në larmi, do të na i hapë rrugët për një vëllazërim të ri”

Bashkimi ynë, shpresë për vëllazërimin universal

Dëshmia e bashkimit, në vijim, ndërmjet nesh, të krishterëve, do të jetë shenjë shprese për shumë burra e gra, që do të marrin guximin të punojnë për vëllazërimin universal e për pajtimin, që i shëron plagët e së kaluarës:

“Është e vetmja rrugë për të siguruar ardhmërinë paqësore. Një shenjë e bukur profetike do të jetë edhe bashkëpunimi më i ngushtë i Ortodoksëve  dhe Katolikëve, në dialog me traditat e  tjera fetare”.

Këtë kujtoi Papa, duke theksuar se Hirësia e Tij, Emanueli, është tejet e i angazhuar në këtë drejtim.

Në përfundim, kërkesa drejtuar delegacionit të pranishëm për t’i përcjellë Shenjtërisë së Tij, Bartolomeut, përshëndetjen më të përzemërt e më respektuese e për t’i thënë se Papa e pret këtu, në Romë, tetorin e ardhshëm, me rastin e 30-vjetorit të zgjedhjes së tij. E në përfundim, edhe bekimi:

“Përmes ndërmjetësimit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, korifej të Apostujve,  e të Sh’na Ndreut, i pari ndër të thirrur, Zoti i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm  na bekoftë e na tërheqtë gjithnjë më shumë drejt unitetit të Tij”.

Këto, fjalët e fundit të përshëndetjes, shoqëruar, si zakonisht, me kërkesën: “Gjejeni pakëz hapësirë edhe për mua, në lutjet tuaja”.

28 qershor 2021, 12:31