USA-IMMIGRATION/MEXICO USA-IMMIGRATION/MEXICO 

Papa Amerikës Qendrore: dinjiteti i njeriut nё qendёr tё çdo politike

Thirrja e rëndësishme e Papёs drejtuar vendeve tё ndryshme pёr t’i bashkuar forcat në luftimin e krizёs sё rëndë sociale të përkeqësuar nga pandemia. "Kisha ecën përkrah popujve të Amerikës Qendrore".

R.SH. – Vatikan

"Selia e Shenjtë, duke riafirmuar të drejtën ekskluzive për mbikëqyrjen kufijve tё saj, uron një angazhim rajonal, tё përbashkët, të qëndrueshëm dhe tё koordinuar, që synon vendosjen e njeriut dhe dinjitetin e tij në qendër të çdo shёrbimi politik". Kjo, nxitja e rëndësishme e Papës në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në veprimtarinë e solidaritetit, promovuar me rastin e 30-vjetorit të Sistemit të Integrimit të Amerikës Qendrore, një organizatë ekonomike, kulturore dhe politike e Shteteve të Amerikës Qendrore, lindur më 1993 e në të cilën Selia e Shenjtë merr pjesë si vëzhguese jashtë-rajonale që nga viti 2012.

Papa Françesku e nënvizon fjalën "solidaritet" për të thënë se momenti aktual shëndetësor, ekonomik dhe social, "qё e ka vënë gjithë botën në provë", u ka "kujtuar të gjithëve se qeniet njerëzore janë si pluhuri", një pluhur "i çmuar para syve të Zotit ", i cili e krijoi familjen njerëzore, e cila sot ёshtё e "thirrur ta përqendrojë vëmendjen e saj tek të gjithë, pa iu nënshtruar logjikës së konkurrencës dhe interesave të veçanta". Fjalët e Papёs Françesku përqendrohen në kushtet e rënda shoqërore të rajonit të Amerikës Qendrore, "tashmë të pasigurta dhe tё ndërlikuara, për shkak të një sistemi të padrejtë ekonomik", i cili, sё bashku me krizën e klimës, "i kanë dhënë lëvizjes njerëzore tiparet e një fenomeni masiv të detyruar, aq sa të marrë pamjen e një eksodi rajonal". Një eksod që për shumë vetë, megjithatë, është ndalur në gjysmë të rrugës, për shkak të masave "kufizuese shëndetësore, që kanë ndikuar në mbylljen e kufijve".

Pandemia - saktëson Papa - ka prekur edhe të zhvendosurit brenda vendit, shpesh të pambrojtur, sepse "nuk hyjnë në sistemin ndërkombëtar të mbrojtjes së parashikuar nga ligji ndërkombëtar i refugjatëve". Një eksod, që shumëfishon rastet e trafikimit të qenieve njerëzore. Këto janë "sfidat më të rëndësishme, që lidhen me lëvizjen njerëzore", vëren Papa Françesku, i cili u bën thirrje shteteve ta vendosin njeriun në "qendër të çdo vepre politike" dhe të miratojnë "mekanizma specifike ndërkombëtare për të siguruar mbrojtjen konkrete" për të zhvendosurit e brendshëm, si dhe për ata, që detyrohen të "ikin, për shkak të fillimit të krizës së rëndë klimatike".

Papa kёrkon "politika rajonale" për të mbrojtur shtëpinë e përbashkët nga fenomenet klimatike dhe katastrofat mjedisore të shkaktuara nga vetë njerëzit, si grabitja e tokës, e ujit dhe shpyllëzimi", shkelje që minojnë seriozisht tri fushat themelore të zhvillimit tё vёrtetë njerëzor: tokën, strehimin dhe punën".

Papa kërkon të parandalohet trafikimi i qenieve njerëzore, me anë të mbështetjes për familjet dhe me programe të përshtatshme, duke pasur vëmendje të veçantë për fëmijët dhe gratë, përmes "një edukimi, që promovon barazinë, respektin dhe nderimin që gratë e meritojnë".

10 qershor 2021, 17:04