Logo e Ditës së lutjes për Libanin, 1 korrik 2021 Logo e Ditës së lutjes për Libanin, 1 korrik 2021

Papa: më 1 korrik, lutje për Libanin në Vatikan

Në lutje ftohen të krishterët e traditave të ndryshme, siç u shpjegua në konferencën e sotme për shtyp në Vatikan. Qëllimi: dalja nga kriza politike, që ka përfshirë Libanin prej kohësh

R.SH. - Vatikan

Papa u bën thirrje krerëve të krishterë të Libanit të bashkohen me të në një Ditë lutjeje dhe dialogu në Vatikan, që do të mbahet më 1 korrik. Në konferencën e sotme të shtypit, për paraqitjen e nismës, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, nënvizoi se ideja është të ecet së bashku drejt paqes e pajtimit.

“Bashkësia e krishterë – nënvizoi ai – në të gjitha komponentet e saj, pyet, reflekton e lutet: e bën këtë në praninë e krerëve dhe të bashkësive të Kishave të saj, që vijnë në Romë jo për të sjellë vetveten, por britmën e një populli, i cili me siguri i shoqëron në lutje”.

Nuk parashikohet prania e politikanëve

Takimi do të ketë karakter kishtar e dita do të përfundojë me ndërhyrjen e Papës Françesku, gjatë së cilës Ati i Shenjtë “me siguri, do të japë këshilla e do të bëjë thirrje, edhe mbi bazën e fryteve të reflektimeve të asaj dite, që mund të jenë të rëndësishme për të ardhmen e Libanit”. Nuk parashikohet prania e politikanëve, “sepse propozimi i mbërritur nga Libani” dhe i pranuar nga Papa, ishte për “një takim kishtar të bashkësive të krishtera”, siç shpjegoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Richard Gallagher.

Papa dëshiron të shkojë në Liban

         Papa Françesku ka shprehur disa herë dëshirën për të vizituar Libanin, por do ta bëjë këtë kur vendi të gjejë një zgjidhje për krizën politike, e cila, gjithsesi, “nuk shihet në horizont – pohoi imzot Gallagher. – Takimi në Vatikan mund të japë një kontribut për këtë proces”. Sipas tij, vështirë që ky udhëtim papnor të realizohet brenda vitit, por ka mundësi të bëhet në fillim të vitit që vjen.

Së bashku për Libanin

         “Hyji Zot ka plane për paqen. Së bashku për Libanin”: kjo është motoja, që dallohet qartë në logon e takimit të 1 korrikut. Dita do të fillojë në orën 8.30 në Shtëpinë e Shën Martës, me përshëndetjen e Papës për krerët e bashkësive të krishtera libaneze dhe për anëtarët e delegacionit. Do të vijojë me lutjen në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe me sesionet e mëpasme të konsultimeve në Pallatin Apostolik. Veprimtaritë do të përfundojnë me fjalën e Papës Françesku, në orën 18.00.

25 qershor 2021, 13:00