Migrantët, Hollerich: të dhemb shpirti kur shikon njerëz që vuajnë në portat e Evropës

Papa priti dje krerët e Comece-s. Në qendër të bisedimeve, tema e imigrimit. Kryetari: “Integrimi është i mundshëm”. Zëvendës-kryetari, ipeshkvi Overbeck, nënvizon fjalët e Papës për strehimin: “Kisha nuk mund t’i braktisë refugjatët”. Një shikim mbi situatën në Gjermani, ndërmjet udhës sinodale e krizës së shpërdorimeve.

R. SH. - Vatikan

Çështja “e tmerrshme” e imigrimit, parë në dritën e zbarkimeve të reja e të dramave të reja, shkaktuar nga pandemia, ishte një nga temat kryesore  gjatë bisedimeve të Papës me anëtarët e kryesisë së Comece, Komisionit  të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, pritur dje në Pallatin Apostolik, në Vatikan, në përfundim të takimit të Komitetit të përhershëm. mbajtur në Romë, nga 9 qershori.

Hollerich: Papa, mik i Evropës

Ishte një audiencë e pasur me biseda për të sotmen e ardhmërinë. E jo vetëm ajo me Papën, por edhe me sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin dhe ipeshkvijtë e kardinajtë e tjerë të Dikasterve të Kuries. Bisedën e hapi kryetari i organizmit evropian, kardinali luksemburgez Jean-Claude Hollerich që - në Vatican News - e kujtoi takimin me Papën “si kënaqësi për të pranishmit”: “Ati i Shenjtë - theksoi - e njeh shumë mirë Evropën, është mik i Evropës, i jep shtytje përpara politikës evropiane. Ka një ndikim të fuqishëm mbi të. Papa nderohet shumë nga burrat e gratë e Brukselit. Të gjithë flasin për ‘Laudato si’’ e ‘Fratelli tutti’”.

Integrimi është i mundshëm

E ishte vetë Papa, që i dha udhëzime të qarta kryesisë së Comece mbi tematikën e vështirë të imigrimit, përsëri në qendër të vëmendjes së kronikave ndërkombëtare, me rastet e Spanjës e të Danimarkës.

“Imigrimi është i tmerrshëm”- kujtoi Hollerich - pa e fshehur pakënaqësinë  që shkakton pamja e mijëra njerëzve të ngujuar para portave të Evropës, “të ndarë vërtet nga të gjithë e nga gjithçka”. Bashkimi Evropian nuk po përparon aspak lidhur me politikat migratore - pohoi kardinali - “Vende si Italia, Spanja, Malta, Greqia, janë lënë vetëm. E ky është turp për Evropën!”.

Hollerich solli përvojën e Vendit të tij, Luksemburgut, që vijon t’i mirëpresë migrantët e refugjatët, duke dëshmuar, kështu, se njerëzit mund të integrohen. Kemi pranuar - kujton - dy familje refugjatësh në Lesbo, ardhur nga Siria e Kuwaiti, një të krishterë e një myslimane. Kisha ua paguan të gjitha shpenzimet. Është kënaqësi t’i shikosh duke jetuar të sigurt, si gjithë të tjerët. Po duhet të mendojmë edhe për turmën e njerëzve, që nuk e ka këtë mundësi!

Pandemia duhet të na e mësojë, jo të na bëjë ta harrojmë humanizmin

“Integrimi është i mundshëm” - nënvizoi kryetari i Comece-s. Pjesa më e madhe nuk janë ekstremistë, e nëse janë, duhen trajtuar si të tillë. Duhet ta hapim zemrën! Pandemia duhet të na mësojë se pa kontakte shoqërore, jemi ngujuar në dashurinë për vetveten, duke i harruar njerëzit, që jetojnë në portat e Evropës, të ndarë nga gjithkush e nga gjithçka. Më dhemb shpirti! Duhet bërë diçka!

Overbeck: Mesdheu, varrezë vigane. Duhet vepruar!

Thirrjes “Migrantët, para së gjithash” i bëri jehonë ipeshkvi i Essen, Franz-Josef Overbeck, zëvendës-kryetar i COMECE: “Kisha - kujtoi - duhet ta thotë qartë: “Të bëhet gjithçka mund të bëhet, që njerëzit të mund të jetojnë në vendet e tyre, në shtëpitë  tyre. Po kur i shikon gjithë këta refugjatë nga Mali a nga Libia, ç’mund të thuash? Çfarë mund të bësh përballë Mesdheut, që vijon të shndërrohet në varrezën më të madhe të Evropës? Problemi i migrimit do të mbetet edhe vitet e ardhshme, e jo  dy-tre, por ndoshta edhe njëqind vjet! “Këtu po ndryshon mbarë bota” - kujton ipeshkvi duke komentuar sfidat e Kishës në Evropës, me theksin mbi Gjermaninë e tij, të angazhuar në udhën sinodale e të trazuar thellësisht nga kriza e abuzimeve seksuale (një hon i vërtetë - kujton). E ky, edhe shkaku që e shtyu ish-kryetarin e Konferencës ipeshkvnore,  Reinhard Marx, t’i paraqesë kërkesën për dorëheqje Papës, i cili nuk e pranoi këtë kërkesë.

Si gjerman, duke vijuar të flasë për migrantët, imzot Overbeck kujtoi edhe heksodin e hebrejve në vitet e errëta të nazizmit, të refuzuar nga një mori vendesh. “Nuk duhet të ndodhë kurrë më një gjë e tillë”- pohoi, duke kujtuar se vija e ipeshkvijve evropianë nuk ndryshon. Mirëpret! E duke ndjekur edhe porositë e Papës. Çfarë duhet të bëjmë - pyet ipeshkvi gjerman. - Të rrimë duarkryq? Sigurisht jo! Jemi të krishterë, të thirur për dashuri ndaj të afërmit”.

Ndihma e Kishës për vendet në krizë

E njëjta dashuri e nxit vazhdimisht Kishën gjermane për t’i ndihmuar vendet në krizë, duke nisur nga Venezuela, e plagosur nga një krizë e rëndë politike, ekonomike e shoqërore: “Kemi dërguar tonelata me ilaçe, së bashku me qeverinë. Janë popuj pa asnjë ndihmë”.

Kisha në Gjermani, ndërmjet udhës sinodale e krizës së abuzimeve

Pastori  i Essen u përgjigjet pyetjeve të kronistëve lidhur me situatën në Gjermani, ndërmjet udhës sinodale, që shkaktoi një mori diskutimesh, e plagës së shpërdorimeve të klerit. “Jemi Kishë plot gjallëri, që po zgjedh rrugën e drejtë për të reaguar në këtë krizë kaq të vështirë të humnerës së abuzimeve seksuale të klerit mbi të miturit”- kujtoi. “Zgjodhëm këtë rrugë sinodale, duke i paraprirë, në një farë mënyre, zgjedhjes që bëri Papa për Kishën universale. Situata është e vështirë, por rruga, e drejtë”.

Nuk jemi Kishë skizmatike

Overbeck distancohet nga deklarata e kardinalit Marx, që përmbahet në letrën e dorëheqjes, ku shkruhet: “Kisha është në një pikë të vdekur”. E ku lexohet edhe shprehja, që e cilëson Kishën gjermane “Kishë fuqimisht skizmatike”: “Ne jemi Kishë e gjallë, kurrë sizmatike!”. Jemi në çaste  shndërrimesh, edhe shpirtërore, që do të thotë se duhet t’i riformulojmë synimet tona si për martesën, ashtu edhe për çelibatin. Çelibati, posaçërisht, është  temë mbi të cilën duhet të reflektojmë,  sepse “thirrjet për meshtari po pakësohen pothuajse në zero, e jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Perëndimin”. Përpiqemi të kuptojmë çka dëshiron të na thotë Zoti e të reflektojmë:  ndoshta është ndonjë burrë i edukuar mirë, burrë i martuar, që mund ta bëjë këtë shërbim. Janë shumë të tillë në Kishat ortodokse. Të aftë për ta bërë këtë. Jam vërtet i shqetësuar për mungesën e meshtarëve. Gjatë 12 vjetëve të ipeshkvnisë sime kam shuguruar vetëm 2-3 priftërinj në vit, ndërsa vdisnin 20-30. Kështu e humbasim karakterin sakramentor.

Një Koncil III i Vatikanit? Nuk kemi kohë!

Tema të ndërlikuara, këto, por themelore, sipas zëvendës-kryetarit të Comece. Por jo deri në atë pikë,  sa të thirret një Koncil III i Vatikanit, që t’i vërë në qendër të vëmendjes së Kishës universale: “Jemi në një fazë aksioni, që ndoshta mund ta quajmë përfundimtare të Koncilit II të Vatikanit, jo të përgatitjes së të tretit. Janë shumë pika teologjike e dogmatike, ose pika themelore, si liria fetare ose “kërkesat jetësore” të Kishës përballë njerëzve, që duhen përpunuar akoma. Për mua, nuk është koha për një Koncil III të Vatikanit!

12 qershor 2021, 12:08