Papa Françesku: të merren vendime, që i kthejnë armët në ushqim

Duke dërguar një videomesazh për Forumin GLOBSEC Bratislava, i cili filloi sot në Sllovaki, Papa reflekton mbi rimëkëmbjen e botës pas pandemisë. Fton të bëhet një analizë e kthjellët e së kaluarës për të kuptuar përgjegjësitë, që çuan në krizën shëndetësore dhe nxit të “bëhen hapa përpara” drejt bashkimin e shpresës

R.SH. - Vatikan

“Të shohim, të gjykojmë e të veprojmë”: këto janë tri udhët, që përshkruan Papa Françesku, në mënyrë që bota të dalë më e mirë nga kriza e pandemisë. Kontributin e tij, Ati i Shenjtë ia paraqet me një videomesazh Forumit GLOBSEC Bratislava, në edicionin e tij të 16-të. Që sot e deri më 17 qershor, në këtë platformë në Sllovaki, marrin pjesë qindra politikanë, si presidenti francez Emmanuel Macron, ose kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, intelektualë, administratorë e organizata ndërkombëtare. Të gjithë po reflektojnë mbi temën e kongresit, që do të mbahet në sallë, por edhe në lidhje me internet: “Ta rindërtojmë më të mirë botën e ardhme”.

Botë e bazuar mbi etjen për fitime

Hapi i parë, nënvizon Papa, është “ta shohësh” atë botë, që kaloi krizën, duke analizuar të kaluarën e saj, duke kuptuar “mangësitë e saj sistemike”, “gabimet e bëra” edhe ndaj Gjithësisë së krijuar nga Zoti. Që këtej, të mendohet “një ide për rimëkëmbjen”, e cila duhet ta rindërtojë, duke e korrigjuar, “atë, që nuk funksiononte para ardhjes së koronavirusit dhe që kontribuoi në përkeqësimin e krizës”.

“Shoh një botë të mashtruar nga iluzioni i sigurisë, bazuar në etjen për fitim. Shoh një model të jetës ekonomike dhe shoqërore, të karakterizuar nga shumë pabarazi dhe egoizëm, në të cilin një pakicë e vogël e popullsisë botërore zotëron shumicën e pasurisë, shpesh, pa hezituar të shfrytëzojë njerëz dhe burime”.

“Shoh - pohon Papa - një mënyrë jetese, që nuk pyet aq sa duhet për mjedisin”. Ati i Shenjtë flet për “konsumin deri në shkatërrimin e paskrupullt të gjithçkaje u përket të gjithëve”, një “borxh ekologjik”, nënvizon, që rëndon mbi të varfrit dhe mbi brezat e ardhshëm.

Barazi konkrete, jo abstrakte

E mira dhe e keqja. Nuk ka rrugë të mesme në një krizë, thekson Papa, sepse ajo na detyron të zgjedhim nga cila anë duam të qëndrojmë, sepse “ose dalim më të mirë, ose më të këqinj prej saj. Kurrë njëlloj”. Prandaj, etapa e dytë është “gjykimi i gjithçkaje kemi parë e përjetuar”, pasi kjo “na nxit të përmirësohemi”, të “hedhim hapa përpara”.

“Kriza, që i ka goditur të gjithë, na kujton se askush nuk shpëton vetëm. Kriza na hap rrugën drejt një ardhmërie, që krijon barazi të vërtetë ndërmjet njerëzve: jo barazi abstrakte, por konkrete, e cila u ofron njerëzve dhe popujve mundësi të barabarta dhe të vërteta për zhvillim”.

Vizioni i tërësisë dhe i shpresës

Në këtë proces, hapi i fundit është “veprimi” që të shfrytëzohet mundësia e dhënë nga kriza, për t’iu përgjigjur “padrejtësive shoqërore dhe mënjanimit”, me një model, që vendos në qendër respektin për çdo njeri.

“Çdo veprim ka nevojë për një vizion, një vizion të tërësisë dhe të shpresës: një vizion si ai i profetit biblik Isaia, i cili i pa shpatat të shndërroheshin në plugje, shtizat në drapërinj (shih Is 2, 4). Të veprosh për zhvillimin e të gjithëve do të thotë të kryesh një vepër kthimi në udhën e drejtë. Do të thotë të marrësh vendime, që shndërrojnë vdekjen në jetë, armët në ushqim. Por të gjithë kemi nevojë të ndërmarrim edhe një kthesë ekologjike. Në fakt, vizioni i së tërës përfshin perspektivën e një gjithësie, të kuptuar si ‘shtëpi e përbashkët’ dhe kërkon urgjentisht të veprojmë për ta mbrojtur atë”.

Papa shpreson që diskutimet e këtyre ditëve të ndihmojnë në krijimin e një “modeli rimëkëmbjeje, në gjendje të krijojë zgjidhje më gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme; një model zhvillimi, bazuar në bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve, në harmoni me krijimin e Zotit”.

15 qershor 2021, 13:37