Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti nuk tregohet me fjalë, por dëshmohet me vepra

Jezusit nuk i interesojnë “mendimet që kemi për të”, por dëshiron të dijë nëse e kemi në zemër. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku nënvizon se është e trishtë të shohësh se shumë bëjnë debate, por pak e dëshmojnë Krishtin

R.SH. - Vatikan

Shpesh, japim mendime, ose themi fjalë të bukura, por nuk impenjohemi vetë për të dëshmuar Krishtin. Kështu tha Papa Françesku sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas meshës së solemnitetit të Shën Pjetrit e Shën Palit. Ata, theksoi Ati i Shenjtë duke folur për apostujt, “nuk janë spektatorë, por protagonistë të Ungjillit. Nuk besuan me fjalë, por me fakte”, duke dhënë jetën për Zotin e vëllezërit. Jo “admirues, por imitues të Jezusit”, pra, dëshmitarë.

Zoti dëshiron të jetë dashuria e jetës sonë

Duke u nisur nga pjesa ungjillore, në të cilën Jezusi pyet “Ju, kush thoni se jam?”, Papa nënvizoi se ajo është pyetje edhe për sot, për të gjithë ne, për të krishterët, që janë të tillë me fjalë e jo me vepra, por edhe për ata, që ndodhen në vështirësi e kanë nevojë për ndihmë. Zotit, pohoi Ati i Shenjtë, i intereson të jetë “dashuria e jetës sonë”, në qendër të mendimeve dhe të marrëdhënieve që kemi me të tjerët, nuk pyet për opinionin, që kemi për të. Shën Pjetri e Shën Pali, kujtoi Papa shembullin e dy apostujve, e jetuan misionin, udhëtonin e dëshmonin Krishtin.

 “Sa herë, për shembull, themi se do të dëshironim një Kishë më besnike ndaj Ungjillit, më afër njerëzve, më profetike dhe misionare, por më pas, në praktikë, nuk bëjmë asgjë! Sa e trishtueshme kur sheh që shumë flasin, komentojnë dhe debatojnë, por pak dëshmojnë. Dëshmitarët nuk humbin kohë me fjalë, por janë të frytshëm. Dëshmitarët nuk ankohen për të tjerët dhe për botën, por e fillojnë nga vetja. Na kujtojnë se Zoti nuk tregohet, por duhet të dëshmohet; nuk njoftohet me shpallje, por dëshmohet me shembull. Kjo do të thotë ‘ta vësh jetën në diskutim’”.

Pa maska e jo të vakët

Papa Françesku vuri në dukje se Shën Pjetri e Shën Pali nuk ishin gjithnjë dëshmitarë shembullorë, por e dëshmuan Krishtin edhe me gabimet e tyre. Shën Pjetri, për shembull, mund t’u thoshte ungjilltarëve të mos i shkruanin gabimet e bëra prej tij, por Ungjilli i ka të gjitha. Po kështu, edhe shën Pali, në Letrat e tij, tregon për gabimet e veta. Të dy e fillojnë nga vetvetja.

“Zoti mund të bëjë gjëra të mëdha përmes nesh kur nuk mendojmë veç për të mbrojtur imazhin tonë, por jemi transparentë me Të dhe me të tjerët. Sot, të dashur vëllezër dhe motra, Zoti na sfidon. E pyetja e tij është e njëjtë: Kush jam unë për ty? Gërmon thellë në shpirt. Përmes dëshmitarëve të tij, Pjetri e Pali, na nxit t’i heqim maskat, të heqim dorë nga qëndrimi gjysmak, nga justifikimet, që na bëjnë të vakët dhe mediokër”.

Së fundi, Papa iu lut Zojës, Mbretëreshës së Apostujve, që të zgjojë në secilin prej nesh dëshirën për të dëshmuar Jezu Krishtin.

29 qershor 2021, 13:04

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >