Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa në audiencën e përgjithshme: lutja është frymëmarrja e jetës

Françesku ia kushtoi përsëri audiencën e përgjithshme lutjes, duke nënvizuar se duhet ngulmuar e se është çnjerëzore t’i kushtohesh punës aq, sa të mos mund të gjesh sadopak kohë për t’ia kushtuar Zotit.

R. SH. - Vatikan

Lutja nuk i kundërvihet “punës së përditshme”, të ngarkuar me njëmijë telashe e takime të vogla. Përkundazi. Është vendi ku çdo veprimtari  rigjen kuptimin, psenë, paqen. E pikërisht këmbënguljes në lutje ia kushtoi Papa katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme, mbajtur përsëri në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan.

Duke folur për mënyrën si duhet të lutemi, Papa u nis nga shtegtimi shpirtëror i një shtegtari rus, tekst asketik shkruar në gjuhën ruse ndërmjet viteve 1853 e 1861. Fjalët e Shën Palit në Letrën e Parë drejtuar Salonikasve: “Lutuni pareshtur, falenderojeni Zotin për çdo gjë”, e prekin në shpirt këtë njeri, i cili dëshiron ta realizojë në jetë çdo ditë e çdo çast, pa harruar se jeta jonë është e ngarkuar me një mori çastesh të ndryshme, që jo gjithnjë na krijojnë mundësinë të përqendrohemi”. Nga kjo dëshirë nis kërkimi i murgut rus. Kjo e ndihmon të zbulojë atë, që quhet lutje e dalë nga zemra e që Papa i nxiti besimtarët ta thonë jo një herë, por shumë herë gjatë ditës:

“Është lutje, që kërkon të përsërisësh me fe: ‘O Zot Jezus, Bir i Hyjit, ki mëshirë për mua, mëkatarin!’ E dëgjuat? A ta themi së bashku? ‘O Zot Jezu Krisht, Bir i Hyjit, ki mëshirë për mua, mëkatarin!’. Lutje tejet e thjeshtë, por shumë e bukur. Lutje që, pak nga pak fiton ritmin e frymëmarrjes e  vijon gjatë gjithë ditës”.

Në të vërtetë - vërejti Papa  “njeriu nuk harron kurrë të marrë frymë,  as kur fle; e lutja është pikërisht frymëmarrja e jetës”. Këtë theksoi Françesku, për të kujtuar përsëri murgun rus, që jetoi në shekullin IV e që thoshte: “Nuk na kërkohet të punojmë, të rrimë zgjuar e të agjërojmë vazhdimisht – jo! Kjo nuk na kërkohet kurrë, ndërsa lutja e vazhdueshme është ligj për ne”. Është, pra, një afsh i jetës së krishterë, që nuk duhet të mungojë kurrë: “pak a shumë si zjarri i shenjtë, që ruhej në tempujt e lashtë e digjej ditë-natë, pa u shuar kurrë”. Kështu - theksoi Papa - duhet të jetë zjarri i shenjtë edhe në shpirtin tonë. Zjarr, që i ngre lart flakët pambarimisht. Që nuk mund as nuk duhet të shuhet kurrë.

Edhe fjalët e Shën Gjon Krizostomit - një bari tjetër plot vëmendje për jetën konkrete, ipeshkëv e doktor i Kishës, që jetoi rreth shekullit IV e deri në fillimet e të V-tit - na ndihmojnë për ngulmimin në lutje:

“Edhe në treg a gjatë shëtitjes vetmitare mund të thoni një lutje të vazhdueshme e të zjarrtë. E edhe në dyqan, si kur bleni, ashtu edhe kur shisni, e edhe kur gatuani ushqimin e përditshëm”.

Lutja - vijoi të shpjegojë Françesku, “është një lloj pentagrami muzikor, ku ne shkruajmë notat e melodisë të jetës sonë”.

Papa është i vetëdijshëm se këto parime nuk mund të vihen lehtësisht në jetë. Për shembull, një atë e një nënë, të mbytur në punët e shqetësimet e përditshme, që jeta nuk t’i kursen, mund të ndjejnë mall për atë kohë të jetës së tyre, kur e kishin më të lehtë të gjenin hapësira kohe për t’i akushtuar lutjes:

“Më pas, fëmijët, puna, rrangët e shtëpisë, detyrat e prindit… E pastaj pleqëria ... Të krijohet përshtypja se nuk arrin kurrë t’ia dalësh mbanesh të gjitha detyrave. Atëhere bën mirë të mendosh për punët e Zotit, Atit tonë, i cili duhet të merret me gjithësinë. Është shumë, shumë më i zënë se ne! E pra nuk na harron kurrë! Ndaj edhe ne duhet  të kujtohemi çdo çast për Të”.

Me rëndësi të dorës së parë, edhe puna, që në monakizmin e krishterë vlerësohet si nder i madh. E jo vetëm si detyrë morale për të mbajtur vetveten e të tjerët, por edhe për një lloj ekuilibri shpirtëror. ‘Është e rrezikshme për njeriun - kujtoi në vijim Papa - të ketë interesa aq abstrakte, sa ta humbasë fare lidhjen me realitetin”. Ndërmjet tjerash - vijoi akoma - në qenien njerëzore gjithçka është e dyfishtë; trupi ynë është simetrik: kemi dy krahë, dy sy, dy duar…:

“Kështu edhe puna e lutja plotësojnë njëra-tjetrën. Lutja është ‘frymëmarrja’ e të gjithave, mbetet si sfond jetik i punës, edhe në çastet kur nuk është  e qartë. Është çnjerëzore të jesh aq i thithur nga puna, sa të mos gjesh kohë për lutjen”.

Njëkohësisht, nuk është e shëndetshme as lutja e shkëputur nga jeta:

“Lutja, që shkëputet nga jeta konkrete, bëhet spiritualizëm, ose, më keq akoma, ritualizëm”.  

Jezusi, pasi ua tregoi dishepujve lavdinë e tij mbi Malin Tabor, nuk deshi ta zgjasë këtë çast ekstaze, por rinisi udhën e përditshme, “sepse kjo përvojë duhet të mbetej në zemra si dritë e forcë për fenë e tyre” - shpjegoi Papa, duke nënvizuar se kohët kur rrimë me Zotin e gjallërojnë fenë, e cila na ndihmon në konkretësinë e të jetuarit, e feja, nga ana e saj, “e ushqen lutjen pa ndërprerje”. E pikërisht përmes këtij qarkullimi ndërmjet fesë, jetës e lutjes “mbahet gjallë ai zjarr i dashurisë së krishterë, që Zoti e pret gjithnjë prej nesh”.

09 qershor 2021, 12:07

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >