Papa lutet që të gjithëve t'u jepet mundësia të vaksinohen së shpejti

Në Kopshtet e Vatikanit lutja e Rruzares shenjte për fundin e pandemisë përmbylli maratonën e uratёs pёr kёtё qёllim në Shenjtoret e Zojёs Bekuar nё pesë kontinentet. Papa Françesku bashkoi në lutje përpara ikonës së "Zojës që zgjidh nyjet" duke i kёrkuar t’i "zgjidh nyjet e egoizmit e tё indiferencës, tё luftës e dhunës". Me Papёn fëmijë, familje, priftërinj u lutёn për të sëmurët dhe të papunët, për kërkime shkencore, për rifillimin e jetës e veprimtarisë shoqërore.

R.SH. – Vatikan

"Vazhdojmë t'i kёrkojmё Zotit që të mbrojë mbarë botën nga pandemia dhe që të gjithëve, pa përjashtim, së shpejti do t'u jepet mundësia të mbrohen përmes vaksinës". Dhimbja e shpresa, emocioni dhe mallëngjimi ndërthureshin në fjalët që Papa Françesku ia drejtoi Zotit dhe Virgjëreshës Mari, para fugares sё "Zojёs që zgjidh nyjet", gjatë lutjes së Rruzares shenjte, mbrёmё në Kopshtet e Vatikanit për të kërkuar fundin e pandemisë.

"Sonte mblidhemi para Teje, Nëna jonë Virgjër e nderuar në këtë fugure si Ajo që zgjidh nyjet. Në fakt, ka kaq shumë nyje që e shtrëngojnë jetën tonë dhe i lidhin e ndalojnë aktivitetet tona. Janë nyjet e egoizmit e të indiferenca, nyjet ekonomike e shoqërore, nyjet e dhunës e tё luftës ”, tha Papa duke drejtuar sytё drejt fugures sё Virgjrës Mari.

Përfundoi maratonën e lutjes botërore

Lutja e Rruzares shenjte në kopshtet e Vatikanit është akti i fundit i maratonës shpirtërore organizuar gjatë muajit maj: tridhjetë e një ditë lutjeje, filluar nga vetë Papa në ditёn e parё tё muajit në bazilikën e Shën Pjetrit nё Vatikan, gjatë së cilës besimtarët katolikë dhe jo vetëm nga çdo pjesё e globit kanë recituar uratёn e Rruzares - virtualisht ose personalisht - në Shenjtëroret më të rëndësishme të vendeve të tyre.

Nga Nigeria në Argjentinë, nga Filipinet në Belgjikë, nga Australia në Bosnjë, të gjithë i janë lutur Zotit, me ndёrmjetёsimin e Zojёs sё Bekuar, për personelin shëndetësorë, për ata që kanë humbur punën e tyre ose pёr ata qё kanë parë një të dashur të vdesë në një repart a njësi intensive nё spitale, për vendet në luftë, për rregulltarёt e priftërinj, për të ardhmen e brezave të rinj, për të sëmurët dhe të infektuarit nga koronavirusi.

FALEMINDERIMI I ATIT TE SHENJT

në fund të "maratonës së lutjes"

Kopshtet e Vatikanit, 31 maj 2021

Në fund të kësaj maratone lutjeje për të kërkuar fundin e pandemisë dhe rifillimin e plotë të jetës baritore e shoqërore, falënderoj në veçanti Dikasterin e Vatikanit për Ungjillëzimin e Ri dhe tridhjetë Shenjtёroret që janë alternuar gjatë këtij muaji nё organizimin e lutjes së Rruzares shenjte nën kryesinё e Ipeshkvijve vendas.

Kam parë njё pjesëmarrje tё madhe të madhe popullit të Zotit, që përmes mjeteve të komunikimit dhe angazhimit të shumë Shenjtëroreve në të gjithë botën, ka arritur në miliona njerëz, të cilët me një zë të vetëm e ngritën lutjet e tyre drejtuar Nënës së Shenjtë të Zotit.

Falënderoj dioqezën e Augsburgut erdhi solli një kopje të bukur 'Zojёs që zgjidh nyjet' realizuar nga piktorja Ana Maria Berti, fugurja e Zojёs sё Bekuar Knotenlöserin ["që zgjidh nyjet"] sot nderohet në këtë shenjtërore nën qiellin e hapur.

Tё vazhdojmë t'i lutemi Zotit që të mbrojë mbarë botën nga pandemia dhe që të gjithë njerёzve, pa asnjё përjashtim, t'u jepet mundësia, sa mё shpejt, të mbrohen përmes vaksinës.

Ju pёrshёndes e lutuni pёr mua.

 

01 qershor 2021, 10:58