Papa: martesa është gjë e bukur, duhet durim, por ia vlen

Në videon me ndjetin e qershorit, Papa Françesku kërkon lutje për të rinjtë, që përgatiten për martesë. Dashuria është “ëndrra e Zotit” për ne, nënvizon Ati i Shenjtë

R.SH. - Vatikan

“Ia vlen të rrezikosh”: pavarësisht se martesa është “udhëtim impenjativ, nganjëherë i vështirë, nganjëherë edhe konfliktual”, “të martohesh e ta ndash jetën me dikë është gjë e bukur”. Papa Françesku dëshiron t’i inkurajojë të rinjtë ta ndërmarrin këtë udhëtim “për gjithë jetën”, në të cilin ka një aspekt qendror: dhëndri dhe nusja nuk janë vetëm, sepse “Jezusi i shoqëron”. E Ati i Shenjtë ia kushton këtij argumenti pikërisht ndjetin e lutjes së qershorit, përhapur sot në gjithë botën përmes videomesazhit të publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën.

Martesa si thirrje e Zotit

 “A është e vërtetë ajo, që thotë dikush, se të rinjtë nuk duan të martohen, veçanërisht në këto kohë të vështira?”, pyet Papa, i vetëdijshëm për problemet dhe ndërlikimet e lidhura edhe me pandeminë. “Martesa - thekson ai - nuk është vetëm akt shoqëror: është thirrje që vjen nga zemra, është vendim i vetëdijshëm për gjithë jetën e kërkon përgatitje të veçantë”. Për këtë arsye, është i rëndësishëm shoqërimi i çiftit nga ana e krejt bashkësisë së krishterë:

“Ju lutem mos e harroni kurrë! Zoti ka një ëndërr për ne, dashurinë e, na kërkon ta bëjmë tonën. Le ta bëjmë tonën dashurinë, që është ëndrra e Zotit. E, të lutemi për të rinjtë, që përgatiten për martesë me mbështetjen e bashkësisë së krishterë: që ata të rriten në dashuri, me bujari, besnikëri e durim. Sepse për të dashur duhet shumë durim. Por ia vlen”.

Viti i veçantë kushtuar familjes

 Kjo video bën pjesë plotësisht në Vitin “Familja Amoris Laetitia”, shpallur nga Papa Françesku më 19 mars 2021, me temë “Dashuria familjare: thirrja dhe udha e shenjtërisë”. Bie pikërisht në 5-vjetorin e Nxitjes Apostolike “Amoris laetitia” dhe në 3-vjetorin “Gaudete et exsultate”. Shoqëron gjithashtu Vitin e Shën Jozefit, i cili do të zgjasë deri më 8 dhjetor.

Ulet numri i martesave, rritet ai i divorceve

Në njoftimin për shtyp, që zakonisht shoqëron videon, jepet një pasqyrë e gjendjes së martesave, në ditët e sotme. Sipas statistikave, niveli i martesave ka rënë ndjeshëm që nga viti 1972, deri në atë pikë sa në vende si SHBA-të, është arritur niveli më i ulët që kur kanë filluar të mbahen regjistrat për këtë qëllim. Në shumë vende, është rritur mosha e martesës, me pasoja në lindjen e fëmijëve. “Përsa u përket familjeve, - nënvizohet në dokument - vihet re jo vetëm se përqindja e fëmijëve të lindur jashtë martese është rritur ndjeshëm pothuajse në të gjitha vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, por edhe se numri i divorceve është shumëfishuar e, në disa vende përfshin më se gjysmën e çifteve”. Për këtë arsye, bëhet themelore përgatitja dhe shoqërimi i familjeve, edhe me lutje, siç kërkon Papa Françesku në qershor.

01 qershor 2021, 16:05