Papa dhe shoferi i tij Renzo Cece, që nesër del në pension Papa dhe shoferi i tij Renzo Cece, që nesër del në pension

Një falënderim jo i zakonshëm, në audiencën e përgjithshme të Papës

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, një falënderim shpesh i pazakontë për botën, krejt i zakonshëm për Papën!

R.SH. - Vatikan

Ç’kënaqësi, kur ta urojnë daljen në pension, në mes të një turme gazmore, në një mjedis si Oborri i Shën Damasit, ku këmba jote shkel mbi gjurmët  e presidentëve, artistëve me famë botërore, ushtarakëve, që kanë në dorë frenat e luftës e të paqes - e pse jo - edhe të këmbës së zbathur të varfanjakëve, endacakë rreth e qark Vatikanit. Të gjithë, njëlloj të mirëpritur e të dëshiruar. Madje të fundmit, ndoshta edhe më shumë se ata, që besojnë se kanë në dorë frenat e fatet e botës. Të paktën kështu mendojnë i Zoti i shtëpisë, edhe të gjithë ata, që e kanë Kryebari!

Në përfundim të audiencës, Papa, pa pritur kujtoi se në Vatikan punojnë  gjithfarë njerëzish: priftërinj, kardinaj, murgesha, laikë. Shumë…. E sot - vijoi - dua të falënderoj njërin prej tyre. Një laik, që del në pension. Quhet Renzo Cece.

Më pas, një jetëshkrim fare i shkurtër, por i ngarkuar me dashuri. Ai, kujtoi Françesku, nisi të punonte kur ishte vetëm 14 vjeç. Vinte këtu në biçikletë. Ndërsa sot del në pension si shofer i Papës. Bëri kështu, një rrugë të gjatë! Ndaj e meriton një duatrokitje të stuhishme…

E oborri ushtoi nga një mori duarsh, ardhur nga anë e anës, që i uruan shoferit pension të gëzuar! Është një nga ata njerëz - vijoi Papa -  që e çojnë përpara Kishën me punën e tyre, me mirësinë  e tyre e me lutjen e tyre. E falënderoj shumë,  e përfitoj nga rasti t’i falënderoj të gjithë laikët që punojnë me ne në Vatikan!

Natyrisht jo të gjithë do ta kenë fatin t’u urojë pension të mbarë Papa. Po  urimi i sotëm do të mbetet i pashlyer në kujtesat, “si të ishte thënë për secilin prej nesh, që punojmë në këtë vend krejt të jashtëzakonshëm!”

30 qershor 2021, 15:44