Varkë e mbytur në Lampeduzë: kërkohen të mbyturit Varkë e mbytur në Lampeduzë: kërkohen të mbyturit 

Papa: Mesdheu, varreza më e madhe e Evropës

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi 18 prillin 2015, kur në Kanalin e Sicilisë u mbyt një varkë. Ishte një nga tragjeditë, gjatë së cilës humbën jetën të paktën një mijë migrantë. Sonte, në Portin Augusta të Sicilisë, gjatë një ceremonie civile e fetare, varka e mbytur do të shpallet “Monument i kujtesës”. Atë Bruno Ciceri, drejtor ndërkombëtar i Stella Maris, e quan “simbol, që na detyron t’ia ndryshojmë faqen kësaj bote”.

R. SH. - Vatikan

Sot pasdite, në Augusta të Sicilisë do të zhvillohet ceremonia  e  pritjes  së një relikti: mbetjeve të barkës, mbytur më 12 prill 2015. Ky simbol i tragjedive të shumta në Detin Mesdhe vijon t’i prekë ndërgjegjet e të gjithëve dhe favorizon krijimin e frymës humane solidare, që e shemb murin e indiferencës. Të mendojmë: Mesdheu është bërë varreza më e madhe e Evropës….

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku e kujtoi kështu ceremoninë, që do të organizohet sonte, në orën 18.30,  në Portin  e Augustës, në Sicili. Ngjarje, e cila synon t’i kujtojë botës tragjedinë e 18 prillit 2015, kur një anije peshkimi, e ngarkuar me njëmijë migrantë, u mbyt në Kanalin e Sicilisë. Shpëtuan vetëm 28 vetë. Sot relikti i kësaj varke do të ekspozohet përgjithnjë në portin sicilian, pasi të kthehet nga Venediku, ku qe ekspozuar në Bienalen e vitit 2019.

Duke iu drejtuar besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku i  nxiti të mos i mbyllin sytë para tragjedisë, që vijon të luhet në Mesdhe, det, të cilin ai vetë e quajti: “Varreza më e madhe e Evropës”.

Ndërsa atë Bruno Ciceri, drejtor ndërkombëtar i Stella Maris, pranë dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor,  deklaroi, në mikrofonet e Radio Vatikanit, se nisma e vendosjes së reliktit në kantierin e ri detar bëhet për t’i prekur ndërgjegjet para këtij simboli të të gjitha tragjedive, të njohura a jo, që i detyruan, e vijojnë t’i detyrojnë me njëmijë forma, burra, gra e fëmijë, t’i braktisin tokat e tyre e të bredhin nëpër botë, në kërkim të një jete tjetër…  që nuk dihet nëse do të jetë më e mirë. Ndërsa, nëse nuk do të kenë fatin e zi të njerëzve që kujtohen sonte, dihet se nuk është kurrë “Atdhe”.

13 qershor 2021, 15:18