14 qershor, Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut 14 qershor, Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut

Papa kujton bujarinë e dhuruesve të gjakut

Papa Françesku falënderon ata që shpëtojnë jetë, duke dhuruar gjak. E bën këtë me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut, që kremtohet çdo 14 qershor

R.SH. - Vatikan

14 qershori është Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut. Pas lutjes së djeshme (13 qershor) të Engjëllit të Tënzot, Papa e kujtoi, duke u kushtuar një mendim të gjithë atyre, që shpëtojnë jetë, duke dhuruar gjak:

“Falënderoj nga zemra vullnetarët dhe i inkurajoj ta vazhdojnë veprën e tyre, duke dëshmuar vlerat e bujarisë dhe të dhurimit pa interes. Faleminderit shumë, faleminderit!”

Gjaku dhe transfuzionet shpëtojnë miliona jetë dhe përmirësojnë shëndetin e shumë pacientëve. Edhe gjatë pandemisë, ky lloj solidariteti nuk u ndal. 14 qershori kremtohet pikërisht për ta ndërgjegjësuar botën mbi rëndësinë e dhurimit të gjakut, i cili duhet bërë rregullisht e pa ndërprerje.

 Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka zgjedhur këtë vit Italinë si qendër globale për kremtimin e Ditës. Ngjarjet kryesore zhvillohen në Auditoriumin “Parco della Musica” në Romë. Programi përfshin edhe përurimin e fshatit virtual të dhuruesve të gjakut. Në orën 21.00, Koloseumi ndriçohet me të kuqe. Fraza kyç e zgjedhur për vitin 2021 u drejtohet kryesisht të rinjve: “Dhuro gjakun e bëje botën të pulsojë”.

Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në mesazhin e tij për këtë Ditë, kujton se “të rinjtë kanë vuajtur jashtëzakonisht gjatë pandemisë së koronavirusit, por kanë dëshmuar qëndrueshmëri dhe aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur. Shumë dhurues gjaku në gjithë botën - shton ai - janë të rinj, prandaj, ka ardhur koha t’u njihet kontributi i jashtëzakonshëm për shëndetin e bashkësive të tyre. Duke dhuruar gjak, shpëtohen jetë”.

Akt i thjeshtë, por tejet i rëndësishëm

Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut u themelua në vitin 2005 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në përkim me ditëlindjen e Karl Landsteiner, shkencëtarit, që mori çmimin Nobel për zbulimin e tre grupeve kryesore të gjakut, A - B - 0. Papa Françesku pati vënë në dukje rëndësinë e këtij kremtimi edhe më 14 qershor 2020, gjithnjë pas Engjëllit të Tënzot.

“Është mundësi për ta nxitur shoqërinë të jetë solidare dhe e ndjeshme ndaj nevojtarëve. Shpreh vlerësimin tim për të gjithë ata, që kryejnë këtë akt të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm për të ndihmuar të tjerët: dhurimin e gjakut”.

Të impenjohemi aty ku ndihet etja për shpresë

Më 20 shkurt 2016, në Romë, u mbajt Jubileu i dhuruesve të gjakut. Gjatë audiencës jubilare në Sheshin e Shën Pjetrit mbushur me besimtarë, përfshirë 25.000 donatorë nga e gjithë Italia, Papa u përqendrua në vlerën e impenjimit. “Të impenjohemi - pohoi ai - do të thotë ta përdorim vullnetin e mirë dhe forcën tonë për ta përmirësuar jetën”, sidomos, në situata ku ka më shumë “etje për shpresë”.

Dhurimi i gjakut është impenjim. Dhuruesi i gjakut është njeri, që vendos ta dhurojë vetveten, pa kërkuar asgjë në këmbim. Në këto gjeste, për të cilat njeriu nuk pret asnjë shpërblim, gjejmë “përkëdheljen e Zotit”, siç nënvizoi Papa Françesku. Është gjest mëshire, është dhuratë e vetvetes, e kohës personale, është shprehje e dashurisë për Zotin dhe për të tjerët. Së fundi, Ati i Shenjtë kërkoi edhe që ky akt fisnik bujarie të kryhet në siguri të plotë për dhuruesit e për ata, që marrin gjak prej tyre.

14 qershor 2021, 10:44